Në fokus

January 25, 2017 | 9:28

Flet mjeku Arben Ivanaj: Leucemia, 400 raste të reja në vit, faktorët që ndikojnë

Numri i personave që vuajnë nga sëmundjet malinje të gjakut ka ardhur duke u rritur. Janë mbi 400 raste të reja në vit dhe shkaktarët ende mbeten në hije. Mjekët rendisin disa prej faktorëve që mund të japin ndikim, por lidhja e tyre e drejtpërdrejtë me leuceminë mbetet ende e pakonfirmuar.

“Janë shtuar faktorët agresivë që godasin kodin tonë gjenetik, duke sjellë dëmtim të gjeneve dhe lindjen e qelizave malinje apo kancerogjene. Mund të përmendim disa prej tyre, si p.sh. duhani. Kjo është arsyeja që në 15 vitet e fundit ka një luftë të përbotshme kundër duhanpirjes. Po ashtu alkooli, është konfirmuar se ka lidhje me kancerin, por nuk është konfirmuar se ka lidhje me një nga leucemitë. Apo produktet toksike, pasi të gjitha llojet e pesticideve, produkteve kimike, janë potencialisht të dëmshme për organizimin”, pohon mjeku hematolog, Arben Ivanaj. Në intervistën dhënë për gazetën PANORAMA, doktori është ndalur edhe te shenjat që shfaq sëmundja, moshat që prek, si edhe metodat e trajtimit. “Progres ka pasur në trajtimin e leucemisë mieloide kronike. Është njëra nga ato patologji që nëse para 15 viteve jetëgjatësia mesatare ishte 4 deri në 5 vite, aktualisht jetëgjatësia mesatare e të sëmurëve është mbi 10 vite. Kjo i dedikohet mjekimit target”, veçon më tej mjeku hematolog. Sa i takon regjimit ushqimor, rekomandohet ndjekja e një diete të ekuilibruar, që mund të jetë edhe çelësi për një jetë të shëndetshme.

Arben Ivanaj Mjek

Arben Ivanaj
Mjek hematolog

Doktor, çfarë është leucemia si sëmundje?

Leucemia është një fjalë e vetme, që përfshin një grup të madh sëmundjesh. Përgjithësisht janë sëmundje që karakterizohen nga çrregullime të prodhimit të rruazave të bardha të gjakut. Çrregullime, të cilat në mënyrë progresive predominojnë prodhimin e rruazave të gjakut dhe çojnë në shkatërrimin e palcës së kockave. Por në fjalën leucemi, sikundër pohova edhe më sipër, përfshihen një grup i madh sëmundjesh, të ndara përkatësisht në leucemi akute dhe leucemi kronike. Për këtë ndarje është marrë në konsideratë graviteti i sëmundjes, se sa shpejt ajo përparon. Dikur thuhej që kur sëmundjet kalonin 6 muaj, ato ktheheshin në kronike dhe sot e kësaj dite njerëzit në zhargonin e përditshëm vazhdojnë të pyesin nëse kjo sëmundje ka apo jo probabilitet të kthehet në kronike. Por ndarja kronike dhe akute ua ka vënë emrin këtyre patologjive, pavarësisht kuptimsisë fillestare që ato mbartin. Nëse nisemi nga progresioni i sëmundjes, bëjmë kategorizimin në kronike dhe akute. Të gjitha sëmundjet e gjakut janë patologji, të cilat e marrin origjinën në momentin e pjekjes së qelizave të gjakut. Të gjitha qelizat, eritrocitet, leukocitet dhe trombocitet prodhohen nga një qelizë e vetme, e cila është e vendosur në palcën e kuqe të kockave. Leukocitet janë rruazat e bardha. Secila prej qelizave që ato mbartin kanë një mision të caktuar. Të gjitha leucemitë, si ato kronike, edhe ato akute, e marrin origjinën nga momenti i formimit të rruazave të bardha të gjakut. Pra, nga qeliza mëmë deri në formimin e rruazave të bardha që shikohen në periferi është një distancë që duhet përshkuar pasi ka një ecuri që është lindja, rritja, pjekja dhe shndërrimi në një qelizë, e cila do të kryejë një funksion të caktuar. Gjatë kësaj rruge të pjekjes ose të maturimit, zakonisht afër qelizës mëmë, ndodh një dëmtim gjenetik. Këto janë dëmtime që ende nuk dihen apo njihen arsyet se përse ndodhin. Është pikërisht ky dëmtim gjenetik që do ta devijojë pjekjen e qelizës nga rruga normale dhe që do të çojë në atë që ne e quajmë leucemi linfoide kronike, leucemi linfoide akute, leucemi mieloide akute, leucemi mieloide kronike. Pra janë disa lloj leucemish, të cilat, sipas qelizës ku marrin origjinën, marrin edhe emrin e tyre. Janë patologji të cilat kanë një incidencë relativisht të shpeshtë. Secila prej tyre ka një incidencë më vete. Në vendin tonë bëhet fjalë për 3 deri në 5 raste të reja në 100 mijë banorë. E njëjta incidencë luhatet edhe në botë. Pra, do të thotë që në vendin tonë kemi afërsisht 400 raste të reja të sëmurë me leucemi në vit.

Bëhet fjalë për 400 raste të reja çdo vit, cilët janë faktorët që ndikojnë?

Numri i sëmundjeve malinje në përgjithësi është rritur, po ashtu edhe numri i sëmundjeve malinje të gjakut është rritur edhe në vendin tonë. Shkaqet që kanë çuar në këtë rritje janë të panjohura, por mendohet se ndikim kanë dhënë faktorët ambientalë. Janë shtuar faktorët agresivë që godasin kodin tonë gjenetik, duke sjellë dëmtim të gjeneve dhe lindjen e qelizave malinje apo kancerogjene. Sa u takon faktorëve të jashtëm, mund të rendisim disa prej tyre: duhani -kjo është arsyeja që në 15 vitet e fundit ka një luftë të përbotshme kundër duhanpirjes. Megjithëse ende është e pakonfirmuar se duhani jep leucemi. Po ashtu alkooli, është konfirmuar se ka lidhje me kancerin, por nuk është konfirmuar se ka lidhje me një nga leucemitë. Apo produktet toksike, të gjitha llojet e pesticideve, produkteve kimike, janë potencialisht toksike për organizimin. Viruset po ashtu, mënyra se si ato intervenojnë për të dhënë dëmtimin gjenetik. Por incidenca e tyre është shumë e vogël në raport me popullatën. Pra kemi gjetur edhe të sëmurë, të cilët janë të infektuar nga virusi dhe kanë sëmundje dhe, po ashtu, kemi konstatuar të sëmurë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me virusin. Pra janë gjetje ende të pakonfirmuara dhe që kanë nevojë të konfirmohen. Pastaj, sigurisht që ndikim kanë të gjitha llojet e rrezatimeve bërthamore, që janë konsideruar si faktorë të drejtpërdrejtë për sëmundjen.

Sa u takon grupmoshave që preken?

Mund të shfaqet në çdo moshë. P.sh., leucemitë linfoide kronike kanë predispozitë të shfaqen në moshën mbi 60 vjeç.

2

Cilat janë shenjat që shfaq sëmundja?

Të gjitha leucemitë nuk kanë shenja specifike. Ato mund të shfaqin kryesisht këto shenja klinike: një diskonfort të përgjithshëm, dobësi, që instalohet në mënyrë të menjëhershme apo në mënyrë graduale, e cila shpesh shoqërohet edhe me temperaturë. Në 80% të rasteve ka një infeksion të caktuar dhe në 1/ 3 e rasteve shfaqet me fenomene hemorragjike, si gjak nga hundët apo mishrat e dhëmbëve, ose në lëkurë shfaqen njolla të zeza. Por të gjitha këto nuk janë tipike të leucemisë. Vetëm leucemitë linfoide kronike kanë si karakteristike shfaqjen e gjëndrave, qoftë në qafë, në rrëzë të kofshëve dhe shoqërohet me diskonfort të barkut. Ndërsa në rastin e leucemisë mieloide kronike ka ndjenjën e të pasurit diçka të fortë në bark. Pra në përgjithësi mund të themi që shenjat klinike me të cilat manifestohet janë të zakonshme dhe secili prej nesh mund t’i ketë një herë në ditë.

Bëhet shkak kjo që sëmundja të mos diagnostikohet në kohë?

Nuk ka lidhje me diagnostikimin në kohë. Të gjitha sëmundjet e gjakut nuk kanë lidhje me diagnostikimin e hershëm.

Pra nuk do të thotë që nëse diagnostikohet në kohë, ekziston mundësia për ta parandaluar?

Të gjitha sëmundjet, veçanërisht sëmundjet e gjakut, në momentin që shfaqen shenjat klinike, të gjithë të sëmurët detyrohen që të kërkojnë trajtim më të specializuar.

Me të njëjtat shenja manifestohet edhe te fëmijët?

Problem i fëmijëve ndryshon, pasi fëmijët kanë një shfaqje tjetër, ndaj do të ishte mirë që të interpretoheshin si duhet sjelljet apo reagimet që ata kanë. Pra në pediatri ka tjetër këndvështrim.

Leucemia mund të prekë dhe organe të tjera, si zemrën, mushkëritë, veshkat…

Në përgjithësi sëmundjet e gjakut nuk janë sëmundje që dëmtojnë organe të tjera. Por në disa raste, shkatërrimi i qelizave malinje mund të japë efekte mbi organe të tjera, veçanërisht mbi veshkat, sepse janë qeliza që nuk janë të qëndrueshme. Por mjekimi target ka bërë që efektet mbi organet e tjera të jenë të vogla, apo edhe zero.

Por nëse një person me leucemi vuan edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, sa i vështirë është menaxhimi i këtyre rasteve?

Shfaqja e një leucemie, cilado qoftë ajo, te një individ që vuan nga një sëmundje kronike tjetër, vetëm sa e komplikon situatën dhe trajtimi i këtyre të sëmurëve është i vështirë. Kjo sepse përdorimi i medikamenteve bëhet i vështirë për vetë mundësinë që kanë këto medikamente për të dhënë efekte sekondare mbi organet e dëmtuara.

Si mjekohet leucemia?

Trajtimi i të gjitha sëmundjeve të gjakut ka bërë progresion, kryesisht pas viteve ’90. Ky progres bazohet fillimisht te njohja e sëmundjes dhe mënyrën se si lind ajo. Pas viteve ’90, zhvillimi i teknologjisë ka bërë që të njohim më mirë se si lind sëmundja, dhe mekanizimin për avancimin e saj. Duke i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ne arrijmë që të adoptojmë lloje të ndryshme mjekimi për trajtimin e të gjitha sëmundjeve të gjakut. Për ta konkretizuar, progres ka pasur në trajtimin e leucemisë mieloide kronike. Është njëra nga ato patologji që nëse para 15 viteve jetëgjatësia mesatare ishte 4 deri në 5 vite, aktualisht jetëgjatësia mesatare e të sëmurëve është mbi 10 vite. Kjo i dedikohet mjekimit target. Pra kombinimi kimioterapisë klasike, kombinimi i produkteve target, monoterapisë, së fundmi i terapisë qelizore, ka bërë që të ndërtohet i gjithë mekanizimi për trajtimin e këtyre sëmundjeve. E njëjta gjë mund të themi për leukozën linfoide kronike, nëpërmjet përdorimit të produkteve target, medikamente që adresohen për mjekimin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Çfarë do të thotë mjekim target?

Mjekim target do të thotë që ne nuk godasim të gjitha qelizat e organizimit, por godasim vetëm qelizën e sëmurë. Nëse kimioterapia standarde godet të gjitha qelizat, ne me anë të mjekimit target godasim vetëm qelizat e sëmura. Efektet e këtij lloj mjekimi në pjesën normale të organizimit janë pothuajse zero. Kjo ka bërë që të rritet jetëgjatësia te të sëmurët. Të njëjtin revolucion ka bërë transplanti i palcës, pra ka bërë që të rritet me 40 apo 50% jetëgjatësia e të sëmurëve në dy dekadat e fundit. Aktualisht, diskutimet janë që të eliminojmë sëmundjen dhe pacientët të jetojnë sa më gjatë. Për një numër patologjish, të cilat ishin agresive dhe me mbijetesë të përgjithshme jo më shumë se 3 vite, aktualisht bëhet fjalë të jetojnë të paktën 10 vite.

Sfidë është të zgjatet jeta?

Po, sfidë është të zgjaten vitet e jetës me një cilësi sa më të lartë. Kjo praktikisht për një numër të madh të leucemive dhe të limfomave është realizuar dhe vazhdon të realizohet çdo ditë.

Mjekimi zgjat gjithë jetën?

Për disa patologji, mjekimi vazhdon gjithë jetën. Për disa të tjera, mjekimi ndërpritet. I sëmuri në këto raste ndiqet në konsultë për të parë ecurinë e tij.

Të gjithë ata që preken nga sëmundjet malinje të gjakut përfundojnë te trajtimi me kimioterapi?

Duhet të ndahemi nga mentaliteti për të parandaluar sëmundjen. Por ne mund të eliminojmë faktorët e riskut, të tillë janë alkooli dhe duhani. Në qoftë se ne nuk pimë duhan, minimizojmë mundësitë për t’u prekur nga kanceri. Por kjo s’do të thotë që një person që nuk ka pirë asnjëherë alkool apo duhan është imun ndaj kancerit. Gjithsesi, duhani dhe alkooli cilësohen faktorë rreziku.

Sa i rëndësishëm është regjimi ushqimor?

Sigurisht që ajo çfarë konsumojmë ka rëndësi, por gjëja më e rëndësishme është që të aplikohet një regjim ushqimor i ekuilibruar. Regjimi ushqimor duhet konceptuar si stil jete. Ende nuk mund të thuhet me siguri se cili është impakti i drejtpërdrejtë i produkteve bio dhe atyre jo bio. Por gjithsesi ne e dimë shumë mirë se disa produkte janë të dëmshme.

Cilat janë këto produkte që cilësohen të dëmshme?

Të gjitha ato që kanë në përmbajtje pesticide. Një problem i madh aktualisht janë produktet e modifikuara gjenetikisht, megjithëse nuk e dimë ende impaktin e tyre real, por mendohet se paraqesin rrezik. Në përgjithësi, mund të themi se për sëmundjet malinje të gjakut nuk ka ushqime të ndaluara apo të rekomanduara. I sëmuri duhet thjesht të ushqehet në mënyrë të ekuilibruar.

Burimi:http://www.panorama.com.al/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top