Nga Orjona TRESA / Foto Vlasov SULAJ
“Me shumë dashuri” është një nga ato përshtypje që të lënë mbresa, të bëjnë ta kthesh kokën pas dhe pse jo, të urosh që takimi i radhës të ndodhë shpejt. Kjo është dashuria që dinë ta falin vetëm fëmijët, e cila është krejt e pastër, miqësore dhe e pakushtëzuar. Veçanërisht dashuria e fëmijëve që për shkak të aftësive të kufizuara, gjejnë format e tyre për të ta shprehur në mënyrë krejt të pafajshme dhe të veçantë. Një vizatim, një pikturë, një shënim i vogël me germa dore, një punim në letër a diçka tjetër, janë mesazhe falenderimi që fëmijët e Qendrës së Zhvillimit “Pëllumbat” ua dhurojnë në çdo takim Fabiolës dhe Fatmirit.
Sepse për këta fëmijë vëmendja e dy zëvendëspresidentëve të Grupit Hysenbelliu ka qenë gjithmonë e pakohë dhe e pamat. Përtej datave të shënuara, ata janë pjesë e rrugëtimit të këtyre fëmijëve, duke i falur mirësinë që meritojnë. Po, sepse nuk mjafton vetëm një ditë apo një festë e caktuar për të treguar kontributin ndaj këtyre fëmijëve. Ata kanë nevojë për një kujdes të përkorë, dhe mbi të gjitha për shumë dashuri.
Fondacioni FAB është një nga institucionet e veçanta që kujdeset për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës dhe atyre me aftësi të kufizuara. Fab u bën shpesh surpriza fëmijëve duke iu ardhur në ndihmë me çfarë ata kanë nevojë realisht. Por sot, si një ditë e veçantë, fëmijët kanë marrë dhuratat e festës së tyre, në ditën e 1 qershorit. ‘Hysenbelliu Group’ dhe Fondacioni FAB surprizuan fëmijët me aftësi ndryshe duke sjellë gëzim e ngrohtësi në strehëzën e tyre.
Në vijim të traditës së përvitshme të bamirësisë, përfaqësues të fondacionit FAB vizituan qendrën rezidenciale të zhvillimit të fëmijëve “Pëllumbat” në kryeqytet. Ata u pritën nga një ekspozitë e realizuar nga vetë fëmijët.
Qendra e Zhvillimit “Pëllumbat” nën drejtimin e Anila Shenjtolli, në fokusin e saj ka shtimin e vëmendjes dhe të përkujdesjes me krijimin e kushteve sa më normale për fëmijët me aftësi ndryshe.
Fondacioni FAB mbetet i përkushtuar kundrejt përgjegjësisë sociale dhe krijimit të një të ardhmeje më të mirë nëpërmjet kontributit social, duke vijuar misionin për t’u gjendur pranë fëmijëve në nevojë, një shembull i shkëlqyer për shoqërinë shqiptare.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.