Truri shfrytëzon sinjalet vizuale për të parashikuar efektet e gravitetit dhe për të modifikuar lëvizjet në përputhje me rrethanat.
Forca e gravitetit përshkon realitetin dhe përcakton përpjekjet tona: na bën të lëvizim këmbët në një shkallë ose në një rrugë në ngjitje, na imponon të frenohemi kur përballemi edhe me një zbritje të pjerrët. Megjithatë, para se të perceptojë edhe tërheqjen gravitacionale përmes muskujve dhe ekuilibrit, truri i njeh gjurmët e tij vizuale të shpërndara në peizazh: një aftësi që na lejon të parashikojmë efektet e kësaj force dhe “të rregullojmë” lëvizjet në përputhje me rrethanat.
Sinjale kontradiktore | Një studim i botuar në “Frontiers in Neuroscience” ka shfrytëzuar realitetin virtual për të kuptuar se si njerëzit planifikojnë lëvizjet duke parë forcën e gravitetit, madje edhe para se të ndjejnë efektet. Gjatë eksperimentit, një grup neuroshkencëtarësh izraelitë u kërkuan 16 vullnetarëve të rinj të ecnin mbi një tapet sportiv me syze VR, (shikues të realitetit virtual), që parashikonte peisazhe ideale për një ecje të sheshtë, në ngjitje apo zbritje. Ndërsa pjesëmarrësit ishin zhytur në këto skenarë, tapeti sportiv ishte përkulur, në mënyrë që të përputhej ose jo me peizazhet e para nga vullnetarët.
Nëpërmjet këtij konfigurimi, shkencëtarët arritën të krijojnë një mospërputhje midis sinjaleve vizuale të dërguara nga peizazhi (për shembull, një rrugë e menjëhershme zbritëse), dhe ato perceptuese të krijuara nga tapetët sportivë (për shembull ngritur lart). Disa pjesëmarrës ishin përgatitur për t’u “frenuar”, duke ruajtur zbritjen, dhe në fakt e gjetën veten duke u përpjekur në një plan në ngjitje. Përkundrazi, ata që ishin të gatshëm për një përpjekje më të madhe, sepse ishin zhytur në një shkallë ngjitjeje në mal, ndonjëherë e gjetën veten të detyruar të frenojnë në tapet drejt zbritjes.
Cili është kufiri i gravitetit që trupi i njeriut mund të durojë?
Përshtatja e vazhdueshme | Falë mospërputhjes midis perceptimit fizik dhe vizual, testi bëri të mundur të kuptohej se truri përdor sinjale vizuale për të modifikuar sjelljen në lidhje me forcën e gravitetit dhe të kompensojë efektet që ka në trup. Sidoqoftë, në rast të një sinjali vizual të paqëndrueshëm, vullnetarët u përshtatën shpejt në kushtet e “botës reale” (d.m.th të imponuar nga pista e vrapit): ata patën sukses falë një mekanizmi korrektues sensorial, i cili u jep përparësi sinjaleve të dërguara nga trupi në vend të atyre vizuale. Falë këtij rregulli në garë, u bë e mundur të kapërcehej konflikti dhe të vazhdonin të ecnin.
Aplikacionet e ardhshme | “Të dhënat tona nxjerrin në pah ndërveprimet shumësensuale: zakonisht, truri i njeriut nxjerr informacione relative mbi forcat nga sensi i prekjes; megjithatë, është i aftë të gjenerojë sjellje në përgjigje të gravitetit duke përdorur shikimin, madje më përpara se mund ta “ndjejë”, shpjegon Meir Plotnik, mes autorëve. Studimi mund të ketë pasoja interesante për kë studion bashkëveprimet me mjedise në realitetin virtual, por edhe për ata që merren me mekanizmat nervorë në lidhje me lëvizjen, në një nivel klinik dhe rehabilitues.
Përgatiti Orjona Tresa
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.