Në një kohë ku përparimi teknologjik dhe zbulimet shkencore ecin me ritme të vrullshme, shpesh harrohet thelbi i asaj që na mban të lidhur si komunitet: vlerat njerëzore. Këto vlera, si dhembshuria, mirëkuptimi, respekti dhe përgjegjësia për të tjerët janë baza mbi të cilën ndërtohet një shoqëri e shëndetshme dhe e drejtë. Pa to, çdo zhvillim material humbet kuptimin e tij të vërtetë.

Qasja njerëzore ndaj jetës nuk është thjesht një ideal, por një mënyrë të menduari e të vepruari që e vendos njeriun në qendër të çdo vendimmarrjeje. Ajo na kujton se secili individ ka dinjitet të patjetërsueshëm, të drejtën për të jetuar me liri dhe përgjegjësi për të ndihmuar jo vetëm veten, por edhe të tjerët. Pikërisht këtu qëndron fuqia e vërtetë e një shoqërie që dëshiron të ecë përpara, tek aftësia për të kultivuar lidhje të vërteta njerëzore, të ndërtuara mbi empatinë dhe solidaritetin. Në kohët moderne, me sfida të shumta si polarizimi, varfëria, pabarazia dhe krizat mjedisore, ka një nevojë gjithnjë e më të madhe për kthimin tek këto vlera thelbësore. Ato ofrojnë një busull morale për të përballuar sfidat me kujdes, drejtësi dhe ndjeshmëri. Historia na mëson se shoqëritë që vendosin marrëdhëniet njerëzore në qendër janë më të qëndrueshme, më të drejta dhe më të gatshme për t’u përballur me të papriturat e së ardhmes.
Një nga mënyrat më të qarta për të kuptuar rëndësinë e këtyre vlerave është të shohim realitetin tonë të përditshëm. Kontributi për një shoqëri më të drejtë nuk fillon gjithmonë me veprime të mëdha, por me sjellje të vogla që tregojnë respekt dhe kujdes ndaj tjetrit. Respektimi i rregullave në rrugë, për shembull, nuk është thjesht një çështje sigurie, por një akt që dëshmon vetëdije dhe ndjeshmëri për jetën e të tjerëve. Të mos ia zësh frymën një kalimtari në trotuar, të mos e pengosh të ecë i lirë, është një shenjë qytetarie.
E njëjta gjë vlen për hapësirat publike, zënia e tyre me objekte të ndryshme apo me shitje spontane jo vetëm dëmton të drejtën kolektive për përdorim, por edhe përçon mungesë përgjegjësie. Më tej, një shqetësim real është hedhja pa kriter e mbeturinave apo mosrespektimi i pikave të grumbullimit të tyre. Në të njëjtën vijë qëndron edhe shitja e produkteve ushqimore, veçanërisht frutave dhe perimeve në tokë, pranë mbetjeve, pa asnjë konsideratë për ndotjen dhe rrezikun që i kanoset shëndetit publik. Këto veprime nuk janë thjesht shkelje të rregullave, ato pasqyrojnë një krizë vlerash dhe një mungesë kujdesi ndaj të përbashkëtës.
Respekti ndaj të moshuarve është një tjetër tregues i maturisë së një shoqërie. Në vende si i yni, ku ata përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë, është e papranueshme që të trajtohen me shpërfillje. Ata nuk kërkojnë privilegje, por dinjitet, një vend në urban, një ndihmë në rrugë, një shikim të ngrohtë që e njeh përvojën dhe sakrificën e tyre.
Po kështu, vëmendja ndaj të rinjve dhe fëmijëve është thelbësore. Shkolla nuk është vetëm një vend për të mësuar, por një mjedis ku duhet të garantohet siguria, liria dhe mirëqenia e tyre emocionale. Prindërit dhe komuniteti nuk mund të jenë thjesht spektatorë pasivë, duke pritur të mësojnë për probleme të rënda nga mediat. Ndjeshmëria sociale duhet të lindë nga brenda, nga përfshirja e përditshme, nga kujdesi që nis me një pyetje të thjeshtë, “A është fëmija im mirë në shkollë sot?”. Këto nuk janë thjesht çështje të rendit apo rregullit, janë tregues të nivelit tonë të ndërgjegjes qytetare. Sepse vlerat njerëzore nuk manifestohen vetëm në fjalë të bukura apo në ditë të caktuara, ato shfaqen më së miri në mënyrën si sillemi me njëri-tjetrin në rrugë, në lagje, në shkollë dhe në çdo hapësirë ku jeta jonë prek jetën e tjetrit.
Zhvillimi i vërtetë nuk matet me numra apo arritje materiale, por me mënyrën se si trajtojmë njëri-tjetrin. Sa më shumë të ushqejmë ndjeshmërinë, solidaritetin dhe kujdesin, aq më shumë forcojmë themelet e një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë. Këto vlera janë, në fund të fundit, forca që na bashkon dhe që na çon përpara si shoqëri.
#RevistaPsikologjia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

