Frika e kësaj periudhe nuk ka të bëjë me të diturin e gjërave, por me procesin e rritjes dhe ndjeshmërinë e lartë të shqisave. Kjo frikë është normale dhe nuk është kapriço apo tekë. Në fakt djali dhe vajza e kësaj moshe mëson si të përballojë e zgjidhë vetë situatat.
Nga Lira Gjika
Është mosha kur njeriu mendon, kupton dhe fillon të përballojë me forcat e veta jetën, realitetin, frikërat dhe gëzimet. Mëson të marrë përgjegjësi për fjalën dhe veprimet e veta. Të rriturit pranë fëmijëve të kësaj moshe, sidomos prindërit, në vend, që të bezdisen e hutohen duhet të ndihmojnë fëmijën ta kalojë sa më shëndetshëm këtë periudhë të jetës.
Shpesh veprimet e të rriturve, pranë fëmijës së friksuar, demonstrojnë padurim, bezdi dhe etiketime, që në fakt rëndojnë më shumë situatën. Prindërit, të afërmit, si gjyshërit, por edhe mësuesit duhet të qetësojnë fëmijën, duke i treguar se edhe ata si ai apo ajo, kështu janë ndjerë kur ishin në këtë moshë. Rritja nuk është gjë tjetër vetëm se një kombinim i frikës me ngazëllimin që arriti ta përballojë sfidën me të cilën e përballi rritja. Pa besimin dhe ndihmën tuaj, prindër e të rritur të tjerë, fëmija mbetet i dyzuar ndërmjet turpërimit si i dështuar e frikacak dhe frikës nga e panjohura.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.