Mirëqenie

October 13, 2016 | 10:29

Frika/Pse i shoqëron gratë gjatë shtatzënisë?

Shtatzënia nuk është domosdoshmërisht një moment përmbushjeje të idealizuar. Është gjithashtu një moment i karakterizuar nga ndjeshmëria e lartë dhe fantazia e pazakontë. Çfarë ndodh në mendjen e një gruaje që pret të sjellë në jetë një foshnje? Dhe si mund ta ndihmojmë në shqetësimet zakonisht të pranueshme dhe ndonjëherë të dhimbshme të nënës, në mënyrë të tillë që pritja e fëmijës të jetë e mirëpërgatitur? Një nënë qan, ndjen ankth dhe pasiguri, tjetra qesh mes lotëve të saj. Dikush mund të mendojë se nuk është aspak e vërtetë se ndihet si nënat e shfletuara në libra, e qetë, e bukur, gati për të pritur lindjen e bebit të saj… Përse një dobësi e tillë? Çfarë metamorfoze jetojnë këto nëna të reja, që u jep atyre pasiguri dhe frikë?

Kujtime të së kaluarës dhe “fëmija imagjinar”

Psikoanalistja Bydlowski vlerëson se dobësia e femrave shtatzëna është pjesërisht e lidhur me kontekste si: jeta urbane, stresi profesional etj. “Por, nëse nënat shtatzëna ndihen të brengosura gjatë periudhës së shtatzënisë, kjo është diçka paradoksale, pasi ato e kanë dëshiruar me vullnetin e tyre këtë gjë”, – shprehet specialistja. Dilema të tilla si: “A mos është çmenduri kjo që po bëj?”, “A jam në gjendje të kuptoj se çfarë përgjegjësie po më pret?”… gjithçka që përmbledh projekti i lindjes së një fëmije, është një përgjegjësi e madhe dhe serioze dhe kjo është arsyeja që vendosemi përpara një kundërthënieje të pakëndshme, që bie ndesh me ndjesitë e mëparshme. Kjo dobësi femërore është e ngjashme me një krizë pjekurie e stadit të adoleshencës që përjetojnë njerëzit. Gjatë periudhës së shtatzënisë, femra përjeton konflikte të brendshme, konfuzion, kontraste ndjenjash dhe ndryshueshmëri humori. Psikanalistja ka propozuar një term të përshtatur me gjendjen e femrës në shtatzëni. “Transparenca psikike”, për të përshkruar gjendjen në të cilën ndodhet një grua shtatzënë, ku fragmente të pavetëdijes që zakonisht janë të fshehura shfaqen në vetëdijen tonë. Disa mund të shfaqin trishtimin e një vajze të vogël, kapriço prej fëmije, emocione të adoleshencës… 12 javë shtatzëni. Pikërisht në këtë stad, prindërit zbulojnë imazhin e fëmijës së tyre që do të lindë së shpejti. “E vështirë të pranoj e të kuptoj atë që kam brenda në barkun tim”, “Si do të jetë?”, “Ka filluar të lëvizë, do të thotë që është i/e lumtur”. Fëmija imagjinar perceptohet se do të përmbushë e do të rregullojë gjithçka. Ai mishëron “atë që një nënë ka shpresuar gjithnjë”. Në momentin e ekografisë së parë, është takimi me fëmijën real dhe përplasja me përfytyrimet e mëparshme imagjinare.

Klima mjekësore dhe seksualiteti

Specialistë të fushës së mjekësisë dhe kujdesit të shëndetit fiziko-mendor të gruas shtatzënë këshillojnë se që në ekografinë e parë të shtatzënisë, femrës i kërkohet të marrë në konsideratë se çfarë duhet të bëjë në rast se zbulon që fëmija ka sindromën Daun. Vendimi duhet të jetë serioz dhe i përshpejtuar. Disa zgjedhje si këto kanë vlerë dhe duan kohë, pasi bëhet fjalë për të jetuar një jetë të tërë me rezultatin e zgjedhjes që bëjmë. Aspekti seksual është gjë jo shumë e lehtë, aq më tepër që femrat shtatzëna flasin pak për këtë aspekt. Libidoja e tyre është në rënie dhe e fokusuar te fëmija që presin të lindë. Meshkujt gjithashtu janë në situatë të vështirë. Jo domosdoshmërisht e lidhur me imazhin e nënës që u kujton veten e tyre, por me shqetësimin se mund të lëndojnë partneren apo bebin. Disa nëna shtatzëna, të cilat e kanë përjetuar këtë fazë me probleme, e mendojnë në çift si një rrezik për fëmijën, edhe pse kjo gjë i kundërshtohet nga mjeku. Sikurse shtatzënia përparon dhe ndryshimet fizike bëhen gjithnjë e më shumë të dukshme, për nënën fillojnë të zgjohen fantazitë e frikshme të ndonjë aborti të papritur, të një vdekje gjatë procesit të lindjes etj. Femrat mbajnë një barrë të dyfishtë të ankthit dhe fajësisë, me idenë se gjendja e tyre emocionale do të ndikojë te fëmija. Ankthi i përjetuar e vendos nënën shtatzënë përpara shumë dilemave. “A jam e aftë të kujdesem për këtë fëmijë?”, “A do të jetë babai i tij një baba i mirë?”… Psikanalisti shpjegon: “Si pasojë e një idealizimi social të mëmësisë, femrat kanë prirjen të heshtin edhe kur nuk janë aspak të qeta”.

Çfarë fshihet pas pavetëdijes së femrave

Nëse do të përmblidhnim dëshirën për të pasur një fëmijë, do ta përcillnim në këtë mënyrë: Vullneti im i parë është të jem identike me nënë time që nga fillimi i jetës, e dyta ka të bëjë me dëshirën time për të pasur një fëmijë si dhe nëna ime nga babai im dhe e treta, është takimi me dashurinë seksuale, me partnerin e jetës dhe i gjithë koncepti është lindja e një fëmije. Kjo dëshirë ndërtohet ngadalë, që në fillim të jetës. Mar – rëdhënia e ngrohtë me nënën, në mënyrë të pandërgjegjshme, stimulon dëshirën për të pasur një ditë një fëmijë si nëna jonë. Psikologët shpjegojnë se thuajse në moshën 4-vjeçare, vajzat krijojnë një lidhje shumë të fortë me nënat, pikërisht atëherë kur ato ndjejnë xhelozi për babanë dhe nënën e duan vetëm për vete. Në një mënyrë simbolike, ato dëshirojnë të zëvendësojnë babanë e tyre në marrëdhënie më nënën, e përkthyer kjo si një dëshirë e fshehur për të pasur një fëmijë…

Rastet kur vajza nuk ka një marrëdhënie të fortë me nënën

Në të tilla raste, mund të kemi bllokime të dëshirës së pavetëdijshme për të pasur një fëmijë. Në disa raste klinike, konstatohet se mungesa e pjellorisë është psikologjike. Të gjitha kushtet fiziologjike janë të gatshme që një grua të mbetet shtatzënë. Femrat me të tilla probleme kanë dëshirë të kenë fëmijë dhe përjetojnë një ndjesi boshllëku nga mungesa e fëmijës, por kjo nevojë e vetëdijshme është ndonjëherë simptomë e një kujtimi traumatik, “dështimi” i ndodhur në vitet e para të jetës. Kur marrëdhënia me nënën nuk ka dashuri dhe afeksion, dëshira për të pasur një fëmijë në të ardhmen është e munguar.

Dëshira për fëmijë është universale tek femrat

Sot, ky konstatim nuk është më i vërtetë. Para viteve `60, pyetja për këtë dëshirë as nuk bëhej, por merrej si e mirëqenë. E dëshironte një femër fëmijën apo jo, fati i saj ishte të bëhej me fëmijë. Ndërsa sot, lindja e një fëmije është një vendim i vetëdijshëm dhe i programuar. Ndërkaq, femrat gjithnjë e më shumë janë të realizuara në planin profe – sional. Ambicia e tyre nuk fokusohet vetëm te dëshira për të pasur një fëmijë, por edhe në karrierën personale.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top