11 fëmijë janë shtruar në spital me këtë sëmundje, ndërsa është shënuar edhe rasti i parë tek të rriturit. Një i ri 25-vjeçar nga Tirana, pas vizitës në spitalin infektiv rezultoi me fruth. Mësohet se para dy javësh ai kishte udhëtuar në Maqedoni, një nga vendet e prekura nga sëmundja.
Gjatë kësaj periudhe, i riu kishte dobësi trupore, temperaturë, të përziera deri në shfaqjen e pikave të kuqe në trup, të cilat e detyruan t’i drejtohej spitalit. Mjeku infeksionit në qendrën spitalore, Pëllumb Pipero, i kontaktuar nga Vizion Plus tha se 25-vjeçari është shtruar dhe është nën mbikëqyrje. I prekuri me fruth është i datëlindjes 1993. Edhe më herët mjekët kanë bërë apel që të lindurit në vitet 1980-1999 të rivaksinohen për shkak të problemeve që janë konstatuar në këtë periudhë me vaksinën e fruthit.
Sa i përket 11 fëmijëve të prekur me fruth, ata janë të gjithë të pa vaksinuar. Vitet e fundit prindërit e shtyjnë vaksinën e fruthit ose refuzojnë ta bëjnë për shkak të debatit mbarëbotëror se ajo nxit autizimin. Fruthi bëhet në dy doza, në moshën 1 dhe 5-vjeçare.
Një i sëmurë me fruth arrin të infektojë 12 persona te tjerë. Sëmundja nis si grip, por është shumë më e rrezikshme deri dhe vdekjeprurëse. Mjekët bëjnë apel për vaksinimin e fëmijëve ndërsa institucionet arsimore nuk duhet të pranojnë fëmijë të pavaksinuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.