Posta

January 17, 2018 | 8:00

POSTA nga Denata Toçe / Ndjej vështirësi pas rikthimit në punë!

Denata Toce, psikologe

Me ardhjen e vajzës në jetë, kisha disa muaj mungesë në punë. Leja e lindjes më ka shfokusuar nga rutina dhe ritmi i përditshëm i punës. Ndjej vështirësi në menaxhimin e kohës edhe në familje pasi puna më merr shumë kohë. A mund të më ndihmoni se si ta rikuperoj këtë periudhë rikthimi?

Si fillim, dua t’ju them se jeta juaj nuk është më e njëjta si dje, edhe sikur të mos kishit sjellë në jetë fëmijën tuaj. Aq më tepër që vajza juaj ka ardhur në jetë, ju keni ndryshuar tashmë stilin e jetesës. Koha juaj nuk është më si më parë. Njohja me këtë stil jetese, me këtë përgjegjësi të re për të gjithë nënat është një kënaqësi, por njëkohësisht një frustrim, që shpesh shoqërohet me ankth dhe me ulje të humorit, ndaj dhe nënat kalojnë atë që njihet si stresi post partum.

Mos u shqetësoni! 

Sapo të kuptoni dhe të ambientoheni me rutinën e re të jetës suaj, të mësoheni me regjimin e fëmijës suaj dhe të familjes, do të merrni sërisht ritmin për të punuar. Sigurisht që nuk mund të bëni menjëherë 10 aktivitete, por provoni të bëni gjysmën e tyre dhe më pas rriteni numrin gradualisht. Vendosni prioritete, sepse fëmija të organizon akoma më shumë, nuk mund t’ia lini thjesht rastësisë kohën tuaj. Lehtësimi juaj nga kjo peshë ankthi do të vijë shumë shpejt, thjesht jepini kohën vetes suaj, po aq kohë sa ju desh që të rrisnit brenda vetes suaj fëmijën që keni tashmë.

E mbani mend? Që në muajt e parë të shtatzënisë, hapat tuaja u ngadalësuan pasi ju mendonit për fëmijën që po rritej brenda jush. Deri në muajin e nëntë ato hapa u ngadalësuan gjithnjë e më tepër. Tashmë ndërmerrni gradualisht ato hapa deri në përshpejtimin e tyre. Ju keni ndryshuar, jeta juaj ka ndryshuar, ashtu edhe hapat tuaj do të ndryshojnë.

Respektojeni jetën që keni tani ashtu sikurse ajo vjen. Me sfida të reja, por kaq të bukura. Ju tashmë keni një fëmijë. Çfarë bekimi!

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com