Në vrullin e një dite që nis me alarmin e mprehtë të telefonit, mes dritës artificiale të zyrave dhe zhurmës konstante të njoftimeve që nuk rreshtin, pothuajse të gjithë ne e gjejmë veten të mbërthyer në atë që psikologët e quajnë “lodhje kognitive”. Jemi vazhdimisht “on”, të lidhur me rrjetin, por çuditërisht të shkëputur nga vetja.

Megjithatë, ekziston një ilaç i lashtë, i thjeshtë dhe krejtësisht falas që na pret sapo hapim derën: efekti “Green Time”. Ky koncept, i cili po revolucionarizon qasjen tonë ndaj shëndetit mendor, sugjeron se rikthimi në natyrë nuk është thjesht një arratisje romantike, por një nevojë biologjike për të rivendosur ekuilibrin tonë hormonal.
Shkenca pas kësaj ndjesie paqeje që na pushton sapo shkelim mbi bar apo dëgjojmë fëshfërimën e gjetheve, lidhet drejtpërdrejt me uljen e kortizolit, i njohur botërisht si hormoni i stresit. Kur jemi në mjedise urbane, truri ynë detyrohet të përdorë “vëmendjen e drejtuar”, një proces i lodhshëm që kërkon përpjekje për të injoruar shpërqendrimet. Përballë këtij presioni, gjëndrat mbiveshkore çlirojnë kortizol, i cili në nivele kronike dëmton gjumin, gatishmërinë dhe qartësinë tonë mendore. Por, sipas Teorisë së Restaurimit të Vëmendjes (ART), të propozuar nga kërkuesit Rachel dhe Stephen Kaplan, natyra na lejon të kalojmë në “vëmendjen e butë”. Kjo lloj vëmendjeje nuk kërkon sforcim. Ajo na lejon të jemi prezentë pa u lodhur, duke i dhënë sistemit tonë nervor mundësinë të vetëshërohet. Një studim domethënës i publikuar në revistën Frontiers in Psychology ka vërtetuar se mjaftojnë vetëm 20 deri në 30 minuta qëndrim në një mjedis të gjelbër për të pësuar një rënie drastike të niveleve të kortizolit në gjak. Kjo “pilulë natyrore”, siç e quajnë shpesh autorët e fushës, funksionon si një buton “reset” për trurin tonë. Në këtë hapësirë të gjelbër, rrahjet e zemrës ngadalësohen dhe tensioni muskulor lëshohet, duke i lënë vendin një ndjesie mirëqenieje që zgjat shumë më tepër se vetë shëtitja. Ecja në natyrë nuk janë vetë lëvizje fizike, por një akt komunikimi me gjenetikën tonë më të thellë, e cila është e programuar për të gjetur siguri dhe qetësi mes elementeve organike.
Prandaj, herën tjetër që do të ndiheni të mbingarkuar nga pesha e përgjegjësive të përditshme, mos kërkoni zgjidhje vetëm tek ekranet apo kafeina. Dilni jashtë, kërkoni një park, një pyll apo thjesht një rrugicë të rrethuar nga pemët. Fuqia e “Green Time” qëndron në thjeshtësinë e saj. Ajo na kujton se jemi pjesë e diçkaje më të madhe dhe se natyra, në bujarinë e saj të heshtur, mbetet terapeutja më e mirë që kemi në dispozicion. Duke i dhuruar vetes këto minuta të gjelbra, ne nuk po humbasim kohë nga dita jonë produktive, por po investojmë në qetësinë e shpirtit dhe në shëndetin e trurit tonë, duke e shndërruar stresin e egër në një harmoni të butë me mjedisin që na rrethon.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

