Fillimi i vitit gjithmonë na bën të reflektojmë. Si mund të jemi më pozitivë dhe të falim më shumë mirësi për veten dhe të tjerët? Janari ka fatin që si muaj të na e dhurojë atë emocion që natyra e ofron si një përgatitje për ringjallje, e që bashkë me të sjell dhe fuqinë e optimizmit. Ndihemi më të gatshëm të ofrohemi dhe mbështetim të tjerët, një përpjekje pozitive për tu ndjerë mirë.

Janari ka një heshtje të veçantë. Ditët janë të shkurtra, ajri i ftohtë mbush gropat e qyteteve dhe fushat e zbrazëta, por kjo heshtje nuk është mungesë jete, ajo është një periudhë përgatitore, një heshtje që fsheh një energji të jashtëzakonshme të ripërtëritjes. Natyra na mëson se edhe kur gjithçka duket e ngrirë, brenda saj po ndodhin procese të brendshme të rritjes dhe përgatitjes për një fillim të ri. Ky imazh është një metaforë e fuqisë së optimizmit. Shkencëtarë dhe autorë të shumtë, si Martin Seligman, themeluesi i psikologjisë pozitive, theksojnë se optimizmi është jo vetëm një qëndrim emocional, por një strategji jetësore që ndihmon individin të përballojë sfidat, të krijojë marrëdhënie pozitive dhe të kultivojë mirëqenie afatgjatë. Studime tregojnë se njerëzit optimistë kanë më shumë aftësi për t’u rikuperuar pas vështirësive, kanë shëndet më të mirë dhe janë më të motivuar të ndihmojnë të tjerët.
Në janar, kur çdo fundviti sjell reflektim mbi arritjet dhe dështimet, optimizmi bëhet një dhuratë e vlefshme që mund t’ia ofrojmë vetes. Ai na mëson të shohim mundësitë në sfida, të shfrytëzojmë eksperiencat e reja dhe të besojmë se çdo përpjekje ka kuptim. Autorë si Norman Vincent Peale kanë theksuar se besimi në një të ardhme më të mirë është baza e një jete të suksesshme dhe të lumtur. Kur ne zgjedhim optimizmin, ne zgjedhim të kontribuojmë në një shoqëri ku bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe solidariteti janë të mundshëm dhe të qëndrueshëm. Optimizmi, ashtu si ripërtëritja e natyrës në janar, nuk ndodh gjithmonë me spektakël të madh. Ai shpesh manifestohet në gjëra të vogla: në një buzëqeshje për dikë që ka nevojë për mbështetje, në vendosjen e një qëllimi të ri, apo në përpjekjen për të përmirësuar diçka në jetën tonë dhe në mjedisin tonë. Ky qëndrim i qëndrueshëm pozitiv jo vetëm që përmirëson cilësinë e jetës sonë, por edhe krijon një rrjedhë mirëqenieje për komunitetin përreth.
Le të shikojmë pra këtë janar, si një muaj ku mund ta kultivojmë këtë optimizëm. Ashtu si natyra ruan energjinë e saj për të lulëzuar në pranverë, edhe ne mund të mbajmë shpresën dhe besimin si pasuri të paçmuar. Çdo muaj i vitit ka potencialin të jetë një mundësi për fillime të reja, për reflektim dhe për rritje personale. Kur zgjedhim optimizmin si një udhërrëfyes, çdo hap drejt vetes më të mirë dhe shoqërisë më të bashkuar bëhet më i qartë dhe më i qëndrueshëm.
Ndaj optimizmi është një virtyt i paçmuar, i cili na ndihmon të jetojmë me kuptim, të rritemi në mënyrë të qëndrueshme dhe të ndikojmë pozitivisht tek të tjerët. Këtë muaj, dhe në vazhdim, le të përqafojmë fuqinë e optimizmit, duke e bërë atë një pjesë të pandashme të jetës tonë, dhe të shohim çdo ditë si një mundësi për të lulëzuar, ashtu si natyra që gjithmonë gjen rrugën e vet drejt ringjalljes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

