Çrregullimet dhe sëmundjet e lëkurës, të lidhura me patologjitë e brendshme, janë të shumta. Është detyrë e mjekut dermatolog që, në një vizitë dermatologjike, të nxjerrë në pah ato elemente, që mund të jenë sinjali apo shenja e parë e një patologjie të brendshme të organizmit. Kjo për vetë faktin se, sëmundjet e brendshme janë të shumta dhe një pjesë e sëmundjeve të lëkurës hasen me të njëjtat karakteristika, si në disa prej këtyre sëmundjeve.
Mund të përmendim disa nga sëmundjet e brendshme që diagnostikohen për herë të parë, si pasojë e një diagnoze të qartë të një elementi në lëkurë, si Diabeti Mellitus, Leukozat dhe Limfomat Malinje, sëmundjet Autoimune si Artriti, Sklerodermia, Lupusi Eritematoz Sistemik apo dhe sindromat e ndryshme gjenetike, të quajtura Genodermatoza.
Janë të shumta rastet me një patologji të brendshme të diagnostikuar si pasojë e një observimi dhe diagnostikimi të saktë, të një elementi të lëkurës.
Një lëkurë e shëndetshme
Për të patur lëkurë të shëndetshme, në radhë të parë, një person duhet të ketë informacion të mirë nga dermatologu, pas një vizite të kujdesshme mbi llojin e lëkurës dhe fototipin që ka. Në këtë mënyrë, do të dalin në pah mjaft gabime që bëhen në trajtimin e lëkurës, si nga ana estetike dhe ajo mjekësore. Një informacion i detajuar i mjekut dermatolog, mund të jetë mjaft ndihmës për pacientin për të ditur llojin e lëkurës, nivelin e hidratimit, ph e saj, nivelin e yndyrës dhe, më tej, si duhet ta trajtojë lëkurën, çfarë kremi duhet të përdorë rregullisht, si duhet ta vendosë kremin mbrojtës dhe sa duhet të jetë filtri i tij bazuar në fototipin e lëkurës dhe stilin e tij të ekspozimit në diell.
Gjenetika
Duhet ditur gjithashtu mirë, edhe anamneza familjare dhe gjenetike mbi sëmundjet e trashëguara. Le të përmendim disa raste të thjeshta, një person duhet të jetë në dijeni, nëse në familjen e tij ka patur raste me ekzemë, psoriasis, sëmundje të tjera alergjike apo raste me kancer lëkure apo dhe melanomë. Personalisht, mendoj se ky lloj komunikimi dhe informacioni, është hapi i parë drejt një trajtimi të mirë të lëkurës, si nga ana kozmetike dhe për shumë sëmundje dermatologjike.
Gabimet ndaj lëkurës
Ajo që ka rëndësi, është gabimi njerëzor në trajtimin e patologjive të lëkurës. Shpesh, pacientët bien pre e një trajtimi jo profesional, të marrë vetë, nga farmacistët apo dhe në rastet e komplikacioneve kozmetike, nga estetistët. Ky është ai gabim, i cili duhet shmangur më së shumti.
Këshilla kundër plakjes
Plakja e lëkurës, si dhe e gjithë organizmit në tërësi, është një proces fiziologjik normal, që çdokush do ta përjetojë. Kuptohet që, shenjat e plakjes në lëkurë janë më të dukshme, edhe për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj kushteve atmosferike. Si mund të parandalohet plakja? Pothuaj e pamundur … Si mund të parandalohet plakja e parakohshme? Këtu duhet bërë shumë kujdes, duke filluar nga një trajtim i mirë hidratues i lëkurës dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e mirë nga dielli. Në ndihmë të dermatologut janë dhe procedurat e ndryshme kozmetike si peeling, lazer, botox. Gjithsesi, këshilla ime do ishte një trajtim dhe mirëmbajtje e përditshme e lëkurës, në mënyrë korrekte. Gjithsesi, këshilla kryesore që japin dermatologët, është trajtimit dhe mirëmbajtja e lëkurës, sidomos nga rreziku i rrezeve të diellit në stinën e verës.
Burimi / http://gazeta-shqip.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.