Marrëdhënie

August 29, 2017 | 11:22

Galaksia e dashurisë

Ikën gjurmët e hapave me valën e radhës, ashtu si edhe ti.

Ky det mesnate gushti, nuk më sjell gjë tjetër në mendje veç kurrizit tënd në largim.
Nuk më kujtohet shumë qartë hera e fundit që jemi parë. Më kujtohen sytë dhe largimi jot.
Nuk e di pse pikërisht ky det më solli këtë në mendje.

Nga Anisa Zaçe  Psikologe Klinike & Këshillimi

Nga Anisa Zaçe
Psikologe Klinike & Këshillimi

Mund të mendoja për shumë gjëra të tjera. Të kujtoja shumë të tjera, nuk e di pse erdha prap tek ty. Për një kohë të gjatë i kam përsëritur vetes se veç koha flet e tregon, sa ndryshe funksionojmë secili prej nesh, se kemi nevojë për kohë.
Por ja që, ndonjëherë, gjithë koha e botës nuk mjafton. Sepse thjesht nuk jemi në të njëjtën orbitë.

Tek vala që ikte, shihja kurrizin tënd që ikte. Mendoja veç, se si, më kish gënjyer kaq shumë shpirti. Shpirti im e njohu tëndin, nuk di në ç’galaktikë diçka i kish lidhur, diçka që nuk i lidhte më tek kjo që jemi.
Sa shumë të kisha menduar, sa përralla e filma, sa justifikime e fjalë, dhe nuk kisha arritur as të bëhesha me nerva.
Thjesht, doja të mos ishe më. Të bëja paqe që ndonjëherë edhe shpirti gabon, mendon që njeh dikë e diçka që thjesht nuk është ashtu.
Duhej të të nxirrja nga brenda meje, dhe të ikje, dhe të të kujtoja ndonjëherë ashtu së jashtmi, si kurrizin.

Tek vazhdoja të prisja e përcillja dallgë, lexoj në telefon:
“Meqë jemi këtu, një xhiro sa të më tregosh atë kostelacionin e Binjakëve? Duket më mirë këtej buzë detit.”

Njëlloj si vala që vjen me vrull në breg po prap vendos të qëndrojë në det… Ashtu mu duk vetja, kur buzëqeshja për atë mesazh shkoi drejt e në zemër. Munde dhe arrite, sërish, të vish në kohën e duhur.

Ta kisha më shumë se kurrë nevojën në momentin që isha duke të të ‘përzënë’. Më duheshe për të më treguar që isha në rrugën e duhur.
Erdhe. Po nuk ndoqe skenarin tim.
Erdhe si asnjëherë me zemër gati. Erdhe aty ku isha unë, me kokën në yje, gati për të njohur botën që më mban zemrën peng.

Vendosa t’i besoj dashurisë, edhe një herë. Vendosa të luftoj për përrallën. Diçka brenda meje më thotë që vërtet ekziston.
E kam dashuruar gjithmonë Dashurinë. Më është dukur gjithmonë galaksia më magjike që mund të njihte syri njerëzor.
E gjithmonë kam thënë, nuk do resht kurrë së shkruari për dashurinë. Për fluturat në zemër, e yjet në sy, për gëzimin e shpirtit.

Kështu që nuk e lodha më veten, nuk e pyeta më
Edhe arsyeja e logjika ndonjëherë hapin krahun.
Sepse universi im për oksigjen ka dashurinë, dhe ashtu le të vazhdojë të jetë. Në nuk shkoftë mirë, ndër yje do e pushoj sërish zemrën. Shpirti im i përket galaksisë së dashurisë, e unë nuk mund ta lejoj frikën t’ja zej frymën.

Ja hoqa duart vëna në fyt shpirtit, dhe thjesht ktheva përgjigje.
“Pse jo? Bëhu gati të njihesh me magjinë e universit!”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top