Lifestyle

September 6, 2017 | 10:21

Genta Ahmeti, vajza që ndërton anije të vërteta prej druri/ Ëndrra e fëmijërisë që lundron në det të hapur

Në vitet ’90, kur e gjithë Shqipëria ishte rrënuar nga dështimi i një ëndrre, Genta Ahmetaj, bashkë me të atin, ndërtonte shtëpinë e saj në Rrugën e Elbasanit. Nuk është një shtëpi kukullash, por e vërtetë dhe me të gjitha parametrat e duhura, ku Genta, së bashku me familjen, jeton prej më shumë se 20 vitesh. Çdo minutë ajo e kalonte pas të atit, për ta ndihmuar.

AHP_9944

Gozhda, çekiçi, zdrukthi, vegla si këto ishin dhuratat që ka marrë në fëmijëri. Nuk donte asgjë tjetër. Mirëpo, nga gjithë ç’kishte krijuar i ati deri më atëherë, diçka “flinte” në ëndrrat e të dyve: varka… Ishin të bindur se një ditë do t’ia dilnin dhe ashtu u bë! Sot Genta ka realizuar ëndrrën e të gjitha kohërave. Sapo ka mbaruar së ndërtuari dy varkat e para që kanë marrë emrat e dy mbesave të saj. Tani, deti le të bëhet gati t’i presë…

Që një vajzë të zgjedhë të studiojë për inxhinieri druri, të ndërtojë me dru, e të shohë ëndrra me çekiç e gozhdë, duhet të jetë patjetër gjenetike e dikush duhet t’ia ketë ushqyer…

Patjetër! Që kur unë dhe ime motër kemi qenë fare të vogla, babai na ka ushqyer me këtë dashuri. Ai vetë ka studiuar për inxhinieri druri dhe kështu bëmë edhe ne të dyja.

AHP_9996

Nuk bëtë fare naze kur erdhi puna te zgjedhja e universitetit, nuk patët asnjë dyshim?

Nuk pata nevojë të mendohesha, në mendjen time e kisha vendosur prej kohësh. Me atë ide isha rritur dhe atë do të zhvilloja. Kur zgjodha shkollën dhe arrita te tema e diplomës, kisha një kërkesë specifike, që tema ime të kishte lidhje me mjetet detare prej druri: që nga varkat e mjetet e vogla e deri tek ato të mëdhatë, siç mund të jenë anijet me vela, jahtet, etj. Kështu, e nisa prezantimin me një historik të detarisë shqiptare për të mbërritur te konstruksionet më moderne sot për sot në botë.

Pjesa e varkave të drurit hyn te produktet e shtrenjta. Është e gjitha ndërtim me dorë dhe veglat janë tejet të vogla, pasi forma të dikton që të punosh në çdo detaj. Kjo ishte dhe përvoja e parë, që më përfshiu aq shumë. Pas shkolle ishte pak vështirë të gjeja punë si inxhiniere, ndaj iu përkushtova pak kohë turizmit.

genta5

Turizmi është i lidhur me detin, me anijet, me varkat…

Kjo ishte pjesa më e bukur e asaj që zgjodha të bëja sepse duke udhëtuar, njoha historinë e detit, varkave dhe turizmit. Kam udhëtuar kryesisht në Spanjë, gjë që më ndihmoi pa masë, sepse ky vend njihet për punimet e varkave, pasi dhe tradita e tyre familjare është peshkimi. Sa më shumë udhëtoja, aq më shumë më shtohej dëshira t’i bëja vetë varkat. Nga ana tjetër, ndikimi i tim eti dhe miqve të tij, patën rol vendimtar.

Përfytyroj sikur keni një shtëpi të tejmbushur me objekte druri, varka të vogla, të mëdha, e gjithçka tjetër që mund të bëhet me dru. Sa e vërtetë është kjo?

Në fakt, nuk kemi vetëm objektet prej druri, por edhe shtëpinë. Çdo gjë që ka të bëjë me drurin, gjendet në shtëpinë tonë. Dhuratat që kam marrë në fëmijëri, nuk kanë qenë kukulla, por çekiç e vegla pune. Për mua ishte maksimumi, nuk është se doja gjëra të tjera.

Kur keni filluar të bëni punën e parë me dru?

Kam qenë 6 ose 7 vjeç, kemi qenë duke ndërtuar shtëpinë tonë prej druri. Ndërsa im atë ndërtonte gjithçka vetë, unë e ndihmoja dhe bëja ç’më thoshte. Ngulja një gozhdë, transportoja një dërrasë dhe pas kësaj, jam marrë tërë kohën me mirëmbajtjen e mobilieve të shtëpisë apo krijimit të objekteve të reja. Kjo është kënaqësia ime më e madhe. Fundjavat i kaloja në kërkim të copave të drurit, për të krijuar një gjë të veçantë. Sa herë e arrija këtë gjë, shkoja tek im atë e i thosha: “Shiko çfarë kam bërë!”.

Suplementi Unë Gruaja/Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top