Mirëqenie

May 13, 2016 | 10:34

Gerta Heta: Kënaqësia që më jep gatimi

Nuk është vetëm muzika ajo që i rehaton shpirtin! Nuk janë vetëm fabulat e teksteve muzikore, ato që i ndryshojnë gjendjen dhe e përfshijnë me gjithë qenien e saj. Ajo ka rënë në “grackë” që në momentin që e zbuloi si gjetje… ndonëse eksperienca e parë ishte jo ajo e shumëpritura! Për Gerta Hetën, këngëtaren e njohur, gatimi rezulton të jetë një nga ato kënaqësitë që i rrëmben jetës dhe ditëve të saj. E bën me qejf dhe plot dëshirë, sepse të marrit me gatim në të shumtën e rasteve, funksionon mirëfilli si një seancë terapie! “Sa herë jam e mërzitur, apo nuk ndjehem mirë, e gjej prehjen tek gatimi. Angazhohem që të përgatis diçka të shijshme dhe të paprovuar më parë, dhe në fund shoh… e dini… më ndryshon gjendja emocionale! E shijoj nga fillimi e deri në grimcën e fundit të gjithë procesin e të marrit me gatim, dhe kjo më bën që të humbas mendjen nga lodhja e ditës, streset apo mendimet e këqija… Dhe këtë ndjesi, betohem, nuk e këmbej për asgjë e për kërrkënd”, rrëfehet ajo. Fillimi nuk ishte ashtu siç e kishte menduar. Ishte vetëm 15 vjeç kur për herë të parë vendosi përparësen e kuzhinës dhe gatoi një tavë me speca të mbushur, që për fat të keq e harroi në furrë dhe e dogji. Të gjithë pjesëtarët e familjes atë ditë mbetën me lugë të zbrazët… ndërsa mamaja i thoshte shpesh se nuk kish për të prekur më gatim me dorë. Por, Gertën kjo gjë nuk e frenoi aspak në dëshirën për ta provuar, përsëri e përsëri. Deri në një përsosje të vërtetë. “Ultimatumi i mamasë sime, për të mos kapur asgjë me dorë në kuzhinë, duket se më shërbeu si një stimul. Me kalimin e kohës, të gatuarit për mua u bë sa dëshirë, aq edhe nevojë… sidomos kur u largova për në Amerikë dhe jetoja vetëm. Gatuaj çdo ditë. Ha shëndetshëm, pasi më pëlqen të shijoj më tepër, sesa të ushqehem me sasi të bollshme”, vijon ajo. Shijet duket se kanë lindur bashkë me të, të varura nga shenja zodiakale së cilës i përket, Luani, dhe pranisë së diellit në të. Gerta është mishngrënëse e thekur… filetot e viçit, rostot, mishi i marinuar i pjekur apo i servirur në çdo formë tjetër, është i pandashëm nga pjata e saj. Ajo nuk shijon asgjë, nëse nuk është e shoqëruar me mish! Përpos kësaj, ndihet edhe pak “aziatike” në të shijuarin e gatimeve. I pëlqejnë sushit dhe recetat japoneze… teksa aromën aziatike e ka përcjellë në shtëpinë e saj jo vetëm me stilin e arredimit, por edhe me dizenjot e fajancave. “Preferoj të zgjedh komplete pjatash me stile të çuditshme, moderne, por edhe të veçanta. Më tërheqin edhe nuancat njëngjyrëshe, por të ndezura dhe të forta… Anoj tek e kuqja, e zeza, e kaltra…”. 30-vjeçarja, në rolin e amvisës, thotë se nuk është nga ato tipiket meraklie që kujdesen edhe për detajin më të vogël… që duan gjithë aksesorët e vendosur mbi tryezë dhe mbi të gjitha një pjatë që më parë ta “hajë syri, sesa goja”. Jo! Për Gerta Hetën, mbi të gjitha, është e rëndësishme ajo që hyn në stomak, ajo që shijohet deri në grimcën e fundit dhe ajo pjatë që të bën t’i rikthesh sërish e sërish… Pa më të voglën mëdyshje, kjo assesi nuk i ul pikë në performancën e saj si “kuzhiniere” ku njësoj si dhe në skenë Gerta përshfaq talentin e saj, të ndërthur pse jo me doza individualiteti. Me pak fjalë, kërkon të jetë sa më origjinale. “Edhe në të gatuar, nuk u besoj librave të kuzhinës, apo recetave që mund të më japë ime më, apo dikush tjetër. Eksperimentoj me përbërës të ndryshëm, për të nxjerrë gatime të veçanta dhe, kryesorja, të shijshme. Kjo më dallon në mënyrën time të të qenit amvisë”. Përndryshe, nuk do të ishte Gerta Heta!

1

Psikologji Nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top