Jo rastësisht dhe aq më pak më kot, populli ynë i urtë, ndoshta më shumë sesa duhet, thotë pak a shumë proverbialisht, falë përvojës së tij, se gëzimi e hidhërimi janë bashkudhëtarë të pandashëm. E respektoj këtë lloj këndvështrimi filozofik deri në atë pikë, gati gati të pabesueshme saqë, kur më ndodh diçka e gëzueshme, jam thuajse i sigurt që nuk do të vonojë të më ndodhë diçka hidhëruese ose do të marr vesh ndonjë lajm, i cili do të më pikëllojë.
Kështu më ndodhi edhe këtë javë: u gëzova që tetori shkëlqeu si Muaji i Librit në sajë të punës së lavdërueshme të Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, u gëzova, fill pas atij, edhe nga Panairi i Librit, ku pashë me sytë e mi një dukuri të re: numri në rritje i të rejave dhe i të rinjve që jo vetëm nuk e duan librin thjesht si objekt zbukurimi për bibliotekën e tyre, por që e lexojnë atë e mësojnë prej atij, m’u duk interesant dhe bindës për faktin se kanë filluar, më në fund, të krijohen edhe elita lexuesish të rinj krahas atyre ekzistuese, që i përkasin të brezit të mesëm, sepse ato të brezit të vjetër, pra, të brezit tim, mjerisht, por pashmangësisht, sa vijnë e po rrallohen.
Mirëpo, për fat të keq, shijen e këndshme që më kishin lënë si Muaji i Librit, ashtu edhe Panairi i Librit, erdhën e ma hidhëruan dy lajme, njëri lidhur me ministrin e Shëndetësisë, që qenkësh bërë objekt dhune gjatë një seance pune në Kuvendin tonë të paparashikueshëm dhe tjetri lidhur me ministren e Arsimit, që, edhe ajo, paskësh rënë viktimë e një veprimi të dhunshëm tek merrte pjesë në një veprimtari studentore të rëndësishme.
Sigurisht dhe krejt natyrshëm, teorikisht e praktikisht, jam i mendimit se dhuna, e çfarëdo lloji qoftë ajo, pra, fizike apo psikologjike, me gojë, me shkrim apo me gjeste, para apo sidomos prapa krahëve, është e pahijshme jo vetëm në organe, institucione e struktura publike apo private, por kudo, në qendra pune, në familje, në rrugë e gjithkund tjetër.
Sidoqoftë dhe pa u ndikuar nga ndonjë faktor tjetër, qoftë ai profesional, socialkulturor, politik apo edhe familjar, jam gjithashtu i mendimit se po aq e pahijshme, në mos më tepër, është dinakëria cinike e atyre, cilëtdo qofshin ata, presidentë, kryeministra, ministra, kryetarë partish, kryetarë gjykatash, bashkish e shumë e shumë kryetarë të tjerë, që, në një mënyrë apo në një tjetër, me të gjitha mjetet e mundshme e të përfytyrueshme, por të pandershme dhe veçanërisht tinëzare e provokuese, i shtyjnë kundërshtarët e tyre politikë, gjatë përballjeve me ata, të reagojnë emocionalisht e të kalojnë në veprime të dhunshme, sidomos kur këta kundërshtarë janë nga më të ndershmit, nga më të pakorruptuarit e nga më të padroguarit e klasës sonë politike.
Së fundi, ndonëse gëzimet harrohen më lehtë e më shpejt se hidhërimet, hidhërimi në fjalë që ma prishi shijen e gëzimit e që më erdhi nga bota e vogël shqiptare ose, më saktë, nga politika e saj edhe më e vogël, nuk është diçka e pandreqshme që lexueset dhe lexuesit e kësaj rubrike të përjavshme vërejnë për herë të parë apo të dytë në jetën e tyre, veçse të dy incidentet në fjalë dëshmojnë se diçka po shkon keq e më keq në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike: korrupsioni e droga, papunësia e varfëria po bëjnë kërdinë, besimi i popullit, sidomos i të rejave e i të rinjve shpresëvrarë, te pushtetarët e sotëm po shteret, “rilindja” e vendit po kthehet në një “gargarë” absurde, “drejtimi i duhur” e ka shpënë shoqërinë shqiptare në një tunel të tipit qorrsokak ku njerëzit po shtrëngojnë rripin për t’u ngopur me lugë të zbrazët. Me një fjalë, troç muhabeti, diçka është qelbur rreth e qark nesh dhe, me siguri, së shpejti do të qelbet gjithashtu brenda nesh, nëse nuk kundërveprojmë me vendosmëri e dinjitet.
Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.