Nga Orjona Tresa
Pleqërinë kurrkush s’e do dhe njeri s’e afron. Ankthe nuk kam, mendoj si i ri. I kam vënë detyrë vetes që të mos e rëndoj trurin sa stomakun.
Ishte herët kur vuri re thinjat e para. Pak nga pak edhe disa vijëza në fytyrë, të cilat i tregonin se vitet po iknin. Nuk do ta kishte dëshiruar kurrë këtë, por jeta kështu është. Të gjithë e përjetojnë në një mënyrë a një tjetër, ndërsa për aktorin e humorit, Gëzim Kruja, e rëndësishme është që të mos biesh në pesimizëm, por t’i japësh kuptimin e duhur asaj. Sikur të mos kishte pasur kurrë pleqëri, aq më mirë për të. “Neve të moshës së tretë na ka hyrë një frikë e vërtetë. Pleqërinë kurrkush s’e do dhe njeri s’e afron, të mendosh se ku përfundon. Unë nuk jam psikolog. Por them se në këtë jetë veç pleqëria të mos ishte. Migjeni ka thënë: ‘Qeshu rini, qeshu, se bota asht e jotja’, dhe s’e luan topi. Kurse Gëzim Kruja thotë: Qeshni pleq, të ri e fëmijë, se ju iku jeta pa parë e pa ndi. Të qëndrosh shtrembër e të flasësh drejt: unë jam në moshën e tretë. Por ankthe nuk kam. Kam besim në vetvete. I kam vënë detyrë vetes që të mos e rëndoj trurin sa stomakun”. Gëzim Kruja është përpjekur të jetojë në harmoni me trupin e tij. Ndryshimin e ka pranuar si një proces pozitiv. Falë vitalitetit, vullnetit dhe dëshirës për të jetuar bukur fizikisht, ka lënë pas ankthin e moshës dhe rend si një djalosh i ri në kujdes të shëndetit. Humoristi shkodran ka hyrë në moshën e tretë. E pranon, por kurrsesi nuk e lejon veten të jetojë si i tillë. “Energjitë e të riut dhe të moshuarit nuk janë njësoj. Normalisht unë kam ndryshuar nga portreti. Vitet bëjnë punën e vet, por nuk më pengojnë në aktivitete. Sot është një fjalë: Nuk pyetet se sa vjeç je, por sa shëndet ke. Sa më shumë humor të ketë. E qeshura të gëzon dhe rrudhat e fytyrës t’i pastron”.
A mendoni se afrimi i pleqërisë shkakton ankth dhe pasiguri?
Të them të drejtën e ndej veten të ri në shpirt dhe si rrjedhojë, edhe në trup. Por për të mbetur i ri, unë rri gjithmonë me të rinj. Aty e gjej të renë. Ne të moshës së tretë na ka hyrë një frikë e vërtetë. Pleqërinë kurrkush s’e do dhe njeri s’e afron, mendo se ku përfundon.
Në moshën e tretë njeriu ndihet më pak i vlerësuar?
Jo, nuk mendoj. Unë tani jam në fazën e korrjes, para shumë vitesh kam mbjellë. Jam i sinqertë kur them që jam i vlerësuar. Të gjithë më urojnë “Mos u plaksh kurrë!”. Është e vërtetë që moshës së tretë askush s’mund t’i largohet në këtë jetë.
Çfarë ju emocionon?
Emocione kam si çdo njeri, por kur shikoj shokët e mi që më duken më të plakur se unë, rri duke u përtërir%.
Çfarë bëni për t’iu larguar plakjes si fenomen?
Kur kam qenë i ri, s’kam menduar kurrë për pleqëri. Tani që kam hyrë në këtë kategori e mbaj mendjen përsëri i ri. Mendja është ajo që çatrafilon, me kë rrimë e ç’ka shkon. Deri sa nuk pi asnjë aspirinë, e nuk kam nevojë të fërkohem në shpinë, kudo që shkoj jam i fortë. Punën e përballoj.
A e imagjinoni se si mund të silleni në kohën kur plakja do të jetë pranë jush?
Do ta mendoj kur të vijë momenti. Unë jam tip që mendoj për sot. Të djeshmen e harroj. Për të nesërmen i lutem Zotit ta shijoj. Themi ne në Shkodër “dite e re nafak i ri”. Për mendimin tim, në këtë jetë gjithçka të ishte, veç pleqëria të mos ishte. Migjeni ka thënë: “Qeshu rini, qeshu, se bota asht e jotja”, dhe s’e luan topi. Kurse Gëzim Kruja thotë: Qeshni pleq e të ri, e fëmijë, se ju iku jeta pa parë e pa ndi. Kaq sa për dijeni.
Ju krijon ndjenja pesimizmi, fakti që nuk e dini se si do t’ju vijë e ardhmja?
Jo, nuk jam pesimist. Jam optimist për të ardhmen, sepse jetoj për mrekulli në familje me grua e me fëmijë, me mbesa e nipër që kam në shtëpi.
Psikologji Nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.