Marrëdhënie

May 14, 2016 | 10:25

Admir Përvathi: Piktor… si babai

Është rritur mes penelash, bojërash dhe dyshemesë së lagur nga vaji i linit… Ndaj dhe duket e natyrshme që të zgjidhte ta ndërtonte të ardhmen e tij në këtë fushë. Bir piktori, Admir Përvathi vendosi të bëhej piktor gjithashtu. I diplomuar si piktor-skenograf, djali i piktorit lezhjan Pashk Përvathi rrëfen se si ka përvijuar rrugën e tij në gjurmët e të atit… për të vazhduar një traditë të dëshiruar familjare. Zgjedhja e profesionit tuaj ka të bëjë me orientimin kah babai, apo jo? Unë u rrita pranë tim eti. Dashje pa dashje më ka hyrë në gjak dëshira dhe pasioni i tij. Në studion e Pashkut, rrethuar me piktura e vizatime, ishte muza që të tërhiqte drejt asaj fushe. Nuk e mohoj se edhe prindi im si të gjithë krijuesit e tjerë kishte dëshirë që unë të ndiqja gjurmët e tij. Por gjithçka erdhi normalisht, pa sforcime. Kështu që mund të them se qe një proces i dyfishtë, pra dëshirë e të dyve. Jo gjithmonë artistët duan t’i bëjnë fëmijët artistë… Por, në rastin tim arsyeja e kapërcente dëshirën e babait. Në vogëli merresha vazhdimisht me vizatime. Më pëlqenin vizatimet me heronj, kështjella dhe luftimet me kalorës e shpata. Shumë prej tyre i kam të ruajtura edhe sot. Në atë kohë, në shkollën fillore, më pëlqente edhe historia. Në veçanti ajo e Ballkanit. Si atëherë edhe sot më ka mbetur pasion koleksionimi i monedhave të vjetra. Mes këtyre dy dëshirave triumfoi ajo për t’u marrë me art. Kështu që ndoqa këtë rrugë. Më konkretisht për ndikimin e babait… në këtë zgjedhje tuajën. Babai më ka ndjekur gjithnjë. Më ka stimuluar dëshirën për pikturën. Më sillte gjithnjë letër të bardhë e akuarele. Unë realizoja dëshirën time për të vizatuar, por duket që diçka bëja, përderisa më vonë u mora rregullisht me këtë pasion. Të ecësh në gjurmët e babait, shpesh nënkupton të ecësh në një rrugë të shtruar: cili është rasti juaj? Në kohën e fëmijërisë sime, im atë kalonte vështirësitë e tij si shumë krijues të asaj kohe. Edhe ai është arsimuar me vonesë. Dëshira tek unë kishte lindur që në vogëli. Rruga ishte e gjatë derisa filloi arsimimi në Lice. Çfarë keni marrë nga modeli i babait tuaj? Në fakt, ai është modeli për t’u ndjekur. Një cilësi e tij që më duket se e kam edhe unë. Është vrulli në realizimin e veprës. Por unë jam shumë larg tij në shumë aspekte. Në mënyrën e organizimit të punës. Ai është sistematik. Punon vazhdimisht. Di ta menaxhojë mirë një vepër. Unë vazhdoj të mësoj prej tij. Sa i takon teknikës, në sensin dekorativ të veprës kam të dhëna si ai. Pashku është piktor i natyrës dhe vetëm i penelit, ndërsa tek unë zë vend edhe spatula apo mjetet e forta. A e pranoni që keni ecur në gjurmët e tij? Unë përpiqem. Kjo është një rrugë e gjatë, e mundimshme, por e bukur. Çfarë ju kritikon më së shumti babai juaj? A ju ka qëndruar si çekan mbi kokë? Format e shprehjes në art tek ne të dy janë të ndryshme. Ai bën një lloj ekspresionizmi figurativ, ndërsa unë abstrakt. Por kjo nuk na pengon të shkëmbejmë mendime, sidomos për punët e mia. Shpesh dhe nuk gjejmë pika takimi, por në të shumtën e herës i kam dhënë të drejtë, kjo për shkak edhe të përvojës së tij. Mua më ka ndihmuar në rritjen si piktor dhe në dallimin më mirë të disa vlerave që duhen ruajtur e zhvilluar më tej me veprat e ardhshme. E ndani pasionin në të njëjtën studio? Jo. Babai ka studion e tij në Lezhë, kurse unë në Tiranë. Por shpesh takohemi dhe këmbejmë të rejat më të fundit.

Psikologji Tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top