Në botën ku jetojmë, në një kulturë që duket e shqetësuar nga produktiviteti, flitet shumë për punën dhe pak për pushimet. Të gjeni kohë për t’u çlodhur dhe për t’u shkëputur nga stresi i përditshëm është thelbësore, sidomos për trurin. Në fakt, nëse ndonjëherë do të ndiheni të lodhur, është e mundur që kjo të jetë për faktin se mendja juaj e ndërgjegjshme, vëmendja dhe aftësia juaj për të punuar janë të kufizuara.
Të gjithë e dimë se sa mirë na bëjnë pushimet. Të gjithë bëjmë dhe dëgjojmë diskutime në kafe, në autobuz, në parukeri mbi vendet përrallore ku imagjinojmë të strukemi për të hequr prizën nga ritmet e punës dhe nga jeta frenetike, të cilat nuk ia lënë asnjëherë vendin pushimeve. E megjithatë… të gjithë jemi të vetëdijshëm mbi përfitimet e pushimeve dhe nevojës për të rifituar energjitë. Nëse jeni si pjesa më e madhe e njerëzve, me shumë gjasa nuk i shijoni plotësisht të gjitha avantazhet e stinës së bukur, duke humbur mundësinë më të mirë për të çlodhur neuronet e lodhura dhe për të pasur shëndet më të mirë.
Të keni kohë për veten larg punës, larg shkollës, larg stresit të një jete shumë të ngarkuar, është thelbësore për të rigjallëruar shëndetin e trurit. Duke ia mohuar trurit pushimin veror, automatikisht do të pakësohet aftësia për të menduar në mënyrë kreative dhe për të zgjidhur problemet e vështira. Mendja jonë mendon shumë më kthjellët kur ndalojmë dhe marrim kohë për t’u çlodhur.
Jo pak herë ka ndodhur që idetë më kreative në punë apo zgjidhja e një problemi të vështirë të ketë ardhur pas pushimeve. Kjo ndodh sepse energjitë mendore nuk janë më të fokusuara te gabimet e djeshme dhe as të ngarkuara për të përballuar detyrimet e nesërme. Mendimet gjeniale vijnë tipikisht kur e lëmë mendjen të lirë të imagjinojë dhe kur ajo largohet përkohësisht nga rutina e përditshmërisë.
Pushimi, relaksi dhe pakësimi i stresit janë shumë të rëndësishme për mirëqenien dhe shëndetin. Këto objektiva mund të arrihen nëpërmjet aktiviteteve të përditshme si sporti dhe meditimi, por edhe pushimet kanë një rol thelbësor.
- Pushimet stimulojnë kreativitetin
Të gjithë ne kur punojmë, funksionojmë në “modalitet të përqendruar” dhe është normale që pas pak kohësh truri të mbingarkohet. Aktualisht vlerësohet se të angazhuar gjithë ditën mes lajmeve, mediave sociale, postës elektronike dhe televizorit, e konsumojmë trurin njësoj sikur të kemi lexuar 174 faqe çdo ditë, pesë herë më shumë se sa në vitin 1986. Përballë informacionit kaq të ngjeshur, truri mbingopet. Ndaj pushimet na lejojnë të shkëputemi nga bota dhe ta lëmë një pjesë të trurit “të shëtisë”, pikërisht atë pjesë që funksionon për të lidhur idetë – në dukje të largëta mes njëra-tjetrës – dhe për të thjeshtësuar intuitën. Për këtë arsye, studimet konfirmojnë se njerëzit më kreativë janë pikërisht ata në të cilët rrjeti nervor bazë mbetet më aktiv.
- Marrim vendime më të mira
Truri funksionon më mirë kur nuk është nën presion, kur punon në mënyrë më të “çlodhur”. Në fakt, është vërtetuar se pas një shëtitjeje në natyrë ose pas një gjumi të shkurtër në drekë, proceset konjitive përmirësohen, në veçanti vëmendja dhe memoria. Një studim i bërë nga universiteti i Amsterdamit, ka arritur në përfundimin se kur duhet të merrni një vendim të rëndësishëm, është mirë të pushoni pak. Me të asimiluar të gjitha detajet e nevojshme, është mirë të largoheni në nivel psikologjik. Në fakt, një periudhë pushimi bën të mundur që rrjeti nervor bazë të aktivizohet dhe të përpijë informacionet. Kjo gjë ju ndihmon të merrni vendime më të mira.
- Pushimet ulin stresin
Pushimet janë ilaçi më i mirë kundër stresit, një përgjigje që aktivizohet kur jemi në tension dhe perceptojmë se ambienti që na rrethon nuk është mjaftueshëm i sigurt. Në këtë moment, organizmi ynë fillon të çlirojë sasi të mëdha të kortizolit dhe adrenalinës, hormone që jo vetëm na përgatisin për ‘luftë’, por me kalimin e kohës, provokojnë edhe një përgjigje inflamatore, e cila ndikon thellësisht trurin dhe shkakton sëmundje kronike. Shkëputuni nga puna dhe merrni pushimet për t’iu larguar stresit dhe rutinës së përditshmërisë. Kjo gjë ju ndihmon të çlodheni, ul ankthin, e lejon organizmin të riparohet nga dëmtimet dhe të rigjenerohet. Nuk duhet të harroni se stresi vret neuronet dhe pengon formimin e qelizave të reja nervore.
- Gjenerojmë ide më të mira
Çfarëdolloj ndërprerjeje i bën mirë trurit, por një periudhë pushimesh larg shtëpisë, në kontakt me kultura të tjera, është një masazh i mirëfilltë për trurin dhe ndikon në lindjen e ideve të reja. Ky është përfundimi i një studimi të bërë nga “Singapore Management University”, i cili nënvizon se niveli i kreativitetit është më i lartë kur jemi më të gatshëm të thellohemi në zakonet e reja që gjejmë në vendet ku shkojmë. Prandaj, udhëtimet nuk mjaftojnë, është e nevojshme edhe të eksploroni vendin ku shkoni dhe të jeni të hapur ndaj mënyrave të reja të jetesës, me një sjellje të qetë dhe pa gjykuar. Vetëm atëherë do të kuptoni se nuk ekziston një mënyrë “e duhur” të të bërit të gjërave, por vetëm rrugë të ndryshme.
- Jemi më të lumtur
Stresi kronik kontribuon në rritjen e nivelit të depresionit dhe të ankthit. Në fakt, njerëzit që nuk shkojnë rregullisht me pushime, kanë tendencën të shfaqin nivele ankthi dhe depresioni tri herë më të mëdha se sa ata që ia dalin të shkëputen herë pas here nga puna. Çelësi, siç tregon studimi i bërë nga universiteti i Rotterdamit, qëndron te lumturia. Sipas studiuesve, dy javë pushime janë të mjaftueshme për t’u çlodhur dhe për t’u ndier më të lumtur. Gjatë kësaj periudhe sasia e endorfinës që prodhon trupi është e mjaftueshme për të ndaluar efektet e dëmshme të hormoneve të stresit.
- Pushimet rritin përqendrimin
Edhe pse mund të duket kontradiktore, është e sigurt se pushimet ndihmojnë që të jemi më të përqendruar. Stresi kronik prek drejtpërdrejt pjesën e trurit që lidhet me memorien dhe përmbushjen e objektivave. Ndaj, njerëzit që punojnë vazhdimisht pa shkuar me pushime, ndihen shpesh të bllokuar dhe kanë vështirësi në përqendrim. Nga ana tjetër, kur kthehemi nga pushimet, ndihemi plot me energji, shtohet aftësia e reagimit dhe jemi në gjendje të ruajmë përqendrimin për periudha më të gjata kohore.
- Shtojnë produktivitetin
Të qenit produktivë jo domosdoshmërisht do të thotë që të kalojmë më shumë orë duke punuar, por ta përdorim atë kohë në maksimum. Prandaj, punët më produktive, edhe ato në të cilat punëtorët sëmuren më pak, janë ato ku punonjësit mund të marrin disa ditë pushim. Në fakt, pjesa më e madhe e njerëzve shprehen se ndihen më të kënaqur nga puna e tyre, kur kanë mundësi të shkojnë rregullisht me pushime. Ajo ndjenja e kënaqësisë investohet në produktivitet, duke krijuar edhe një ambient më të mirë pune.
Përgatiti: Manjola EREQI / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 157
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.