Për një nënë, zakonisht nevojat e saj shpesh kalojnë në fund të listës, sepse prioritet kanë fëmijët dhe pjesa tjetër e familjes. Megjithatë, nënat duhet të dinë se do të jenë shumë më të disponueshme për fëmijët, nëse kujdesen më shumë për veten e tyre.
Nëse ndjenja e parë që ju krijohet kur doni të bëni diçka për veten është faji, kjo është e natyrshme dhe e zakontë për shumë nëna.
7 gjërat që e bëjnë të lumtur një nënë
Ushqime të shëndetshme në intervale të rregullta
Ju shikoni orën dhe kuptoni se shpesh harroni të hani. Nëse mendoni se anashkalimi i vakteve ju ndihmon të bini nga pesha, e keni gabim. Në fakt ndodh e kundërta. Mungesa e ushqimit do të ngadalësojë metabolizmin dhe yndyra do të depozitohet në trupin tuaj. Një zgjidhje më e mirë është të hani ushqime të lehta për t’u përgatitur por të shëndetshme, të përdorni shumë fruta dhe të hani edhe vetë të paktën sa herë që i jepni për të ngrënë fëmijëve.
Një ditë në javë vetëm për veten
Gjeni kohë për të bërë diçka që ju pëlqen, qoftë edhe të mos bëni asgjë. Është e rëndësishme që të gjeni një ditë për t’u shkëputur, për të qëndruar vetëm. Konsiderojeni të shenjtë këtë ditë dhe lërja fëmijën bashkëshortit ose dikujt që ju ndihmon.
Tregoni afeksion me partnerin
Një puthje ose përqafim me partnerin jo vetëm ju bën të ndiheni më të dashur, por ka përfitime edhe në shëndet, sepse redukton stresin.
Bëni manikyr/pedikyr
Lini orare me miket tuaja për t’u kujdesur estetikisht për veten. Jo vetëm do të ndiheni më e bukur, por edhe do të kaloni kohë cilësore me mikeshat.
Takimi me mjekun
Është ide e mirë të qëndroni në kontakt të vazhdueshëm me mjekun, të paktën vitin e parë pas lindjes. Trupi dhe mendja juaj kanë nevojë të mësojnë shumë gjëra dhe të sqarojnë shumë paqartësi.
Merruni me aktivitet fizik
Aktiviteti fizik rrit energjinë tuaj dhe ju ndihmon të humbisni kilet e fituara pas lindjes. Gjithashtu largon stresin, lehtëson depresionin, largon ftohjen dhe ju ndihmon të flini më mirë.
Argëtimi familjar
Për nënat e reja një ditë e mirë konsiderohet ajo kur fëmija ka ngrënë mirë dhe kur gjithçka është e pastër. Por po kaq e rëndësishme është edhe pjesa e argëtimit të të gjithë familjes së bashku. Gjeni momente gjatë ditës për të bërë lojëra, për të kërcyer, për të gatuar apo gjëra të tjera që ju japin kënaqësi.
Burimi / https://www.pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.