13-vjeçarja Diana mund të quhet një mrekulli. Lutja e shokëve të klasës u dëgjua nga shqiptarët. Me pas jehoi në mbarë vendin, bëri bashkë 40 shkolla të Tiranës. Madje kapërceu kufijtë, preku zemrat e komunitetit shqiptar e mjekët e Zagrebit në Kroaci. Në lidhjen telefonike mjeku Gëzim Rexhepi solli gëzim në studion e “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 ku tha live se Diana me skoliozë do të operohej gjatë kësaj jave që lamë pas.
Gjatë kësaj jave Diana u shoqërua nga drejtoresha e shkollës “Besëlidhja” Valbona Gjoni. Bashkarisht kanë udhëtuar drejt Zagrebit. Biletat janë dhuruar nga agjencia e udhëtimeve Kozmos. Me kamera e kemi ndjekur e kemi shkuar atje, për të kapur çdo moment magjik, që mund t’ia ndryshojë kryekëput jetën e saj.
“Ne do shkojmë të të shërojmë Diana, pastaj ti do kthehesh tek babi yt” i thotë drejtoresha 13-vjeçares në Aeroportin e Rinasit. Në qiell shihet avioni që ngrihet në fluturim. Brenda është Diana jonë në fluturimin e saj të parë drejt shpresës dhe shërimit.
“Mirë se keni ardhur në klinikën tonë, keni bërë zgjedhjen e duhur, mjeku ynë Vladimir Kovac që është më i miri në rajon për këto ndërhyrje. Falënderojmë edhe iniciativën tuaj” me këto fjalë u prit Diana dhe drejtoresha e shkollës në klinikën e specializuar në Zagreb. Emocionuese janë fjalët e drejtoreshës Valbonës drejtuar Dianës para se vajza të futej në sallën e operacionit.
“Kemi udhëtuar shumë bashkë për të ardhur deri këtu. Ma jep fjalën se do jesh e fortë aty brenda? Me lotëve drejtoresha e shkollës Valbona e cila i ka dhënë vajzës gjithë dashurinë dhe ngrohtësinë e një nëne të vërtetë para operacionit e ulur në gjunjë para saj i thotë ëmbëlsisht dhe i puth duar e vogla “Diana të dua shumë, do të pres këtu pas dere…do lutem për ty. Të uroj shumë fat Diana, të dua shumë” thotë Valbona dhe shton ndërkohë që sytë e vajzës lotojnë “Do bëhemi të dyja të forta ne Diana” këto ishin fjalët. Dera u mbyll…
Një operacion i vështirë, pas të cilit lind një shpresë e madhe se Diana do të bashkohet me shoqet e saj e do të mund të rrijë në shkollë e të luajë njësoj me to. Mjeku që e operoi tha për “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 se ndërhyrja ka qenë e vështirë dhe e komplikuar.
Vajza kishte probleme në 11 unaza të boshtit të kurrizit. “Kemi prerë 6 brinjë,” tha mjeku. “Organet si veshka, diafragma dhe mëlçia janë devijuar për të ndërhyrë. Boshti kurrizor është fiksuar. Vajza do të ngrihet nga shtrati dhe për 7 ditë mund të largohet nga spitali. Pas 3 muajsh ajo do të ecë si fëmijët e tjerë”.
Pas operacionit Dianën e ka vizituar një mik special, që i do shumë shqiptarët. Ai është kryetari i bashkisë së Zagrebit Milan Bandic. Kreu i bashkisë ka shkuar me dhurata tek Diana. Ai i ka dhuruar një telefon celular. Kjo dhuratë e ka gëzuar kaq shumë 13-vjeçaren sa i ka thënë : Bandic i vërtetë është? Punon ky telefon? Kjo ka sjell hilaritet tek kreu i bashkisë, i cili i ka lënë vajzës edhe numrin e tij personal të telefonit. Kryetari i bashkisë së Zagrebit i ka thënë që telefonatën e parë Diana duhet t’ia dedikojë atij.
https://www.youtube.com/watch?v=agFHHo91K1Q
Burimi / http://www.balkanweb.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.