Etika ka të bëjë me mirësinë e njerëzve. Çdo njeri duhet të mundohet të bëhet më i mirë, t’i zgjerojë dituritë e tij dhe të veprojë më mirë dhe më suksesshëm. Idealet që shfaqen nëpërmjet normave Etike, kanë qenë e janë gjëja më e rëndësishme dhe më e nevojshme për njerëzit e kësaj Bote të cilat janë: E mira, E vërteta dhe E drejta. Këto tri vlera kanë të bëjnë me arritjet dhe krijimtarinë njerëzore e cila vlerësohet si e bukur ose e shëmtuar; sikurse dhe me vijën e sjelljes së njeriut që mund të jetë- e mirë ose e keqe.
Nga Prof. Assoc.proc.Doc. Dr. I. S. LARTI
Njohuritë njerëzore janë mëse thelbësore nëse ato- janë të vërteta apo të pavërteta.
E mira
E mira nga pikëpamja e përgjithshme dhe abstrakte, është gjithçka që është e bukur, e drejtë, ka veti pozitive, vlera dhe cilësi morale dhe etike, që njerëzit e dëshirojnë, e duan, e pëlqejnë, dhe ndjehen të tërhequr së brendshmi vetvetiu nga ajo, dhe mund të mendohet si caku i fundit për tu arritur në jetën e njeriut. Ana e kundërt e së mirës është e keqja. Shpesh koncepti “e mira” njihet me atë të “mirësisë, ose “veprimit të mirë”, si p.sh. në shprehjen “bëj mirë”, e barasvlershme me “bëj vepra të mira”, që d.t.th. i bëj mirë dikujt, ose diçka të vyer bashkësisë në të cilën bëj pjesë. Mësimi (doktrina), apo dituria, që mundohet të vendosë masa për të shprehur një gjykim vlerash në lidhje me mënyrën e të vepruarit njerëzor, është etika, ose morali.
Thënie për te mirën
– “E mira nuk arrihet në zbrazëti, por në shoqërinë e njerëzve, që kujdesen për dashuri”. Saul Bellou
– “Askush nuk mund të jetë i mirë nëse e mira nuk pyetet”. Bertold Brecht
– “Është e lehtë të kryhet një veprim i mirë, por jo e lehtë të fitohet një zakon i përhershëm i kryerjes të një veprimi të tillë”. Aristoteli
– “Bëj mirë se gjen mirë”. Shqiptare
E vërteta
Një gjë është e vërtete kur njohuritë janë të sakta, ashtu siç është realiteti. Në këtë rast këto janë në harmoni të ndërsjellë dhe kemi dobi gjatë shfrytëzimit të tyre. Njeriu ka shumë nevojë për të vërtetën, që të veprojë drejt dhe të jetojë mirë, të ketë mirëkuptim me njerëzit, të mos gabojë dhe të mos bëjë dëme, të mos bëjë keq si shkak i mos njohurive. Prandaj duhet të synojmë drejt të vërtetës. Dashuria për të vërtetën është prej mirësive më të mëdha. Ajo thotë: Gjithmonë kërkoje dhe thuaje të vërtetën! Por, te njerëzit është shumë e përhapur gënjeshtra, Ajo është e kundërta e së vërtetës. Prej saj largohen dhe turpërohen njerëzit e drejtë. Kurse i pandershmi ikën nga e vërteta. Shumica nuk mund ta shohin të vërtetën në sy, i frikësohen realitetit. Me gënjeshtra dëshirojnë të fshehin gjendjen e tyre. Për shkak se gënjeshtra është shprehje e mundimit të brendshëm të individit, i cili ikën prej realitetit drejt ëndrrave joreale.
Gënjeshtra ka për qëllim që të shtrembërojë të vërtetën, të mashtrohet ndonjëri, futje në besime ose vepra të gabueshme, të iniciojë veprim të cilin në fakt nuk do ta kishit bërë. Me gënjeshtrën, gënjeshtari realizon planet e tij, bën ngatërresa mes njerëzve dhe ofendon. Të gënjyerit është diçka shumë e keqe. Shkuarja drejt së vërtetës është një ndër drejtimet themelore pozitive të etikës – kurse gënjeshtra është e bazuar në veprim negativ, i cili është në zemrën e egoizmit, varësisë, të keqes, armiqësisë. Nuk ka gënjeshtër të mirë, secila gënjeshtër është e keqe dhe i bënë keq njeriut. Vetëm për të vërtetën ka nevojë njeriu dhe i ndihmon atij që të ketë sukses në jetë. Respektimi i së vërtetës është detyra më e rëndësishme e njerëzimit dhe për secilin njeri.
E drejta
I drejtë është ai mendim, qëndrim, veprim që është pa lakime, pa dredha, pa shtrembërime e nga njëri skaj tek tjetri pa kthesa, që shkon në një drejtim, që zgjatet drejt; që nuk pritet me një tjetër. Njeriu është i drejte kur mendon, gjykon e vepron në përputhje me të vërtetën, që nuk i mban anën askujt; që flet hapur, pa fshehur gjë e pa bërë dredhi; i çiltër; i ndershëm.
Është njeri i drejtë ai që mbështetet në të vërtetën ose që i përgjigjet së vërtetës, realitetit; që mbron të vërtetën, drejtësinë, lirinë, përparimin, të mirën kundër së keqes; që nuk ka gabime e shtrembërime; Njeriu është i drejtë kur ai është në përputhje me parimet e një shoqërie ku nuk ka shfrytëzim të njeriut nga njeriu; që mbështetet në mirëkuptimin, në nderimin, në dashurinë dhe në ndihmën për njëri-tjetrin; mendon, gjykon e vepron në përputhje me të vërtetën, që nuk i mban anën askujt; që flet hapur, pa fshehur gjë e pa bërë dredhi; i çiltër; i ndershëm; mbron të vërtetën, drejtësinë, lirinë, përparimin, të mirën kundër së keqes; që nuk ka gabime e shtrembërime; që çdo gjë bëhet sipas rregullave e ligjeve; ja pra kjo është një vendimmarrje e arsyeshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.