Në fokus

April 27, 2016 | 8:15

Gjovalin Paci: Kur na shihnin me përçmim për shkak të prejardhjes

Gjovalin Paci, 52 vjeç, piktor i lindur në Razëm, me origjinë të largët nga Pacët e Firences

Gjovalin Paci,
52 vjeç,
piktor i lindur
në Razëm,
me origjinë
të largët
nga Pacët e
Firences

Më ka shqetësuar origjina në atë pikë kur paragjykohesha se ishim borgjezë. Të afërmit e nënës sime jetonin në Paris dhe ata na dërgonin vazhdimisht pako me ushqime apo veshje. Pra nuk ishte kjo ajo prej të cilës kemi vuajtur. Shpirtërisht, familja Paci ka vuajtur më tepër shtypjen. Të tjerët të shihnin me një lloj përçmimi. Jetonim në një zonë të thellë ku mund të mësoje veç shkrim e këndim dhe asgjë tjetër. Informacioni ishte i pakët. Për atë që na shihnin, na trajtonin si të huaj. Na përflisnin, deri diku dhe ofendonin, sikur kishim bërë ndonjë mëkat. Kam qenë i mënjanuar nga brezi im. Nuk kisha shoqërinë që duhej. Isha si i vetëm. Kjo periudhë më përndoqi deri në periudhën e adoleshencës, kur për fatin tonë të mirë u shpërngulëm në Shkodër.

Dëshmia “Jam me fat që kam lindur në Razëm, në zonën e Shkrelit. Familja ime ka qenë në gjendje mjaft të mirë ekonomike për kohën. Por fati që duhej të shpërnguleshim nga Firence, në Shkodër e më pas në Razëm, ka bërë që të ndihej shumë ndryshimi. Për shkak të asaj që ishim, shiheshim me përbuzje nga të tjerët, dhe kjo më ka bërë të ndihem keq. Më ka shqetësuar origjina në atë pikë kur paragjykohesha se ishim borgjezë. Të afërmit e nënës time jetonin në Paris dhe ata na dërgonin vazhdimisht pako me ushqime apo veshje. Pra nuk ishte kjo ajo prej të cilës kemi vuajtur. Shpirtërisht, familja Paci ka vuajtur më tepër shtypjen. Mungonte pjesa njerëzore, ku të tjerët të shihnin me një lloj përçmimi. Jetonim në një zonë të thellë ku mund të mësoje veç shkrim e këndim dhe asgjë tjetër. Informacioni ishte i pakët. Për atë që na shihnin na trajtonin si të huaj. Na përflisnin, deri diku dhe ofendonin sikur kishim bërë ndonjë mëkat. Kam qenë i mënjanuar nga brezi im. Nuk kisha shoqërinë që duhej. Isha si i vetëm. Kjo periudhë më përndoqi deri në periudhën e adoleshencës, kur për fatin tonë të mirë u shpërngulëm në Shkodër. Ky ishte një kapërcim pozitiv pasi falë lidhjeve të gjyshit me familjet aristokrate të këtij qyteti munda të zbuloj vetveten. Të afërmit e mi patën forcën për të mbijetuar. Na rritën me ndjenjën e humanizmit, vlerësimit dhe kulturës shkollore. Nuk ma ka ushqyer kush hakmarrjen, ndaj për këtë u jam mirënjohës, jo vetëm unë, por edhe bijtë e brezit të ri të trungut tonë familjar”.

Pak histori

Pacët morën rrugën për të ikur larg, shumë larg, aty ku shpata nuk arrinte dot, por as plumbi s’mundej që t’i gjente. Hasmi kishte qenë fare pranë. Nuk kishin kësulë e as xhubletë, madje nuk ishin as malësorë të krisur, por pinjollë të një prej dyerve më të mëdha të veriut të Italisë. Pacët papritur ishin futur në gjak me Mediçët. Historia, në plan të parë kaq e madhe, ishte shndërruar në një hakmarrje mesjetare. Janë vitet 1700 dhe Evropa ende nuk kishte kufij. Në Apenine e Iberik latinët vazhdonin të ishin zot në tokat e tyre, por Ballkani sundohej nga jeniçerët e Portës së Lartë. E megjithatë Shqipëria dukej një vend ideal nga ku mund t’i shpëtoje çdo lloj represioni.

Ndikimi

Dhimbjen midis andrrës dhe zhgjandrrës, siç e quan Gjovalini realitetin e viteve të komunizmit, prindërit e tij ia edukuan në një mënyrë tjetër. Në terrenin e vështirë të Razmës, që sot është një nga pikat e bukura turistike, ata i mësuan artin që një fëmijë mund të krijonte prej gurit, drurit, baltës dhe thëngjillit. “Vij prej një vendi që është shumë i bukur, ku kam kaluar një pjesë të jetës. Atje kushdo që të shkojë, e që merret me art, ka se çfarë të krijojë. Në Razëm kam përjetuar të gjitha gojëdhënat, fantazitë, peripecitë e familjes. Jam ngarkuar me ato pjesë negative dhe pozitive që më vonë kanë ndikuar për mirë tek unë. Kam pasur një gjyshe që vdiq shumë e vjetër dhe ajo tregonte histori nga më të çuditshmet për familjen, njerëzit, për vendin ku jetonim, për kuçedra, përbindësha, gjarpërinj me dy koka. Kjo tek unë ka ndikuar edhe në pikturë, tek jeta apo vazhdimësia e formimit tim personal. Këto detaje janë përfshirë në pikturat e mia, herë si simbol, herë si elemente përbërës. Janë ato simbole që i kam dëgjuar, i kam perceptuar dhe vazhdoj t’i perceptoj. Krijimtaria ime është pothuajse më tepër e kaluara se e ardhmja personale. Vetë piktura ka një strukturë të atillë ku gjendet mes tokës dhe qiellit. Formohen tre dimensione iluzive. Nuk ekziston figura as në tokë dhe as në qiell por diku midis të dyjave. Është imagjinata që ka mbetur brenda meje si strukturë e pandërtuar as në tokë dhe as në hapësirë. Ajo qëndron e ftohtë në një zonë të tokës ku është e vështirë ta prekësh”.

Përndjekja

Ajo që ka mësuar nga e shkuara është vërtet një kalvar vuajtjesh dhe përndjekjesh. Por siç thotë Gjovalini, familja Paci diti të ruante marrëdhënien me atë pjesë qytetare shkodrane prej së cilës nuk humbën ekuilibrin, por transmetuan tek pasardhësit e tyre ndjenjën e vetëvlerësimit dhe të të jetuarit. “Për fat të keq familja përsëri pas çlirimit pësoi peripeci të tjera. Daja i babait tim ka qenë oficer i ushtrisë së Zogut. Ai vjen e strehohet në ikje e sipër nga ndjekja e komunizmit. Qëndron i fshehur një kohë të gjatë në një varr, ku gjyshja e mbante me ushqim dhe gjëja më interesante dhe më e bukur ishte se nëna ecte me orë të tëra për t’i çuar bukën në një shpellë ku daja fshihej, ndërsa këpucët i vishte mbrapsht për të fshehur gjurmët. Ai vdes në mal i ngrirë. E gjejnë dhe me makabritet i marrin vetëm kokën e ia sjellin në Shkodër ku dhe është rivarrosur pa trup. Na dogjën shtëpitë, u persekutuam, e kaluam një sërë vështirësish”.

Epilogu

Era e ndryshimit do të vinte më vonë për familjen Paci. Ata do të shpërnguleshin në Shkodër ku për fat të miqësisë së vjetër me familjet aristokrate shkodrane, vetë Gjovalini thotë se do të zgjeronte dijet. “Miqësia e gjyshit veproi. U lidha me familjet e njohura e me vlera të Shkodrës ku gjeja piano, libra, kitara. Nga mungesa totale e një kulture përveç shkrim e këndim ndryshoi fati im. Është një pjesë shumë e rëndësishme ardhja në Shkodër. U ndjeva mirë pasi fitova ato që kam arritur sot”.

Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top