Mirëqenie

December 25, 2019 | 8:16

“Gjuha” e dhuratave

Të bësh dhurata është një veprim social dhe si i tillë është i veshur me aspekte psikologjike dhe udhëhiqet nga rregulla shoqërore që klasifikojnë marrëdhëniet. Dhurata është një mesazh personal, me të cilin manifestojmë aspekte të personalitetit.

Më thuaj çfarë dhurate bën, të të them se cili je

Natyra e saj na lejon të dallojmë disa rituale, si tek ai që bën dhuratën, si tek personi që e merr atë. Psikologët, gjatë disa dekadash studimesh kanë dalluar pesë tipa dhuruesish…

Dhuruesi i sigurt | E përdor dhuratën për t’u kënaqur vetë dhe për të kënaqur personin që e merr atë. Merr dhe bën dhurata me kënaqësi, si formë e dhënies së dashurisë. Dëshiron që dhurata të thotë diçka për veten dhe e zgjedh për vlerën e saj afektive dhe jo për atë ekonomike. Ka parasysh dëshirat e tjetrit dhe përvojat që kanë ndarë së bashku, dhe njëkohësisht, mundohet të vërë ‘vulën’ e stilit të vet në zgjedhjen që bën. Shfaq gëzim kur merr një dhuratë, si shenjë e lidhjes së fortë që ka me të tjerët.

Dhuruesi agresiv, narcist | I përjeton dhuratat me bezdi. Është i etur për admirim dhe mirënjohje, por nuk e pranon se ka nevojë për të tjerët. Për këtë arsye nuk i pëlqen të marrë dhurata dhe të falënderojë dhuruesin, në mënyrë që të mos ndihet i varur nga të tjerët. Kur bën një dhuratë, vë në punë një lloj joshjeje manipuluese për të fituar sa më shumë admirues. Në zgjedhjen e një dhurate përqendrohet te fuqia dhe kënaqësia e egocentrizmit të vet, në vet që të mendojë për personin që do i bëjë një dhuratë dhe për shijet që ai ka. I përdor dhuratat për të kontrolluar ose për të nënshtruar të tjerët.

Dhuruesi pasiv | E përjeton me stres zgjedhjen e një dhurate dhe ankohet pa fund. Bën dhurata, sepse i druhet zakoneve, normave shoqërore dhe gjykimit të të tjerëve. Është i pavendosur në zgjedhjen e tij dhe ndihet në faj nëse nuk arrin të gjejë dhuratën në vlerën e duhur. Ndonjëherë zgjedh dhurata të shtrenjta për të kompensuar frikën se mos njerëzit nuk i pëlqejnë ato. Shpesh mbetet i zhgënjyer kur merr dhurata, sepse pritshmëritë e tij janë shumë të larta, njësoj si frika se të tjerët nuk e duan mjaftueshëm.

Dhuruesi i tepruar | Ka nevojë për konsensus e dashuri dhe i përdor dhuratat në mënyrë të ekzagjeruar për të përmbushur ndjenjën e boshllëkut dhe duke garantuar vëmendjen e të tjerëve. Plotëson me dhurata mungesën e suksesit dhe të realizimit në jetë. I përdor dhuratat për të qenë në qendër të vëmendjes, për të marrë interesin dhe dashurinë e të tjerëve. Kërkon dashuri dhe pranim. Kur kjo nevojë është e frustruar, ai shpreh zhgënjim. I pëlqen më shumë të bëjë dhurata se sa të marrë.

Dhuruesi i matur | I kursyer dhe i vëmendshëm ndaj shpenzimeve, nuk i pëlqen dhuratat dhe mundohet t’i evitojë ato. Nuk i pëlqen as të bëjë dhe as të marrë dhurata (nga frika se mos është i detyruar të kthejë ‘qokën’). Nuk i pëlqen të ndahet nga objektet. I fshihet ndjenjave dhe nuk lejon që të përfshihet nga dashuria e të tjerëve, kundrejt të cilëve qëndron gjithmonë i ftohtë. Kur është i detyruar të bëjë një dhuratë, mundohet gjithmonë të gjejë objekte të nevojshme dhe jo personale, pa futur në zgjedhjen e tij asnjë lloj ndjenje.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 138

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top