FB

January 29, 2026 | 10:00

Gjyshërit nuk janë shërbëtorë

Është bërë thuajse normale, dhe pikërisht kjo e bën më të dhimbshme, të shohësh një brez që harron rrënjët. Një brez që harron ata që i rritën, i edukuan dhe i mbajtën mbi supe për vite me radhë, me dashuri dhe sakrificë.Në shumë familje, gjyshi dhe gjyshja janë shndërruar në pjesë të padukshme të shtëpisë.

adelina-pali

Janë gjithmonë aty, gjithmonë në dispozicion, të dobishëm sa herë që dikujt i duhet diçka. Jo si njerëz me nevoja, lodhje dhe dëshira, por si burim shërbimi pa afat.
Prindërit trajtohen si aplikacione ndihme. Një telefonatë dhe gjithçka rregullohet. Të mbajnë fëmijët, të bëjnë pazarin, të pastrojnë shtëpinë, të përballojnë lodhjen dhe kapriçot e të tjerëve. Pa u pyetur asnjëherë si ndihen, sa munden, apo nëse duan.Prindërit nuk janë dado pa orar. Nuk janë taksi personale. Nuk janë robotë që nuk lodhen kurrë. Janë njerëz. Kanë kaluar një jetë duke sakrifikuar për fëmijët e tyre dhe nuk kanë asnjë borxh të nisin një turn të dytë jetese vetëm sepse dikush nuk dëshiron të heqë dorë nga rehatia personale.Dëgjohet shpesh fraza: “Po shkoj me pushime, por do t’i marr edhe prindërit me vete, se ndryshe nuk pushoj dot me fëmijët.” Si të ishin pengesë për pushimin, e jo njerëz që kanë nevojë për qetësi dhe çlodhje.Pse nuk thuhet ndryshe. “Po i marr me vete që të pushojnë pak, sepse gjatë gjithë vitit lodhen me nipërit dhe mbesat.”

gjysherit

A nuk mjafton që kujdesen për fëmijët, mbajnë shtëpitë dhe ndihmojnë për çdo hall. Nuk është turp të marrësh ndihmë nga prindërit. Turp është t’i shfrytëzosh. Fyerje është ta trajtosh nënën si roje fëmijësh dhe babain si shofer personal. T’i ngarkosh pa pyetur, t’i lodhësh pa ndalur dhe ta quash këtë normalitet.Gjyshërit duhet të shijojnë nipërit dhe mbesat, jo t’i rrisin si prindër të dytë. Jo si roje turni. Jo si barrë që u hidhet mbi supe.

Kujt ia lë fëmijën gjithë ditën? Gjyshit që mezi ecën? Gjyshes që mezi merr frymë nga lodhja? Dhe të gjitha këto shoqërohen me një buzëqeshje të rreme, sikur gjithçka është në rregull.Po pse nuk thuhet hapur. “Po shkoj të pushoj dhe po i marr prindërit si shërbëtorë.” Tingëllon rëndë, sepse është e padrejtë. Pushimi nuk është kamp pune për të tjerët. Për disa, gjyshërit janë të vlefshëm vetëm kur duhen për punë. Kanë dhënë jetën për fëmijët e tyre dhe në këmbim marrin një turn të dytë lodhjeje në shtëpinë e tyre.

Mos e quaj ndihmë atë që është shfrytëzim. Edhe kafsha lodhet dhe pushon. Gjyshi yt jo. Ka prindër që punojnë dhjetë apo dymbëdhjetë orë në ditë dhe rrisin fëmijët bashkë, pa ndihmën e askujt. Ia dalin jo sepse është e lehtë, por sepse është përgjegjësi. Ndërsa të tjerë, me dy rroga, dy gjyshër dhe gjithë lehtësitë, sërish ankohen.

Lërini të marrin frymë!

Të shijojnë vitet që u kanë mbetur me qetësi, jo me lodhje. Dashuria për nipërit dhe mbesat është bekim, por jo kur shndërrohet në detyrim dhe listë detyrash.Mos bëj fëmijë nëse nuk je gati të japësh kohë, gjumë dhe përkushtim.
Fëmijët nuk janë dekor për rrjetet sociale. Janë jetë dhe kërkojnë prindërit e tyre, jo gjyshërit. Sepse një ditë, do të jesh ti në vendin e tyre. Dhe kur të trajtohesh vetëm si ndihmës shtëpiak me flokë të bardhë, mos thuaj se nuk të paralajmëroi jeta. Ajo gjithmonë kthen atë që i jep.
Mos e përdor prindin si karrocë për fëmijët! Sepse kur të kesh nevojë për një krah, ai mund të mos jetë më.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top