Me 20 vende anëtare, duke përfshirë skuadrat e tyre të përbërë nga 30 deri në 200 persona, Konfederata ofron një arenë për shkëmbimin e ideve, trajnimit profesional dhe promovimit të vlerave kulturore.
Nxitja e Progresit në Modën dhe Estetikën Globale
Në një botë ku bashkohen ngjyrat, stili dhe traditat, Konfederata Botërore Beauty Global Fashion Progress shquhet si një burim frymëzimi dhe zhvillimi për profesionistët në industrinë e bukurisë dhe modës. Me 20 vende anëtare, duke përfshirë skuadrat e tyre të përbërë nga 30 deri në 200 persona, Konfederata ofron një arenë për shkëmbimin e ideve, trajnimit profesional dhe promovimit të vlerave kulturore. Përmes konkurseve, kurseve të specializuara dhe aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare,
Konfederata nxit aftësitë dhe kreativitetin e profesionistëve të rinj në fushën e modës dhe estetikës. Pjesë e misionit të saj është të forcojë vetëdijen dhe aftësitë profesionale dhe personale të të rinjve, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë potencialet e tyre. Në bashkëpunim me shkollat dhe akademitë evropiane të modës dhe estetikës, Konfederata siguron një platformë për trajnimin e ardhshëm të talentit në industrinë e bukurisë. Po ashtu, me mbështetjen e firmave botërore të kozmetikës dhe estetikës, Konfederata krijon mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim në nivel global. Konfederata
Botërore Global Fashion Progress është Konfederata numër 1 në botë në industrinë Beauty dhe Fashion. Ajo ka një bord drejtues dhe çdo vend ka një President dhe skuadrën e tij të të anëtarësuarve. E veçanta është se Shqipëria drejton këtë Konfederatë përfaqësuar me Presidenten, Lidiana Koçkiçi.
Objektivat e Global Fashion Progress
1.Të promovojë inovacionin dhe kreativitetin në industri.
2.Të ofrojë një platformë për ndarjen e njohurive dhe eksperiencave mes profesionistëve të fushës.
3.Të inkurajojë bashkëpunimin ndërkombëtar mes dizajnerëve, stilistëve, make-up artistëve dhe profesionistëve të
tjerë të industrisë.
4.Të adresojë çështjet e qëndrueshmërisë dhe impaktin e industrisë së modës në
mjedis.
5.Të ofrojë mundësi për rritjen personale dhe profesionale të pjesëmarrësve duke sjellë trajnime, seminare dhe prezantime
nga ekspertë të fushës.
Çfarë është Global Fashion Progress?
Global Fashion Progress (GFP) është Konfederata Botërore e Fushës Beauty dhe Fashion ku janë pjesë të gjithë
profesionistët nga mbarë bota që punojnë në industrinë e Bukurisë dhe të Modës. GFP është Markë e regjistruar në Shqipëri
4 vite më parë, por me një shpejtësi rekord, gati të pabesueshme, ka hyrë në zemrat dhe në projektet e mijëra njerëzve
jo vetëm atyre që punojnë në këtë fushë, por edhe atyre që e duan të bukurën në të gjitha dimensionet e saj.
Si u bë Shqipëria pjesë e kësaj konfederate?
Duke qenë pjesë e një Konfederate Botërore më parë, mësova dhe pashë se si funksion një Konfederatë Beauty. Meqë pashë që aty nuk i jepej shumë mundësi që anëtarët e saj të promovoheshin e të rriteshin nga ana profesionale, mendova që të ketë një Konfederatë që ka në qendër të saj profesionistin dhe që ka për detyrim ta promovojë, zhvillojë e frymezojë drejt suksesit të garantuar, si dhe të kishte një të ardhme gjithashtu të sigurtë dhe me një shtrirje të gjerë, siç është tanimë, Botërore. Dhe nuk po gaboja.
Si funksionon organizimi i konfederatës botërore të modës dhe bukurisë?
Konfederata ka bordin drejtues. Zv President GFP është italiani Giuseppe Vinacci, një profesionist i vërtetë dhe një lider i padiskutueshëm. President GFP Itali Giovanni Cerino. Ndërsa Sekretare e Përgjithshme Botërore Shqiptarja Blerta Kasalla, një super profesioniste dhe menaxhere. Por veç kësaj, çdo vend ka Presidentin dhe Drejtorët e Përgjithshëm sipas fushave përkatëse parukerisë për femra, meshkuj, make up, nails etj.
Sa shtete janë pjesë të GFP dhe kush mund të bëhet pjesë e seminareve apo konferencave që ajo organizon?
Janë mbi 20 shtete anëtare. Organizohen evente Open Days, Master Class, përgatitet nga Bordi drejtues një program
1-vjeçar paraprirës, ku caktohet axhenda për të gjitha eventet dhe aktivitetet. Duke u miratuar me shumicë votash nga bordi i Presidentëve dhe bordi drejtues.
Cili ishte eventi më i fundit që mbajtët në Shqipëri dhe risitë në që u sollën?
Eventi i fundit u mbajt në Shkurt në Hilton GardenInn Tirana me një pjesëmarrje të gjerë nga e gjithë bota, me gara dhe show nga të gjitha fushat Beauty, me pjesëmarrje të firmave ose brandeve më të mira kozmetike në treg, si ato italiane por jo vetëm, me pjesëmarrje të akademive profesionale nga vende të ndryshme të botës, duke mos harruar se fokusi ynë është edhe promovimi dhe mbështetja e të rinjve në rrugën e vështirë drejt suksesit. Ky event Ndërkombëtar quhet International Cup 24 dhe mbahet tashmë si traditë në Shqipëri për dy ditë, nga mëngjesi deri në darkë.
A jemi ne si vend në një paralele standardesh bukurie apo mode me çfarë ofron bota e përparuar?
Ne jemi një vend me profesionistë që kanë guximin dhe po përballen me dinjitet e profesionalizëm me kolegët e tyre nga
e gjithë bota, dhe kjo sinqerisht më bën krenare.
Takimi i fundit kur do të mbahet dhe si bëhet përzgjedhja e vendit mikpritës?
Takim i ardhshëm do jetë GFP World Championship dhe do mbahet në Gjermani. Zgjedhja e vendeve bëhet me short, por gjithmonë duke i dhënë hapësirë çdo vendi të jetë pritës dhe organizator i një Eventi Ndërkombëtar ose Botëror. Në datë 3 deri më 6 tetor.
Cilat janë vështirësitë e mbajtjes së eventeve të tilla, çfarë do të propozonit ndryshe?
Një vështirësi është menaxhimi i një numri shumë të madh të njerëzve, pasi pjesëmarrja është vërtetë shumë e madhe, gjithashtu amplifikohet adrenalina e garës, emocioni, besimi në vetvete dhe pa dyshim dashuria për këtë zanat. Dhe kur lexon në sytë e njerëzve emocionet që unë përshkrova më lart, bëjnë që vështirësitë të zerohen.
Çfarë ju dallon përtej profesionalizmit?
Në të gjithë aktivitetet tona mundohemi të vëmë në qendër pikën më të dobët të shoqërisë shqiptare, vajzat dhe gratë, duke i frymëzuar, motivuar dhe drejtuar drejt një të ardhmeje të suksseshme siç mund të jetë profesioni. Shumë shpesh eventet tona përcjellin mesazhe të forta ndërgjegjësimi siç janë “Jo dhunës ndaj vajzave dhe grave”, sensibilizimi dhe ndjeshmëria ndaj fëmijëve ndryshe e shumë mesazhe të tjera pro një shoqërie më të emancipuar dhe më solide. Si pjesë e GFP janë gjigantët e Kozmetologjisë në Botë ku shpesh bëhen dhe sponsorë të eventeve ose aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Akademitë më të miraBeauty ku organizohen shpesh lehtësira ose shkëmbim eksperiencash kulturore dhe profesionale.
Ndalemi në një figurë për të cilin ju shprehni konsideratë, njeriu që ju ka përkrahur në të qenit pjesë e GFP, një mision në emër të bukurisë. …
Doja të bëja në fund një falenderim nga thellësia e zemrës për bashkëshortin, Indrit Kockici pa mbështetjen e të cilit GFP mbase nuk do eksistonte. Djalin tim, Haris, që e dua shumë e më bën çdo ditë krenare dhe vajzën time të vogël ose “shoqen time të ngushtë” Sheila.
***
Projekti “VET për Ballkanin Perëndimor” VET4WB
(Arsimi Profesional për vendet e Ballkanit Perëndimor)
Projekti “VET për Ballkanin Perëndimor” synon të kontribuojë në përmirësimin dhe modernizimin e sistemeve të arsimit profesional në katër vende partnere në Ballkanin Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë, dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet VET dhe tregut të punës. Grupi i synuar: Partnerët ballkanikë të përfshirë në projekt, ofrues të tjerë të VET në vendet në fjalë, bizneset, organizatat e biznesit, shkollat fillore, nxënësit dhe prindërit e tyre dhe ministritë përkatëse në vendet në fjalë. Rezultatet: Programet e shkëmbimit ndërmjet vendeve të programit Erasmus+ dhe Ballkanit Perëndimor, Njohuritë, Aftësitë Teknike dhe Pedagogjike të Mësuesve të VET-së që do të përmirësohen, Njohuritë e stafit drejtues të VET që do të përmirësohen, Aftësitë Transversale, Gjenerike dhe Specifike të nxënësve për t’u përmirësuar. Kategoritë e lëndëve: pedagogjia dhe didaktika në edukimin e vet, udhëzim për udhëheqjen e vet, rritja e aftësive të transversalit, të përgjithshme dhe lëndëve specifike të studentit, këshillimi dhe mentorimi në edukim.
***
Giuseppe Vinacci, stilist, zëvendëspresident i GFP
Pasioni për profesionin është çelësi i suksesit!
Në botën e modës, emri i Giuseppe Vinacci është një shembull frymëzues i arritjeve personale dhe profesionalizmit. Nisur nga pasioni i hershëm për prerjen dhe kurimin estetik të flokëve, ai ka shkëlqyer në të gjitha etapat e edukimit të tij akademik, duke treguar një vullnet të pashoq për të arritur suksesin, dhe një vizion të qartë për të shkëlqyer në çdo aspekt të karrierës së tij. Giuseppe Vinacci hyri në botën e parukerisë kur ishte vetëm 12-vjeç. Filloi të punonte së pari si ndihmës, duke kuptuar që në hapat e parë se flokët ishin pasioni i tij.
Vinacci studioi në akademitë më të mira për të arritur qëllimet e tij dhe aty u dallua menjëherë për aftësitë e tij artistike dhe stilistike. Kjo e bëri të ndërtoi emrin e tij në skenën e modës italiane por jo vetëm. Pas disa vitesh ai mori pjesë në konkurse ku u dallua ndër vendet e para, duke përfshirë vendin e 1-rë në kampionatin italian 2014 dhe vendin e 1-rë në Bullgari. Kombëtarja italiane zuri gjithashtu vendin e 1-rë në Gjermani në fushën e bukurisë.
Ndaj një karriere gjithnjë në zhvillim, pas shumë sakrificash, Giuseppe Vinacci u bë trajner në 2007 në Itali dhe jashtë saj dhe sot është një stilist i njohur dhe i vlerësuar dhe mban rolin e zëvendëspresidentit global të GFP.
Ai ka gjithashtu dhe sallonin e tij të bukurisë në Napoli të Italisë, duke mbajtur flamurin e stilit dhe elegancës së vërtetë të modës italiane të bukurisë. Suksesi për Giuseppe Vinacci nuk është vetëm përmbushja e ëndrrave personale, por edhe një angazhim për të frymëzuar të tjerët dhe për të kontribuar në zhvillimin e një botë të më shumë bukurisë dhe elegancës.
***
Dëshmi suksesi të GFP në arsimin profesional
Imagjinoni një botë të mbushur me mundësi, ku talenti juaj nuk është vetëm një ëndërr, por një udhëtim që e bën realitet. Secili prej nesh ka një dhunti unike, një aftësi që pret të zbulohet dhe të zhvillohet. Por si ta gjeni rrugën drejt suksesit, të bëheni një gjeni dhe të shpërfaqni talentin e vërtetë? Pavarësisht çfarë jeni Global Fashion Progress ka burimet dhe ekspertizën për të ndihmuar talentin tuaj të shkëlqejë. Nëpërmjet programeve inovative, projekteve praktike dhe bashkëpunimit me homologë të fushës, ju ofron mjedisin dhe platformën për të zhvilluar aftësitë tuaja në nivelin më të lartë. Pikërisht ashtu siç ka ndodhur dhe me dëshmitë që ju ftojmë t’i lexoni në radhët më poshtë, të reja që kanë përfituar duke u bërë pjesë e tregut të punës menjëherë.
Klaudia Brahimaj
Quhem Klaudia Brahimaj, jam nxënëse në vitin e parë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” dhe jam në degën Hoteleri-Turizëm. Për mua ka qenë hera ime e parë që kam vizituar Spanjën dhe vendi atje më ka pëlqyer jashtëzakonisht. Ndodhesha në San Sebastian dhe vura re që vendi aty kishte një histori shumë interesante. Shkova në shkollën Cebank për një muaj të tërë dhe mësova teknika të ndryshme në lidhje me kuzhinën si dhe mësova pak nga gjuha spanjolle. Mësova receta të ndryshme ku njëra ndër më të preferuarat e mia është Tortillas Patatas. Si mësuesit po ashtu dhe nxënësit atje ishin miqësorë dhe ia kam dalë mbanë duke komunikuar anglisht me ta. Më pëlqeu mënyra se si nxënësit e krahasonin njëri-tjetrin të barabartë dhe punonin në grup më së miri. Me pak fjalë, eksperienca në Spanjë ka qenë e jashtëzakonshme dhe i jam mirënjohëse shkollës “Hamdi Bushati” që më ofruan këtë mundësi.
Adriana Nikolli
“Mundësitë nuk ndodhin, ne i krijojmë” (Chris Grosser). Jam Adriana Nikolli dhe kjo është motoja ime. Studioj në Shkollën e Mesme Profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë. Jam nxënëse e vitit të dytë në degën “Hoteleri-Turizëm”. Mua më pëlqen kuzhina dhe gatimi. Ndoshta ky pasion ka qenë shtysë që të vazhdoj studimet në këtë shkollë. Gjatë promovimit të shkollës “Kolin Gjoka”kur unë isha në klasën e 9-të, vura re mënyrën e prezantimit dhe entuziazmin që nxënësit pasqyronin, në sytë e tyre dallohej qartë synimi që i kishin vendosur vetes: Realizimin e ëndrrave. Kjo më mjaftoi që edhe unë të bëhesha pjesë e kësaj shkolle dhe të nisja rrugëtimin tim. Fillimisht në vit të parë nisa praktikat tek një restorant në Lezhë i quajtur “Lala Nu” dhe më pas tek “Detari”. Aty hodha hapat e parë drejt artit të kuzhinës dhe kjo falë mundësisë që më dha kjo shkollë. Ditët në vijim, vitin e dytë, e ndjej veten më të integruar, më të përfshirë dhe më të arrirë. Kjo në sajë të mbështetjes së mësuesve, ambienteve, kushteve komode, atmosferës, komfortit dhe suportit në shkollë dhe në biznese tek të cilat kryejmë praktikat. Aktualisht unë zhvilloj praktikat në restorant “Frojdi” në Shëngjin ku përveç kuzhinës dhe gatimit aty përfshihen edhe profile të tjera të tjera si: shërbim dhe lavanderi. Shkolla ku vazhdoj studimet më bën të ndjehem shumë mirë sepse më jep mundësinë të praktikohem në profesionin dhe pasionin tim, si dhe më ndihmon që të jem një hap përpara për të dalë e përgatitur në tregun e punës, gjë që do të sillte një të ardhme të shkëlqyer për mua.
Suksesi u shkon atyre që janë duke e kërkuar, prandaj ndiqni ëndrrat tuaja dhe bëni zgjedhje të duhura në jetë! Unë e bëra timen, po ju çfarë prisni?
Zjana Malaj
Quhem Zjana Malaj dhe kjo është historia ime. Kam lindur në qytetin e Fierit dhe që e vogël pasioni im ishte gjithçka që lidhej me estetikën dhe kozmetologjinë dhe për këtë arsye vendosa të vazhdoja studimet e mia në fushën e Estetikës së Avancuar në Tiranë pranë Qendrës Multifunksionale “Neë Generation”. Nëpërmjet Zyrës së Punësimit të Neë Generation, ende pa përfunduar vitin e parë të studimeve, u punësova në një prej klinikave estetike më të mirënjohura në Tiranë ku edhe sot vazhdoj të jem pjesë integrale e stafit. Përveç Dokumentit të Akredituar dhe të njohur në gjithë Europën që mundëson shkolla, jam kandidate për t’u pajisur në Korrik 2024, edhe me Diplomën Ndërkombëtare CIDESCO në “Beauty Therapy”. E dashuroj këtë profesion dhe nuk rresht duke u pajisur me njohuri të reja teoriko-praktike dhe inovacione në teknologji dhe shërbime! Edhe pse në fillimet e karrierës sime, ndihem e plotësuar shpirtërisht dhe e pavarur financiarisht! Çfarë mund të kërkoj më shumë nga jeta?!
Silvio Dedgjonaj
Unë jam Silvio Dedgjonaj dhe jam 18 vjeç. Kam lindur në Lezhë dhe jetoj në Lezhë. Studioj në shkollën Profesionale “Kolin Gjoka” në drejtimin TIK dhe jam në vitin e tretë. Për t’u regjistruar në shkollë profesionale më kanë këshilluar prindërit, por edhe vetë e kisha me dëshirë Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. Unë e dua shumë punën dhe këtë e vërteton më së miri edhe fakti që kam filluar të punoj me orar të reduktuar që kur isha në klasë të 9- të. Pas fillimit të shkollës së mesme, ishte shkolla që na mundësoj zhvillimin e Praktikës Profesionale në bizneset e Lezhës. Gjatë vitit të parë dhe të dytë Praktikën Profesionale e zhvillova në një biznes në fushën e reklamave në Lezhë ku dhe punoja gjatë fundjavave ndërsa gjatë pushimeve të Verës punoja deri 6 orë në ditë.
Gjatë kësaj kohe kam zhvilluar edhe disa trajnime dhe konkurse. Përsa i përket certifikimeve kam marrë pjesë në shumë aktivitete të ndryshme, trajnime e konkurse. Që në 9-vjeçare kam marrë pjesë në konkurse në rang lokal por jo vetëm, pasi kam marrë pjesë dhe në konkurse kombëtare. Përsa i përket rangut lokal në 9-vjeçare kam fituar një konkurs rreth ideve inovative të biznesit në qarkun e Lezhës, por jo vetëm kaq pasi kam zënë dhe vendin e dytë ne rang kombëtar ne Olimpiadën e Edukimit Fizik. Në 9 vjeçare nuk kam pasur shumë aktivitete të ndryshme, por nga momenti që kam hyrë në shkollë të mesme jam angazhuar ne shume aktivitete të ndryshme, ku kam marrë pjesë në trajnime për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, me Kryqin e Kuq, me trajnime për komunikim, biznes, krijimin e ideve inovative etj. Kam zënë vendin e dytë në një konkurs për ide inovative të teknologjisë ku kemi konkuruar me nxënës të Universiteteve, kemi zënë vend të 10 në rang kombëtar me Kryqin e Kuq, jam çertifikuar nga Kryetari i Bashkisë së Lezhës për rezultate te larta në mësime, jam çertifikuar në trajnime për menaxhimin e biznesit dhe situatave të ndryshme që mund të ndodhin, jam çertifikuar në lidhje me BE dhe si të jemi qytetarë të denjë për t’u futur në BE, jam çertifikuar në kursin e programimit, jam çertifikuar për gjuhën italiane jam çertifikuar në kursin e Turizmit me çertifikate italiane etj.
Duke ua shtuar certifikimeve që kam marrë, kam marrë pjesë në shumë aktivitete të ndryshme të cilat për moshatarët e mi të tjerë mund te jenë shumë. Kur fillova vitin e tretë, duke besuar në aftësitë e mia profesionale tashmë të fituara në shkollë dhe në biznes, vendosa të çel një biznes që përfshihet në fushën e reklamave, ku unë bëj reklama të ndryshme per klientët e mi lokal, ku numëroj shumë klientë të kënaqur. Po ashtu shisja online, ndërkohë që vazhdoja të bëja Praktikë Profesionale në një tjetër biznes dy ditë në javë, i cili edhe më paguante kënaqshëm, mirëpo dëshira e madhe që kam për të patur një punë timen të mirëfilltë, por edhe pasioni dhe eksperienca në fushën e dizajnit, më shtynë drejt hapjes së biznesit tim për të punuar për klientët në Lezhë dhe Shëngjin dhe nga dita në ditë më shtohet puna, saqë kam filluar të marr në punë me orar të shkurtër edhe shokë të klasës. Nuk ja dal ti pranoj të gjitha kërkesat që më vijnë, sepse jam edhe në shkollë dhe nuk dua të mbetem pas, se deri tani edhe në shkollë jam me rezultate të shkëlqyera dhe këto rezultate ja dedikoj familjes, mësuesve të mi, bizneseve ku kam kryer Praktikën dhe ku kam punuar dhe vetes time, sepse jam person me ambicie dhe me vullnet të madh. Dëshiroj të aplikoj në ndonjë projekt që të fitoj ndonjë donacion që t’më ndihmojë të blej makineri të tjera të domosdoshme dhe të marr edhe një dyqan me qira, se profesioni që kam zgjedhur kërkon investim jo të vogël për të konkuruar me tregun.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.