Gruaja lind e lirë dhe gëzon të drejta të barabarta më mashkullin në çdo aspekt.”
– Neni 1 i Deklaratës për të Drejtat e Gruas dhe Qytetares Femër, 1798.
Gratë janë sistem vlerash, që ndikon në strukturën e shoqërisë. Ndarja e popullsisë sipas seksit është e ekuilibruar, femrat zënë rreth 50% të popullsisë edhe përsëri çdo ditë dhunohen, diskriminohen apo shumë herë nuk kuptohen apo paragjykohen edhe nga vetë gratë.
Por vetëm nëpërmjet politikave dhe ndërgjegjësimit të popullsisë duhet të arrihet në një barazi gjinore në të gjitha aspektet, që nga mekanizma ligjorë dhe institucionalë që sigurojnë barazinë gjinore, drejtpeshimi gjinor në vendimmarrje, fuqizimi ekonomik i grave apo dhe reduktimi i dhunës me bazë gjinore etj.
Sfida e të gjithëve qëndron në zbatimin e masave të parashikuara për të pasur një shoqëri ku barazia gjinore respektohet, vlerësohet, mbështetet dhe nxitet, ku barazia në mundësi dhe trajtim është realitet për të gjithë pavarësisht përkatësisë gjinore.
Të gjithëve na lind pyetja çfarë kuptojmë me barazi gjinore?
Barazinë gjinore mund ta përkufizojmë si barazi midis burrave dhe grave në të gjitha sferat, si publike edhe private, barazi gjinore do të thotë akses dhe kontroll i barabartë mbi burimet dhe përfitimet, pjesëmarrje e barabartë në vendimmarrje politike, dhe barazi me ligj për gratë dhe burrat.
Çështjet e barazisë gjinore janë në qendër të politikave sociale të Bashkimit Europian që lidhen që me Traktatin e Romës, viti 1957, një barazi në pagë midis burrave dhe grave dhe deri në ditët e sotme nëpërmjet politikave dhe direktivave të shumta të nxjerra nga Bashkimi Europian dhe institucionet e saja.
Gjithashtu për vendet që janë në proces aderimi në Bashkimin Europian është një kërkesë barazia gjinore, duke u bazuar që nga Kushtetutat e secilit vend, strategjitë kombëtare të barazisë gjinore apo ratifikimi i konventave që lidhen me këtë fenomen global. Çështjet e barazisë gjinore po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për shoqërinë.
Barazia gjinore është pjesëmarrja e barabartë e femrave dhe e meshkujve në të gjitha fushat e jetës, pozita e barabartë ndërmjet tyre, mundësi e shanse të barabarta, për të gëzuar të drejtat dhe për të përmbushur detyrimet në shoqëri, duke përfituar njëlloj nga arritjet e zhvillimit të saj.
Ndonjëherë dhuna psikologjike, fizike në familje apo në marrëdhëniet e punës shumë herë lidhet me fëmijërinë, edhe për fat të keq duhet shumë punë sot nga çdo shtet, qeveri, shoqëri civile, edukim ligjor me qëllim që dhuna të ndalet, pasi një fëmijë i dhunuar nesër bëhet dhunues, një drejtor i dhunuar, i përjashtuar nesër bëhet një dhunues!
Historia na frymëzon sot, me disa gra që konsiderohen si pioniere për të drejtat e grave, të cilat preferuan edhe të vdisnin për idealet e tyre.
Gra që frymëzojnë Gra!
Revolucioni francez, si një ngjarje e rëndësishme historike, paraqet fillimin e përpjekjeve të femrave për t’u njohur në botën e meshkujve si qenie njerëzore të barabarta. Kjo epokë nuk paraqet vetëm fillimin e lëvizjes për të drejta civile dhe politike, por gjithashtu kjo kohë i shtroi rrugën lëvizjes së parë të grave për liri dhe barazi.
Njëra nga shtytëset më të famshme të kësaj lëvizje ishte, Olimp de Guzh (Olympe de Gouges), e cila ka shkruar Deklaratën për të Drejtat e Gruas dhe Qytetares Femër. Ajo, sikurse edhe shumë bashkëmendimtare të saj femra, e kanë paguar me gijotinë përkushtimin e tyre.
Edhe Britania e Madhe ka një traditë të vjetër dhe të fortë të luftës së femrave për të drejta të barabarta. Britania e Madhe shpesh quhet edhe “atdheu i feminizmit”. Qysh në vitet e 1830-ta, gratë britanike filluan të kërkojnë të drejtën e votës. Ato luftuan për më shumë se 70 vite për ndryshimin e këtyre metodave, për të pasur sukses përfundimisht në vitin 1918, kur grave duke filluar në moshën 30 vjeçare iu dha e drejta për të votuar. Fushat e tjera të veprimit të tyre kanë përfshirë qasjen në arsimim, të drejtat e grave të martuara në pronë dhe të drejtën për të mbajtur pozita publike.
Gratë sidomos në Britani të Madhe dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës kanë përdorur edhe metoda radikale, madje edhe greva të urisë.
Partizane e të drejtave të grave në Angli e njohur Emilli Devjison (Emily Davison), gjatë një gare në vitin 1913 zgjodhi vdekjen me qëllim duke e hedhur veten para kalit të Mbretit Xhorxhi i V-të.
Edhe pse gratë që nga fillimi kontribuuan në mënyrë të barabartë evolucionin e sistemit ndërkombëtar politik, ekonomik dhe social, vëmendja ndaj problemeve të tyre ka qenë minimale. Dekada të tëra të verbërisë gjinore në dokumente për të drejtat e njeriut, kanë bërë që edhe njerëzit të verbërohen për këto fakte. Të drejtat fondamentale të më shumë se gjysmës së njerëzimit u harruan, gjë që sjell domosdo deri tek konkluzioni se deri sa shoqëritë nëpër gjithë botën ende nuk janë neutrale ndaj gjinive dhe vazhdojnë të diskriminojnë gratë, nuk mund të ekzistojë neutralitet gjinor në ligje ndërkombëtare dhe vendore.
Pabarazia në shumë fusha të jetës së përditshme, pastaj varfëria në mesin e grave dhe diskriminimi ndaj fëmijëve vajza ishin ato rrethana që shtynë Kombet e Bashkuara që gjatë viteve të 1970-ta, të vendosin për lancimin e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për Gratë: Barazia, Zhvillimi dhe Paqja, nga viti 1976 deri më 1985.
Në vitin 1979, me miratimin e Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW.) Kjo Konventë është instrumenti më i rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave. CEDAW, i cili në vete përmban të drejta civile, politike dhe ekonomike, sociale e kulturore, njohu gratë si qenie të plota njerëzore.
Po sot, a duhet të protestojnë gratë në një botë moderne për të drejtat e tyre?
Unë dua ta mbyll këtë ese me një protestë që më vjen nga shpirti edhe besoj të jetë si një kambanë proteste për çdo grua!
Sot dua të protestoj nëpërmjet këtij shkrimi dhe të gjej forcën të them se “Jemi Gra të Forta”, por patjetër që duhet të ngremë edhe zërin për të drejtat tona!
Të jesh grua edhe kur gratë kanë të drejta, votojnë, përfaqësojnë, janë deputete, ministre, drejtuese, VIP, prapë qenka shumë e vështirë edhe e dini PSE?
“GRATË nuk dinë të jenë sot në shumë situata sidomos në një mentalitet shqiptar, solidare me njëra-tjetrën, ta mbrojnë atë vajzë, grua që dhunohet në rrjetet sociale, në punë, në shtëpi, në rrugë…
Më besoni që shumë herë ajo dhuna psikologjike vret më shumë, sepse një femër e dhunuar, e diskriminuar, do shumë kohë dhe forcë që edhe ajo mos bëhet nesër një dhunuese!
Prandaj të dashura gra dhe vajza, duhet të pranojmë që rruga e së drejtës, e së vërtetës nuk është e lehtë, por çdo rrugëtim fillon nga Ty e dashur GRUA!
Edhe sot pavarësisht dhimbjes që ke në shpirt, vendos të japësh dashuri, respekt në radhë të parë për veten tënde, edhe pastaj për çdo vajzë e grua që ka nevojë për gra të forta, që të jenë model për rrugëtimin e vet!
Sot kemi nevojë të njohim modele grash që kanë frymëzuar edhe do të frymëzojnë çdo grua që ndodhet në udhëkryqet e mendimeve, të ëndrrave, të dëshirave apo që del kundër një mentaliteti që e paragjykon shume here vetëm së është Grua!
GRATË E FORTA JANË MODEL PËR GRA TË TJERA, JO VETËM SOT, POR EDHE NESËR EDHE NË RRJEDHËN E HISTORISË! EDHE TI JE NJË PREJ TYRE DUKE MOS HEQUR DORË NGA RRUGËTIMI YT!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.