Të gjitha kategoritë në rrezik për komplikacione nga gripi stinor duke filluar nga fëmijët, të moshuarit me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, etj., do të bëjnë vaksina falas.
Një fakt i tillë bëhet me dije nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila thekson se do të zgjerojë shërbimin në mënyrë që të përballohet fluksi i pritshëm në këtë periudhë.
Përveç spitaleve, katër qendra shëndetësore në Tiranë do të kalojnë në shërbim 24 orësh, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët do të mund ta marrin shërbimin ditën dhe natën pranë lagjeve të tyre, pa pasur nevojë të shkojnë në spitale.
Përkatësisht:
• Qendra Shëndetësore nr 6 në Kombinat,
• Qendra Shëndetësore nr 7 në Laprakë,
• Qendra Shëndetësore nr 8 në zonën e ish-Bllokut,
• Qendra Shëndetësore nr 10 në zonën e Oxhakut.
Ministria fton qytetarët t’u drejtohen qendrave shëndetësore, duke shmangur vajtjen direkte në QSUT.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjithashtu u bën thirrje qytetarëve të mos i neglizhojnë gjestet parandaluese, duke ndjekur disa këshilla të thjeshta po mjaft të vlefshme për një dimër pa viruse.
“Lidhur me situatën e gripit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë Planin e masave për përballimin e qarkullimit të gripit në vend. Në të njëjtën kohë i bëjmë apel qytetarëve të mos neglizhojnë shenjat e gripit por të konsultohen me mjekun e familjes për të parandaluar komplikacionet. Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, aktualisht vihet re një rritje e qarkullimit të gripit dhe virozave por nuk kemi situatë epidemie të gripit”, thuhet në njoftim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.