Këshilla & Arsye

January 17, 2018 | 12:22

Mjeku popullor Ylli Merja këshillon si duhet të veprojmë kur nisin dhimbjet e kokës

Jo të gjitha dhimbjet e kokës shkaktohen nga migrena. Migrena është një dhimbje pulsuese e fortë që fillon nga shkaqe të ndryshme. Migrena e bën individin shumë të ndjeshëm nga zhurmat, drita, dhe aromat e forta. Këta individë bëhen nervozë shumë shpejt. Është një dhimbje e kokës që mund të zgjat me dite të tëra nëse nuk përdoret mjekim në fillimin e dhimbjes.

Ylli Merja, specialist i mjekësisë alternative

Ylli Merja, specialist i mjekësisë alternative

Në përgjithësi dhimbjet e kokës nga migrena janë 4-5 ditë në muaj dhe përsëriten në mënyrë ciklike. Gjatë këtyre ditëve dhimbjet vijnë duke u shtuar, derisa shkaktojnë marrje mendsh dhe të vjella, dhe pas kësaj truri është i freskët dhe shumë aktiv, pra këto janë simptomat kryesore që individi quhet se ka migrenë. Gjithashtu, 50% e njerëzve që vuajnë me migrenë janë femrat, pjesa tjetër janë fëmijë, adoleshentë dhe burra.

Cilat janë llojet e migrenës?

Migrena e zakonshme ndodh tek shumica e të rriturve që vuajnë nga migrena, dhe është dhimbje që mbulon një pjese të kokës që krijon ndjesinë e marrjes së mendve, por nuk jep të vjella. Dhimbja zgjat disa ditë.
Migrena klasike shkakton marrje mendsh, jep të vjella, dhe ndodh tek të gjitha moshat. Pas gjumit dhimbja zvogëlohet. Migrena ekuivalente krijohet tek individët pas moshës 50 vjeç, që kanë vuajtur me parë nga migrena e zakonshme. Migrena e ciklit, ndodh tek femrat dhe ndodh disa ditë para, pas ose midis ciklit menstrual.
Migrena abdominale shfaqet tek fëmijët dhe shkakton të vjella e marrje mendsh.

Shkaku

Migrena shkaktohet nga mungesa e qarkullimit normal të gjakut në tru. Ngushtimi i arterieve dhe venave bën që truri të mos furnizohet normalisht me gjak dhe oksigjen dhe kjo jep dhimbje të kokës. Arsyet e migrenës janë të shumta, por akoma nuk është vërtetuar shkaku i vërtetë dhe kura e saj.
Migrena është një sëmundje e trashëgueshme. Migrena mund të stimulohet nga ndryshimi i mënyrës se jetesës: ndryshimi i ajrit, ujit dhe mënyrës së ushqyerit. Ndryshimet hormonale shkaktojnë fillimin e dhimbjes së kokës, prandaj një numër i madh individësh që vuajnë nga migrena janë femrat dhe adoleshentet. Këto dy grupe kanë ndryshime hormonale të shumta. Sasia e lartë ose e ulët e estrogjenit tek femrat shkakton migrenë. Gjithashtu, infeksione në organizëm e stimulojnë migrenën. Të tjera shkaqe janë anemia, mungesa e vitaminës B, pagjumësia, stresi dhe probleme me qarkullimin e gjakut.

Qetësimi me bimë medicinale

Megjithëse migrena është një sëmundje që nuk kurohet, ajo parandalohet dhe me anë të mënyrës së ushqyerjes mund të evitoni shfaqjen e saj.
Hapi i parë është që individët që vuajnë nga migrena të konsumojnë shumë ujë gjatë ditës, minimumi 1.5l ujë në ditë. Kështu qelizat e trurit do të jenë të hidratuara mjaftueshëm. Hapi i dytë është masazh i qafës me vajra esenciale që rregullojnë qarkullimin e gjakut, të paktën 1-2 herë në javë. Vaji i sinapit dhe vaji i mentes kanë efekte qetësuese dhe rregullojnë qarkullimin e gjakut që shkon në tru. Pjesë shumë e rëndësishme është mënyra e të ushqyerit. Sa me shëndetshëm të ushqeheni, aq me pak shfaqet migrena. Gjithashtu, gjumi është tepër i rëndësishëm, jo vetëm për mirëfunksionimin e trurit, por për gjithë organizmin.

Por kur fillon dhimbja e kokës si duhet të veprojmë?

Kur fillon dhimbja e kokës duhet të konsumoni sa më shume lëngje. Çajrat janë shumë të këshillueshme, pasi zgjerojnë enët e gjakut, dhe veprojnë si qetësues natyral të trurit. Një çaj shumë efektiv për dhimbjet e kokës përgatitet kështu: ne 2 litra ujë zieni 2 minuta 1 lugë mente+ 1 lugë bar blete+ 1 lugë borzilok+ 1 lugë rozmarinë + 1 lugë lule basani+ 1 lugë mendër + 1 lugë murriz lule ose frutë. Konsumoni 3-4 gota çaj në ditët kur keni dhimbje koke.

Pas kësaj duhet të konsumoni 10-20 fije shafrani në ditë, pasi ky përmban antioksidante të fuqishëm, grupin e vitaminave B1, B2 dhe B6 që janë ushqyes të trurit, dhe piko krocine dhe krocinine të cilat veprojnë si qetësues të trurit dhe largojnë radikalet e lira në organizëm. Boronica dhe xhenxhefili ushqejnë sistemin nervor, zgjerojnë enët e qarkullimit të gjakut dhe ndalojnë të vjellat. Pra është me shumë interes që 4-5 ditët e dhimbjes së fortë të kokës këto të përdoren në mënyrë intensive. Kurse në ditët e tjera këshillohet të përdorni në mënyrë të vazhdueshme borzilokun, qoftë si erëz kuzhine, qoftë si një çaj të lehtë me 1-2 lugë gjelle borzilok në ditë, ose 2-3 pika vaj esencial borziloku, 8-10 fije shafrani në dite. Migrena, të parën që godet më shumë në sistemin nervor ka kujtesën. Ndërsa borziloku dhe shafrani janë të parat bimë që forcojnë kujtesën. Pra, atë që sëmundja e vret, ju e mbroni duke përdorur këto produkte natyrale.
Rrënja e valerianës këshillohet të përdoret në rastet kur migrena shkakton pagjumësi dhe të vjella. Valeriana është një qetësues natyral shumë i efektshëm për dhimbjet e kokës që përdoret gjerësisht në ilaçe.

Vajrat esenciale janë shumë efektiv për qetësimin e dhimbjeve të kokës, pasi ato veprojnë shpejt. Një mikser vajrash që mund të përdoret 5-6 pika në ditë është: 5 ml vaj livando, 3 ml vaj mente, 1 ml vaj borziloku, dhe 1 ml vaj mendër e bute dhe 10 ml vaj ulliri. Kjo përzierje vajrash mund te pihet kështu ose mund të hidhet në një gote me ujë të vakët dhe të konsumohet 2 herë në ditë para ushqimit.

Në rastet kur individi ka dhimbje të kokës në pjesën e përparme dhe tek pjesa e sinuseve këshillohet të bëhet avull me këtë përzierje: 1 litër ujë, një dorë me gjethet e ekualipsit, 1 lugë gjelle koriander dhe 1 lugë gjelle mente. Avulli behet 15 minuta duke qëndruar 20 cm mbi nivelin e ujit. Këto të dyja ndihmojnë të hapen enët e qarkullimit të gjakut dhe të furnizohet truri me oksigjen./gsh.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top