FB

August 13, 2022 | 8:00

Hapësira profesionale e mësimdhënësit, liria që u lejon atyre të marrin vendimet e duhura

 

Nivelin profesional dhe vlerat etike i pasqyron ai njeri, i cili peshon mirë dhe me kujdes të gjitha arritjet dhe sjelljet gjatë marrjes së vendimeve përfundimtare. Meqenëse do të shtjellojmë hapësirën profesionale të mësimdhënësit, e shikojmë të arsyeshme të kuptojmë objektin dhe termin “profesion”, ku lidhur me këtë shtrojmë dy pyetje dhe do të marrim përgjigjet e nevojshme ndaj tyre: Çfarë kuptojmë me profesion dhe a është çdo lloj punësimi profesion?

Për termin “profesion” ka shumë përcaktime, nga shumë studiues të fushave të ndryshme, por duke i parë me kujdes mendimet e tyre, gati të gjithë bashkohen në një pikë për më thelbësoren, se kush nga punësimet, quhet “profesion”?

000

Nga Prof. Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S. Larti

 

Çfarë kuptojmë me profesion?

Sipas përcaktimit bashkëkohor më të pranuar profesione quhen: “Ato profesione, ku individët që u përkasin atyre sjellin një nivel të lartë njohurish dhe shprehish në ato funksione shoqërore të cilat janë më thelbësoret në ndikimin e nivelit të mirëqenies dhe mbarëvajtjes së shoqërisë”.

Ky përcaktim nisur nga funksionet konkrete mund të zbërthehet:

k-3

Profesioni është punësimi që përmbush një funksion shoqëror të rëndësishëm dhe thelbësor.

Profesioni kërkon një nivel të konsiderueshëm njohurish dhe shprehish të qëndrueshme të formuara nëpërmjet shkollimit dhe që rriten dhe lartësohen nëpërmjet specializimeve dhe kualifikimeve të vazhdueshme për përvetësimin e arritjeve më të reja dhe bashkëkohore.

Profesioni kërkon aplikim konkret të njohurive dhe përvojave të cilat vërtetohen me arritjet konkrete të kapshme, të dallueshme dhe të matshme.

Megjithëse njohuritë e fituara nëpërmjet përvojës janë të rëndësishme, por ato nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat profesionale, prandaj personi ushtrues duhet të marrë një bllok njohurish në mënyrë sistematike për fushën e vet të formimit.

Njohuritë profesionale dhe shprehitë e posaçme kërkojnë një periudhë të gjatë arsimimi në shkollën e lartë, si dhe duke pasur vullnetin dhe mendimin, se njeriu gjatë gjithë jetës duhet të mësojë dhe të përparojë, vetëm nëpërmjet përsosjes së formimdijeve të tij. Njohuritë profesionale të fituara lartësohen dhe përsosen nëpërmjet shërbimit dhe vlerësimit të përvojave më të mira, trajnimeve specifike, për arritje standardesh dhe vlerash profesionale sa më të larta. Ushtrimi i njohurive profesionale praktikisht, ka si nevojë parësore që të përcillen apo aplikohen kërkesat e “Kodeve” përkatëse  (për profesione të ndryshme), të cilët përbëhen nga  norma dhe parimet Etike, sa ligjore dhe morale.

Është esenciale që profesionistëve duhet t’u lihet hapësirë ose liri veprimi, që ata të japin mendime dhe të bëjnë sugjerimet e tyre, lidhur me praktikat kualifikuese dhe atyre të specializimit, për profesionin e tyre.

k-1

A është çdo lloj punësimi profesion?

Praktika profesionale vërteton se profesione quhen ato punësime, që ushtrohen nga persona, të cilët kanë baza formimi të mirëfillta teorike të plota, të formuara nëpërmjet shkollës së lartë dhe specializimeve të vazhdueshme në mënyrë periodike dhe në rritje që janë në gjendje të përcaktojnë finalitete (politika) institucionale sipas niveleve, duke pasur në qendër shkallën e lartë të kontrollit, për nxjerrjen dhe marrjen e përgjegjësive profesionale. Sikurse nga ana tjetër duhet të ekzistojë sa autonomia, por dhe shfaqja e lirë e mendimeve, për marrje qëndrimesh sa më të drejta, pas përzgjedhjes së mendimeve, për të marrë vulën e arsyetimit kolektiv, nëpërmjet profesionistëve dhe specialistëve të fushës përkatëse.

Pra shkurt, jo çdo punësim quhet profesion, por vetëm ato punësime që kanë, njohuritë teorike të domosdoshme dhe nëpërmjet aplikimit të tyre, plotësohet a po kryhet një funksion shoqëror.

 

Atëherë në këtë kontekst funksioni i mësimdhënësit quhet profesion apo mision?

Sidoqoftë, sot mbizotëron mendimi se: Mësimdhënia plotëson shumicën e kritereve dhe kërkesave që të quhet profesion. Në këtë këndvështrim mund të themi se: Njohuritë dhe shprehitë që duhet të ketë dhe aplikojë një mësimdhënës për të qenë i suksesshëm në përmbushjen e funksionit të tij, i duhen aftësi intelektuale, pedagogjike, metodike, teknike, teorike dhe praktike, për të formuar dhe edukuar kursantë (studentë), ku të gjitha këto njohuri dhe aftësi aplikuese e përbëjnë mësimdhënësin një profesionist. Këto njohuri të domosdoshme të mësimdhënësit shtrihen në gjashtë drejtime si:

1.Njohuritë që ka për formimdijet që jep (përmbajtjen e lëndës). Këtu zënë vend:

-Kapaciteti që ka për lëndën që jep, dhe njohuritë pedagogjike që zotëron për të zgjedhur metodën më të përshtatshme për mësimdhënie.

Aftësitë për të njohur me hollësi çdo kursant (student) në procesin e të nxënit. Këtu përfshihen:

-Zotërimi i njohurive mbi teoritë e të nxënit, zhvillimit fizik, psikologjik, intelekti, formimi i përgjithshëm intelektual, gjendja ekonomike, shoqërore e të tej.

-Mënyrat e nxitjes dhe aplikimit të motivimit, në procesin mësimor e tej.

 

2.Njohuritë për pedagogjinë. Këtu përfshihen:

-Aftësitë për të përzgjedhur metodën më të përshtatshme, për mësimdhënie, si dhe kërkesat dhe kriteret e vlerësimit sa më realisht dhe objektivisht.

-Mënyra e sjelljes me takt, kulturë dhe edukatë, duke iu përmbajtur    “Kodit Humanist”.

-Aftësitë për të organizuar dhe drejtuar, grupin mësimor (klasën), nëpërmjet një aktivizimi dhe pjesëmarrje aktive në procesin mësimor.

 

3.Njohuritë për kurrikulumin. Këtu përfshihen:

-Njohuritë që lidhen me procesin e kurrikulumeve, si dhe metodologjinë e aplikimit të tyre në mësimdhënie.

 

4.Njohuritë e përgjithshme. Këtu hyn angazhimi:

-Për të njohur dhe përshtatur mjedisin e punës si, klasat, sallat e leksioneve, poligonet si dhe gjithë mjediset dhe mikromjediset, për t’u bërë sa më të përshtatshme dhe funksionale për një zhvillim normal të procesit mësimor.

-Sigurimi dhe përdorimi me efektivitet i gjithë mjeteve didaktike për konkretizimin dhe  zhvillim normal të procesit mësimor.

-Njohuritë për kursantë, (studentët), prindërit, familjet, sjelljet brenda dhe jashtë shkolle.

 

5.Njohuritë për traditat dhe historikun e shkollës. Këtu hyjnë:

-Traditat e shkollës, në përgatitjen e programeve, moduleve, kurrikulave.

Niveli i punimeve studimore dhe shkencore.

-Niveli dhe shkalla e aftësive të fituara nga nxënësit, kursantët, studentët tej. Kur është krijuar shkolla; Sa breza ka nxjerrë; Cila ka qenë trupa pedagogjike në vite; Vlerësimet e shkollës nga instancat shtetërore, etj,.

 

6.Njohuritë për vetveten. Këtu bëjnë pjesë:

-Të vlerësojë dhe pasurojë njohuritë për të qenë një mësimdhënës cilësor.

-Të dijë pikat e forta dhe të dobëta në kryerjen e misionit të tij si

mësimdhënës.

-Të ketë njohuritë më të domosdoshme për punën motivuese dhe

edukuese të kursantëve (studentëve).

 

Pra siç shihet, mësimdhënësi i përket, kategorisë së punonjësve të cilëve u duhen domosdoshmërish njohuri të gjëra e të shumta, për të ushtruar veprimtarinë e tyre për të formuar dhe edukuar kursantë (studentë). Këto gjithashtu bëjnë të mundur që mësimdhënësit të gëzojnë autonomi në ushtrimin e profesionit të tyre.

Autonomia nuk është një “dhuratë që iu bëhet mësimdhënësve, përkundrazi ajo mëshiron aftësitë dhe nevojën objektive për të vënë praktikisht, bagazhin dhe nivelin e gjerë të njohurive, zgjidhjen drejt të situatave, si dhe bërjen sipas kushteve konkrete, formimin dhe edukimin e kursantëve (studentëve). Sigurisht në përputhje me kërkesat dhe finalitetet që ka shkolla.

Në thelb, liria që gëzojnë mësimdhënësit, shërben si një mekanizëm që u lejon atyre të marrin vendimet e duhura nga pozicioni i një specialisti të mirëpërgatitur, lidhur me nevojat dhe ecurinë e kursantëve (studentëve), me teknikat dhe veprimtaritë mësimore që do të përdorë, metodat për testimin e njohurive e të tjera.

k-2

Atëherë ç’është liria profesionale?

Liria profesionale është: “Krijimi i hapësirës së nevojshme, për një individ profesionist, që ai të studiojë, të lartësojë njohuritë, për të qenë i aftë teorikisht dhe praktikisht në organizimin dhe zhvillimin e procesit mësimor, si dhe për të hulumtuar dhe kërkuar në fushën e pedagogjisë dhe formimdijes (lëndës, modulit) që jep, për të arritur nivelet më të kërkuara bashkëkohore,  për formim dhe edukim”.

Kjo liri për mësimdhënësin përfshin:

-Të drejtën për të marrë vendime individuale lidhur me mënyrën e zhvillimit të orës mësimore.

-Të përzgjedhë metodat dhe teknikat, për anën teorike dhe veprimet praktike.

-Të përcaktojë metodologjinë e ndjekjes së ecurisë së kursantëve (studentëve), në procesin mësimor.

-Të caktojë mënyrën e zhvillimit të seminareve, bashkëbisedimeve dhe testeve me kursantët (studentët).

Në këtë aspekt ka shumë mendime se si të quhet mësimdhënia, por ajo që është më përgjithësuesja e të gjitha versioneve, është ajo që e cilësojnë atë si “Art”.

P.sh. Colman ka renditur mbi 20 metoda të ndryshme mësimdhënieje, duke filluar nga Sokrati e deri tek ato të quajtura shoqërore. Ai gjithashtu pohon se, larmia mbetet thelbi i të mësuarit dhe mësimdhënësi nuk duhet të jetë kurrë i kënaqur, deri sa të krijojë një repertor të gjerë metodash, teknikash dhe procedurash për të funksionuar mirë “Arti” i tij i mësimdhënies.

Atëherë si arrihet rezultati dhe cilësia në këtë “Art” të mësimdhënies?

Mendimi më i plotë dhe që mbizotëron aktualisht, evidenton dy mënyra për t’u bërë një mësimdhënës cilësor:

E para: Përcaktohet nga aftësitë e natyrshme, të lindura të cilat bazohen kryesisht në instinktet dhe intuitën e mësimdhënësit, i cili mund të quhet virtuoz apo i talentuar.

E dyta: Theksohet se mësimdhënësit e tjerë, jo me aq intuitë dhe dhunti të lindura, mund të arrijnë nivele të kënaqshme dhe të kultivojnë në rolin e mësimdhënësit, një “Art” po aq mbresëlënës, nëpërmjet përpjekjeve për t’u lartësuar nga ana pedagogjike, nëpërmjet akumulimit të përvojës më të suksesshme, si nga ana teorike dhe praktike.

Për sa u cilësua, në thelb del se, mësimdhënia do domosdoshmërish liri veprimi, pra liri profesionale, të cilën shkurt e përkufizojmë se:

Liria profesionale është një “Art” me karakter praktik dhe  vlera reale për rritjen e nivelit të mësimdhënies. Liria në mësimdhënie duhet të konsiderohet si një proces i cili ka nevojë për intuitë, krijimtari, fantazi, improvizim dhe ekspresivitet, një proces ky, që lejon shkëputjen nga rregullat, format dhe recetat strikte”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top