Radiografi

December 5, 2020 | 8:12

Haralambos Ilias, mjeku duarartë që shëron variçet pa bisturi!

 

Ditë e enjte. Pacientët kishin mbushur të gjitha vendet pritëse, në radhë për të kryer vizitat përkatëse. Fluksi ishte aq i madh sa të tjerë prisnin jashtë hollit, në katin e parë. Të gjitha moshat, nga motakë e deri të moshuar me probleme nga më të ndryshmet. Burra dhe gra që besimplotë prisnin “të shpëtonin” nga parehatia që u shkaktonte sëmundja.

Nga Orjona TRESA | Foto Vlasov SULAJ

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

“Kjo është një ditë normale” më thotë primari i klinikës, Kostandin Balloma, kirurg ORL. Dhe, që prej krijimit të saj, Luis Medical Center ka qenë e tillë, e mbushur plot, për t’u dhënë zgjidhje pacientëve të vjetër e të rinj. Por më shumë se kaq, ishte një ditë e veçantë edhe për një kategori të caktuar pacientësh, të cilët mezi prisnin kirurgun që do t’u jepte fund hallit të tyre. Doktor Haralambos Ilias, kirurg endovaskular, mbi 10 vite ofron shërbimin e tij edhe në Tiranë, në klinikën me të njëjtin emër ku nisi bashkëpunimin e tij të mëhershëm në Gjirokastër, pranë Luis Medical Center. Duarartë, gjigant, i mrekullueshëm, janë disa nga epitetet që pacientët i kanë vënë pas ndërhyrjes së suksesshme që ai u ka bërë në trajtimin e venave varikoze, apo variçeve siç i njohim në gjuhën e popullit.

Problemet me variçet janë një shqetësim prej të cilit vuan i gjithë Ballkani dhe Mesdheu, sipas doktor Ilias. Rreth 40% e femrave dhe 20% e meshkujve vuajnë nga kjo sëmundje. Ajo që ofron në Shqipëri kirurgu i shquar, është teknika më moderne me lazer, për zhbllokimin e venave dhe ripërtëritjen e funksionit të qarkullimit të gjakut që furnizon zemrën. E veçanta, por edhe e bukura e mishërimit të profesionalizmit me aspektin human, është se doktor Haralambos Ilias ka mësuar në mënyrë të shkëlqyer gjuhën shqipe, në respekt të gjuhës, vendit dhe njerëzve me të cilët punon. Çfarë na lidh në këtë bashkëbisedim kaq cilësor me doktorin, është shëndeti, për të cilin duhet të bëjmë kujdes dhe të mos e lëmë asnjëherë pas dore, duke menduar, “hajt se ka kohë”.

Në fakt, ai pohon se nga puna e tij mbi 10-vjeçare në Shqipëri, variçet janë një problem i madh dhe nuk duhet neglizhuar. “Ka plot raste që vijnë në gradë të fundit, dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Falë përparimit të shkencës, sot me metodën e kirurgjisë me lazer me fibër optike, mund të shpëtosh nga ënjtja e këmbës, dhimbjet, shenjat apo plagët dermatite, që mund të shfaqen në lëkurë”.

I lindur në Athinë në 1967, dr.Haralambos Ilias mbaroi fakultetin e Mjekësisë Ushtarake në Selanik në vitin 1991. Ka punuar në Spitalin Ushtarak 401 deri në vitin 2007 në Athinë. Nga viti 2005- 2008 ka qenë shef i Angio-Kirurgjisë në Spitalin Ushtarak 417 në Athinë. Dr.Haralambos Ilias prej vitit 2008 është Shef i Departamentit të Angiokirurgjisë në Jaso Hospital në Athinë. Ka kryer specializime në Angli, Gjermani, Holandë për kirurgjinë endoskopike me lazer, në trajtimin e dëmtimit vaskular dhe reagimin e urgjencës. Interesat e tij të veçanta klinike përfshijnë forma moderne të trajtimit të insuficiencës venoze dhe komplikimet e saj (venat me variçe, ulçera atresi, ekzema kronike e venave, etj.), këmbë diabetike, lymphedema, lipoma e poshtme dhe trajtimi e përdorimi i trajtimeve minimale invazive (teknikat endovaskulare, lazeri). Dr. Ilias është përfshirë në publikime shkencore për operacionet vaskulare të kryera në Greqi dhe në të gjithë botën.

Doktor Haralambos Ilias është kirurgu i parë endovaskular i specializuar me metodën e kirurgjisë Gold Standard, ku bëhet ndërhyrja në venat e sëmura, të fryra dhe penguese të qarkullimit të gjakut në zemër. “Nuk është lazer për bukuri, por për trajtimin e sëmundjeve insuficience venoze. Nuk ka prerje, dhe as shenja. Nuk bëhet me bisturi. Është lazer estetik vetëm për kapilarët. Në krahasim me operacionet e dikurshme, nuk kryhet prerje, sepse fibër optika me diametrin 1 mm nuk e lejon këtë. Është një shpim i zakonshëm, i cili e vendos brenda pajisjen e imët, që përçon energji termale, të nxehtë, duke u futur brenda në damarë dhe shkon deri në valvulë. Sepse aty nis problemi. Bëhet një by pass. Është valvula safine femorale, e cila bart problemin kryesor, e mandej ky defekt bën që vena të zgjerohet, duke sinjalizuar që ka sëmundje. Me përdorimin e fibrës optike, vena ngushtohet. Pra, nuk e heqim venën, dhe as e presim, si metoda klasike, thjesht e ngushtojmë.

Në krahasim me metodat e vjetra, ku operacioni shoqërohej me trauma dhe gjakderdhje, apo me prerje nervash, sot nuk ka asnjë nga këto situata. Nga valvula femorale deri poshtë gjurit ngushtojmë venat dhe merremi me pastrimin e variçeve, të cilat janë degëzime nga vena kryesore. Dhe me pastrimin, vena është shëruar plotësisht.

Kështu, ajo lejon të bëhet furnizimi i pastër i zemrës me gjak në rrugën tjetër”. Ajo çka është me rëndësi në këtë ndërhyrje fine dhe shpresëplotë, është se operacionet shoqërohen me ndihmën paralele të ekos, e cila bën identifikimin e problemit në bazë. Është kamera ku mund të shihet kryerja me saktësi e operacionit, për të qenë sa më i saktë dhe preciz. Doktori na shpjegon se e mira e gjithë kësaj ndërhyrjeje që zgjat pothuaj 1 orë, është se pacienti nuk ka dhimbje. Mund të ecë gjysmë ose një orë pas operacionit, dhe pas 4 ose 5 orësh mund të largohet nga klinika. Ditën tjetër pacienti mund të nisë aktivitetin fizik gradualisht.

Operacioni i variçeve me lazer është aplikuar për herë të parë në Athinë nga Doktor Haralambos Ilias që prej vitit 1996. Ai ishte kirurgu i parë ndër pak kirurgë në botë që u specializuan me metodën më moderne për ndërhyrjet me lazer, për trajtimin e variçeve të këmbëve. Kirurgu endovaskular Ilias, është i pari që ka kryer numrin më të madh të këtyre ndërhyrjeve në Greqi, në Kongresin e 12-të Kombëtar të Angio-Kirurgjisë. Metoda Endoskopi me lazer u njoh për herë të parë në vitin 1991 në Amerikë, dhe pastaj erdhi si teknikë edhe në Europë. Në Kongresin Botëror të Angiokirurgjisë, në vitin 2010 në Buenos Aires, kirurgu Haralambos Ilias prezantoi shërimin e plotë të ulcerave në gjymtyrët e poshtëm me lazer. Ulcera në këmbë është një komplikacion nëse një pacient ka neglizhencë ndaj një sëmundjeje, dhe formon plagë në lëkurë.

Variçet shkaktojnë më shumë probleme shëndetësore se sa estetike. Por sot, përdorimi i lazerit, që nuk shkakton dhimbje, mund t’i trajtojë sëmundjet endovenoze shpejt dhe thjeshtë. Ajo që duhet kuptuar dhe i dhënë rëndësi, është se nëse një pacient nuk i kuron variçet, shfaqen një sërë problemesh. Me kalimin e kohës lëkura bëhet e zezë, pëson atrofi, nuk ushqehet mirë, hollohet dhe krijon plagë të hapura, siç është ekzema apo dermatiti. Ndërlikimet nga variçet janë shumë vështirë për t’u rregulluar, ndaj pacienti nuk duhet ta lërë gjendjen të shkojë në gradë të fundit. Vetëm me një eko të thjeshtë mund të bëjë diagnostikimin. Në përvojën e kirurgut Ilias, dhe sipas studimeve të shumta dhe kongreseve, janë zbuluar arsyet se përse krijohen variçet.

Sipas tij, “tani mjekët e dinë që variçet kanë një arsye shumë të madhe. 50% është arsye gjenetike. Janë të lindur me defekte në valvulat femorale. Arsyet e tjera janë: trashëgimi familjare, shtatzënia, mosha, mënyra e jetesës, për shembull, pozicioni ulur, pa lëvizur, qëndrimi në këmbë, profesionale, dhe mos përdorimi i çorapeve të llastikut, të cilat parandalojnë me ngushtësinë e tyre. Problemi me variçet është që, gjaku që duhet të shkojë në zemër, nuk kthehet, por rri poshtë në pulpa, sepse vena është zgjeruar, dhe valvula ka një defekt. Ndaj me kalimin e kohës pulpa fryhet”.

Por sa është rrisku që ato të përsëriten? “Me metodën indovenoze me lazer është 1-2%, ndërsa me metodën klasike, 20-30%. Edhe te një grua që e ka mbyllur me shtatzënitë, rikthimi është i vogël, sepse janë hormonet që ndikojnë në zgjerimin e venave. Operacioni zgjat fare pak, deri në një orë. Nuk mbeten shenja. Nuk ka dhimbje dhe kryhet me anestezi të lehtë ose lokale. Pacienti nuk ndjen asgjë gjatë operacionit.

Sipas kirurgut endovaskular, të cilin e gjeni vetëm te Klinika Luis Medical Center, i gjithë Ballkani, Mesdheu dhe Azia e kanë një shqetësim të tillë. Raste pa fund me probleme me variçet. Europa Veriore njihet më pak, ndërsa Afrika nuk njeh fare raste të tilla. Por sa i takon mjekëve të specializuar të fushës së kirurgjisë pa bisturi të variçeve, Doktor Ilias thotë se, “Greqia njeh vetëm 20% të mjekëve që mund të bëjnë operacione të tilla. Është një operacion i veçantë që kërkon specializim. Ndërsa në Europën Veriore janë 80% e mjekëve që mund të kryejnë ndërhyrje të tilla. Ndërsa në Amerikë 90% e mjekëve”.

Trajtimi me lazer intravenoz është sot metoda më bashkëkohore jo invazive që përdoret me sukses të të gjithë botën. Duke përdorur këtë metodë që nga viti 2006, dhe në lidhje me evolucionin e vazhdueshëm të pajisjeve lazer dhe teknikave të funksionimit, është arritur të adresohet gama e plotë e venave me variçe dhe insuficienca venoze mbi 98%.

1-Kryhet me anestezi lokale ose të lehtë

2-Zgjat pak si procedurë

3-Nuk përdoren qepje

4-Nuk mbeten shenja

5-Nuk ka dhimbje

6-Shtrimi zgjat vetëm pak orë

7-I sëmuri rifillon veprimtarinë e tij pas 3-4 ditësh

Pamjaftueshmëria venoze është vështirësia e rikthimit të gjakut nga ekstremet e poshtme në zemër për shkak të lirimit të mureve venoze dhe shtrirjes së valvulave të tyre. Rezultati është një sasi e madhe gjaku që bllokohet në venat periferike, nuk oksigjenon dhe prodhon venat varikoze, domethënë venat e zgjeruara dhe të dhimbshme. Vlerësohet se 4 nga 10 persona do të kenë insuficiencë venoze deri në 70-75 vjet të jetës së tyre.

Në shoqëritë perëndimore dhe në racën e bardhë niveli i incidencës është mjaft i lartë në rreth 45-50%, ndërsa në Afrikë ato janë veçanërisht të ulta, nën 10%. Ky efekt padyshim ka të bëjë me faktorë të tillë si mungesa e kolagjenit dhe acidi hialuronik në muret e venave, predispozicioni gjenetik, trashëgimia, kequshqyerja, efektet hormonale, shtatzënia, klima.

Në disa raste, mungesa e lindur e venave valvulare në bark çon në insuficiencë venoze. Kjo është arsyeja pse kemi të rinj dhe shpesh burra të moshës 25-30 vjeç me fazë të avancuar të insuficiencës venoze. Raporti i burrave me gratë është 4-6. Meshkujt në përgjithësi e lënë pas dore problemin e tyre sepse nuk i shqetëson estetikisht dhe kështu nuk kërkojnë ndihmë. Gjendja e neglizhuar mund të shkaktojë trombozë qoftë sipërfaqësore ose të thellë, inflamacion kronik të lëkurës me eritipelë ose ulçera të rënda, dermatit kronik me mbidozë dhe ekzemë. Jeta e pacientit bëhet e vështirë, e lodhshme dhe degraduese vazhdimisht. Diagnoza bëhet lehtësisht nga ekzaminimi klinik dhe ultratingulli i venave të koduara me ngjyra (Triplex).

Luis Medical Center është një ndër klinikat më të mëdha kirurgjikale në Shqipëri, me vendndodhje në Tiranë ku mund të gjeni doktor Haralambos Ilias, si kirurg endovaskular, por mund të merrni gjithaq shërbime të ngjashme sa i takon fushës së ORL-së dhe trajtimin e dhimbjeve të kolonës. Një gamë e gjerë shërbimesh dhe ekzaminimesh e cila ndiqet nga një ekip me profesorë dhe mjekë specialistë, si dhe me teknikat më të fundit diagnostikuese e trajtuese të ardhura në Shqipëri.

Luis Medical Center, ky gjigant mjekësor me diapazon të gjerë trajtimesh, nuk të zhgënjen. Edhe do ndihesh në ambientet e tij si në shtëpinë tënde, edhe nëse ke një rekomandim nga miq e të afërm që kanë të njëjtën përvojë, apo dhe nëse ke trokitur në derën e tij krejt rastësisht. Klinika drejtohet nga kirurgu Kostandin Balloma, mjek me 35 vite përvojë, me emër të madh mes mjekëve grekë ku ka dhënë kontributin e tij disavjeçar.

Besim Boçi, kirurg i njohur me një eksperiencë mbi 20-vjeçare ORL. Haralambos Ilias, mjeku i parë që futi në Greqi, dhe më pas edhe në Shqipëri, lazerin për trajtimin e variçeve pa bisturi. Stavros Karakozis, kirurg i njohur për teknikën e rrallë të operimit të tiroideve. Roven Sinani, kirurg në fushën e ORL. Bashkëpunëtor që në Gjirokastër me klinikën. Ilias Balloma, djali i dr.Ballomës, i cili po specializohet në fushën e ORL.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152

#revistapsikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top