Mirëqenie

March 6, 2017 | 9:18

Hemorroidet/ Moshat që preken nga 45 deri në 70 vjeç

Hemorroidet shfaqen kryesisht në grupmoshat nga 45 vjeç deri në 70 vjeç. Por çfarë është kjo sëmundje, nga se shkaktohet, shenjat që manifeston dhe cilat janë aktualisht metodat e trajtimit që aplikohen për kurimin e saj? Për të gjitha këto pyetje jep përgjigje mjekja gastrohepatologe, Valdete Malaj.

Sipas doktoreshës, shenja kryesore e hemorroideve është dhimbja kryesisht gjatë defekimit ose pas defekimit, kjo më e shpeshtë te rastet me hemorroide të trombozuar dhe te hemorroidet e mëdha. Shenjë tjetër është hemorragjia.

Mënyra më e mirë për trajtimin e tyre është një regjim i duhur ushqimor. “Rëndësi ka një dietë e pasur me fibra, një dietë me fruta. Mirë është frutat të hahen me lëvore. Po ashtu sugjerohet një dietë me perime të ziera, sallatra të ndryshme. Me shumë rëndësi është evitimi i duhanit, i pijeve alkoolike, salcës etj”, pohon mjekja për gazetën “Panorama”.

 

Valdete Malaj Mjeke gastrohepatologe

Valdete Malaj
Mjeke gastrohepatologe

Çfarë janë hemorroidet?

Me termin hemorroide kuptojmë fryrje dhe skuqje të venave përreth anusit dhe pjesës së poshtme e të jashtme të tij. Ka një klasifikim me gradë të hemorroideve në varë- si të shkallës së gravitetit, përkatësisht grada e parë deri e katërt. Gjithashtu, hemorroidet mund të jenë të thjeshta ose të trombozuara, domethënë në hemorroide ndodh mpiksje e gjakut, kjo gjë ka rëndësi, pasi ndryshon mjekimi i një hemorroideje të thjeshtë me një të trombozuar. Hemorroidet mund të jenë të jashtme kur duken me sy ose preken, ose të brendshme janë brenda në anus, këto preken gjatë bërjes së tushe rectal, një ekzaminim shumë i rëndësishëm për shumë sëmundje të zonës së anusit. Hemorroidet e brendshme ka raste që edhe mund të dalin jashtë anusit, sidomos gjatë jashtëqitjeve me sforcime, konstipacionit apo edhe diarresë.

A ka shkaqe të identifikuara që mund të lidhen me shfaqjen e tyre?

Shkaqet më të zakonshme janë predispozicioni familjar, trashëgimia, kapsllëku, diarreja. Vlen të theksojmë se shumicës së grave gjatë shtatzënisë u zhvillohen hemorroidet si pasojë e komprimimit që bën fetusi, qëndrimi gjatë ulur, mosha, infeksionet anale dhe disa sporte si kalërimi. Hemorroidet mund të zhvillohen në të gjitha rastet që kemi të bëjmë me rritje të presionit intra abdominal si në shtatzëni, te cirotiket ose gjatë komprimimit nga formacione të ndryshme në abdomen.

Cilat janë shenjat me të cilat manifestohen?

Shenjat e sëmundjes shfaqen në varësi të gradës së tyre, në varësi nëse janë të brendshme apo të jashtme. Shenja kryesore e hemorroideve është dhimbja kryesisht gjatë defekimit ose pas defekimit, kjo më e shpeshtë te rastet me hemorroide të trombozuar dhe te hemorroidet e mëdha. Shenjë tjetër është hemorragjia, e cila mund të dalë e përzier me feçet apo pas defekimit. Duhet theksuar që në këto raste gjaku është i kuq. Kjo ka rëndësi për të bërë diagnozën diferenciale me sëmundje të tjera të aparatit tretës ku gjakrrjedhja mund të jetë me ngjyrë të errët apo të zezë, kjo tregon se hemorragjia vjen nga pjesët e sipërme e aparatit tretës.

1Cilat janë moshat më të prekura?

Nga sëmundjet e hemorroideve preken shumica e popullsisë, dominon seksi femër dhe për sa i përket moshës, rreth 45 deri në 70 vjeç janë më të prekur. A mund të parandalohet formimi i hemorroideve? Duke pas parasysh disa faktorë predispozues, mund të themi se sa e rëndësishme është marrja e disa masave për t’i parandaluar hemorroidet. Nuk mund të themi që e kemi ne në dorë për t’i parandaluar, por është shumë e rëndësishme që edhe pas shfaqjes së tyre të marrim masa që të mbahen sa më të qeta me anë të një regjimi të rregullt ushqimor, fizik e psikik.

Të mbetemi te regjimi ushqimor, çfarë rekomandoni?

Dieta ushqimore ka shumë rëndësi në zhvillimin e në mbajtjen në një situatë të qetë të hemorroideve. Një ndër këshillat e rëndë- sishme që u jepet pacientëve është që të kenë një jashtëqitje të rregullt, domethënë një herë në 24 orë çdo person duhet të ketë jashtëqitje, pasi dihet që kapsllëku komprimon venat e zorrës së trashë dhe në ato raste që ka edhe predispozicion familjar, mund të zhvillohen hemorroidet. Për të pasur një jashtëqitje të rregullt, rëndësi ka një dietë e pasur me fibra, një dietë me fruta. Mirë është frutat të hahen me lëvore. Po ashtu sugjerohet një dietë me perime të ziera, sallatra të ndryshme. Me shumë rëndësi është evitimi i duhanit, i pijeve alkoolike, salcës etj. Një rëndësi ka edhe ajo që quhet edukim i zorrës, që ka të bëjë me, së pari, masazh i zorrës së trashë në mëngjes shtrirë në krevat për 10 minuta, së dyti, përdorimi i ujit deri në dy gota esëll dhe së treti, shkuarja në banjë edhe kur pacienti nuk duket sikur ka nevojë për defekim.

Për sa u takon metodave të trajtimit, cilat janë ato?

Për sa i përket mjekimit, bëhet në varësi të gradës së sëmundjes, duke filluar nga mjekimi lokal me qetësues me bazë lidokaine pomada, dhe preparate antihemorroidale në varësi të gradës së llojit, analgjezike nga goja, kur kanë shumë dhimbje. Mund të përdoren borsa me akull në zonën përkatëse, këshillimi për mënyrën e të ushqyerit, të jetesës. Ndërhyrja kirurgjikale rekomandohet kur sëmundja avancon dhe nuk i përgjigjet mjekimit me preparate antihemorroidale. Ka ndërhyrje të hapur me bisturi, si edhe aplikohet trajtim me sklerozant me injeksione dhe trajtim i kombinuar. Është shumë e rëndësishme që pacientët që kanë probleme të tilla, duhet të drejtohen menjëherë te mjeku specialist sapo të vënë re sëmundjen, pasi sa më shpejt të fillohet me mjekim e përkujdesje, aq më mirë është dekursi i sëmundjes që të mos arrijnë në ndërhyrje kirurgjikale, sepse ato mund të përsëriten.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top