FB

July 3, 2025 | 11:30

Hermetizmi paranojak dhe trashëgimia e tij emocionale

 

Nga Drilona Shehaj Abazaj, psikologe

Ka individë që jetojnë me një ndjesi të vazhdueshme se janë nën vëzhgim. Ata nuk flasin për veten, nuk ndajnë udhëtimet që bëjnë, as gëzimet apo shqetësimet e përditshme jo për mungesë dëshire për lidhje, por për shkak të një paranoje të instaluar thellë: frikës nga “syri i keq”, nga zilia, nga “energjitë negative”. Jetët e tyre janë hermetikisht të mbyllura, sikur të ishin një kasafortë ku çdo informacion rreth vetes është një kërcënim i mundshëm.

talisman-syri-i-keq

Kjo “vetëmbrojtjeje” psikologjike mund të ketë rrënjë në trauma të hershme, zhgënjime të përsëritura, apo mësime të trashëguara nga brezat e mëparshëm, ku ndarja e së bukurës perceptohej si rrezik, dhe heshtja si mburojë.

Por muret që ndërtojmë për të mos lejuar të tjerët të na shohin, shpesh bëhen edhe burgjet tona emocionale. Jetët e këtyre individëve bëhen të pashprehura, të padukshme, të pashijueshme edhe për ata vetë. Dhe ajo që është më e dhimbshme, është se kjo paranojë nuk mbetet vetëm personale ajo shpesh trasmetohet si model mbijetese te fëmijët dhe partnerët.

Një fëmijë që rritet në një ambient ku çdo gjë duhet mbajtur “sekret”, ku nuk tregohet kur bëhet një udhëtim, kur ndodh një arritje, apo kur ndjehet një gëzim, mëson se bota është një vend i rrezikshëm. Mëson se ndarja është kërcënim. Fillon të perceptojë se të tjerët janë gjithmonë të dyshimtë, se nuk mund të besohet askush. Dhe kështu, krijohet një brez i ri, që nuk i beson afërsisë, që e ka të vështirë të ndajë, të bashkëjetojë, të ndërtojë marrëdhënie të hapura dhe të sinqerta.

Të ndash gëzimin nuk është dobësi. Është akt besimi dhe dëshmi që ke mësuar të jetosh me zemër të hapur, pavarësisht rrezikut. Është ç’lirim nga “fantazmat” e të shkuarës, është rruga drejt shërimit.

Sepse kur paranoja bëhet si mënyrë jetese dhe kur ajo instalohet tek pjesëtarët e tjerë të familjes bëhet një helm i heshtur që largon njerëzit, ndan familjet dhe trashëgon frikë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top