FB

October 22, 2025 | 15:05

Heshtja ka çmimin e lartë

Në këtë vend është bërë e zakonshme të heshtet për çdo padrejtësi që prek bukën e gojës, dritën e shtëpisë dhe djersën e punëtorit, ndërsa zëri ngrihet vetëm kur dikush nga lart bie në fatin e vet njerëzor, por jo kur qytetari bie çdo ditë në varfëri.

albina-hyseni

Heshtja e gjatë nuk është vetëm mungesë reagimi. Ajo ngadalë ndryshon psikikën e njeriut, e bën të lodhet më shpejt, e mbyt shpresën dhe e fut në një cikël ankthi, ku çdo faturë dhe çdo barrë duket e pakapshme. Shoqëria që duhej të zgjohej për rritjen e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe derivateve, ka zgjedhur me heshtje dhe ka pritur që dikush tjetër të reagojë. Por askush nuk del për pensionistin që s’e përballon jetën me ndihmën që merr, për punëtorin që punon pa sigurime, për nënën që zgjohet me shqetësim se si do ia dalë deri në fund të muajit.
Në këtë heshtje të gjatë po shuhet edhe dinjiteti i atyre që mbajnë mbi supe gjithë ekonominë, dhe lodhja e tyre nuk është vetëm fizike, por edhe psikologjike. Trupi mund të pushojë për një natë, por mendja vazhdon të mbajë barrën e pasigurisë, frikës nga nesërmja dhe ndjenjën e pafuqisë.
Shoferët janë ndër më të ngarkuarit me përgjegjësi dhe lodhje. Ata punojnë ditën, edhe jashtë orarit, madje edhe të shtunave, duke përballuar rrugë të gjata dhe ngarkesa që shpesh kalojnë kufirin e lejuar. Kamionët e tyre mbushen aq shumë sa gomat dështojnë nga pesha e tepërt, por askush nuk pyet pse ndodh kjo dhe kush e lejon. Këta njerëz hanë në nxitim, flenë në kabina të ftohta dhe udhëtojnë në rrugë të rrënuara, duke bartur mallra që mbajnë gjallë tregjet dhe ekonominë, por që nuk ua lehtësojnë asnjë ditë jetën.

pune-e-lodhshme

Lodhja e përditshme nuk është vetëm trupore. Ajo ndikon thellë tek mendja dhe emocionet, duke krijuar ankth, stres dhe një ndjenjë pafuqie që e bën njeriun të ndihet i shkëputur nga shoqëria që e rrethon. Askush nuk u njeh lodhjen, as rrezikun që mbajnë çdo ditë në rrugë, dhe kur ndodh ndonjë aksident, faji bie mbi ta, edhe pse e vërteta është shumë më e rëndë. Është sistemi që e lejon njeriun të lodhet deri në thyerje, pa asnjë mbrojtje dhe pa respekt për djersën dhe shëndetin e tij psikologjik.Sa mirë do të ishte të kishte protesta për këto gjëra, për jetën e përditshme, për energjinë, për bukën, për çmimet që rriten dhe për pagat që mbeten, për të moshuarit që jetojnë me ankth, për punëtorët që mbajnë mbi supe gjithë këtë peshë.
Protesta nuk është vetëm turmë, është ndjenja e përbashkët që lind kur njeriu s’e duron më padrejtësinë dhe kur psikologjia e tij thërret të reagojë.
Protestë është kur qytetari kërkon të jetojë me dinjitet, kur kërkon që djersa e tij të ketë vlerë, kur thotë mjaft heshtjes që po bëhet më e shtrenjtë se vetë jeta.

lodhja

Nëse njerëzit do të bashkoheshin për këto gjëra të thjeshta që i përkasin secilit, ndoshta do të kishim më pak lodhje, më pak zhgënjim dhe më shumë dinjitet. Kur njerëzit bashkohen për jetën e tyre të përditshme, shoqëria bëhet më e drejtë, më e fortë dhe mendja e secilit fillon të ndjejë se nuk është vetëm.
Ky vend ka nevojë për zëra të qetë, por të vërtetë, për qytetarë që e duan punën, dritën dhe të ardhmen e tyre, jo për heshtje që i lë padrejtësitë të rriten dhe mendjen e lodhur të bjerë në pafuqi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top