Këshilla & Arsye

November 9, 2016 | 10:29

Hide mbi kalldrëm: Shqipëria që e ka një emër në vitet ’30, sipas autorit me pseudonimin Tom Kuka

Ndërsa dhjetëra figura letrare shqiptare kanë shkruar nën pseudonimin e tyre artistik, është edhe dikush që guxon ta bëjë këtë, të njohur ndryshe veten nën emrin Tom Kuka. Ky është libri i tij i parë i prezantuar para lexuesit shqiptar, ndërsa themelet i ngre në një rrëfim mbi dyzimin e shoqërisë shqiptare: nga njëra anë, e sunduar nga intrigat, tradhtitë e abuzimet e të fortëve e nga ana tjetër, e drobitur nga skamja, verbëria e besëtytnitë e të dobëtëve.

1… Janë vitet ‘30. Vitet e një Shqipërie që më në fund ka një emër, një qeveri dhe një kryeqytet. Dhe ç’kryeqytet! Tirana na shpaloset me tonalitetet e një fotografie bardhezi, në të cilën, falë një rrëfimi mjeshtëror, ndiejmë kutërbimin e kanalizimeve në qiell të hapur, të djersës së mëditësve, të qenve që rrëmojnë rrugëve, por edhe erën e sapunit të rrobave, të gatimeve në shtëpitë përdhese dhe të frutave që rëndojnë në pemët e oborreve të tyre. Pluhuri i bardhë i allçisë dhe i rrugëve na mahis sytë dhe gëlimi i zhurmshëm i vegjëlisë në pazar na vret veshin. E në këtë zallahi zërash e personazhesh, Di Hima, kryehetuesi i Tiranës, një burrë i mençur, me karakter tërheqës dhe ende i pamartuar, heton mbi vrasjen e Andon grekut, duke zbuluar një botë sekretesh e shantazhesh, nga e cila mund ta shpëtojë vetëm një dashuri e thjeshtë dhe e paqtë.

Autori shpalos një tablo groteske e njëkohësisht mallëngjyese të një Shqipërie të skamur, të uritur e të nëpërkëmbur, ku jeta e njeriut nuk vlen asnjë dyshkë e ku nderi është vetëm një fasadë për sytë e botës. Në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar… pothuajse një shekull më parë, ajo që ishte Tirana mbetet ende Tirana.

 

Autori

Ky është romani i parë i autorit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Identiteti i tij i vërtetë nuk njihet.

“Jam një njeri që, ma merr mendja, më njohin mjaftueshëm. Natyrisht, nuk kam bërë punë të zeza, që të kem frikë të paraqitem me emrin tim. Unë jam nisur nga një dyshim i madh, i cili më ka ngrënë si mola drurin. Duke qenë shpesh në sy të publikut, mendoj se mbi personazhin që unë përfaqësoj, janë ngritur opinione e paragjykime. Kjo është e kuptueshme, njerëzore. Ndaj dhe vendosa të paraqitem me një emër tjetër, sepse dëshiroj që lexuesi të lexojë letërsinë e këtij libri, jo autorin e tij.

Duke e konsideruar letërsinë punën më serioze që kam bërë në jetë, mendova që ta çliroj atë nga vargonjtë që krijon qasja me publikun nëpërmjet medias, politikës, sipërmarrjes apo aktiviteteve të tjera.”

 

Titulli: Hide mbi kalldrëm

Autor: Tom Kuka

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: PEGI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top