Hipertensioni arterial, i njohur si tensioni i lartë është një nga problematikat shëndetësore më të shpeshta të moshës së mesme. Mjekët e urgjencës thonë për “Gazeta Shqiptare” se menaxhimi i rasteve me hipertension arterial përfaqëson edhe një nga sfidat e përditshme në dyert e urgjencës mjekësore, pasi është rritur numri i rasteve. Madje, mjekët pohojnë se nga hipertensioni po preken edhe moshat nën 40 vjeç e një ndër shkaktarët është edhe stresi. Hipertonia arteriale klasifikohet si një nga shkaqet madhore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë kardiovaskulare. Në rreth 95% të rasteve hipertonia arteriale konsiderohet primare, ose parësore pasi nuk evidentohen shkaqe të dukshme të lindjes së saj.
Faktorët që ndikojnë
Janë disa faktorë ambientalë që ndikojnë në zhvillimin e hipertonisë arteriale. Vlen për t’u përmendur se obeziteti, përdorimi i alkoolit, stresi psikologjik, mungesa e aktivitetit fizik janë të gjithë faktorë që ndikojnë në zhvillimin dhe nxitjen e hipertonisë arteriale. Një rëndësi të veçantë i jepet edhe përdorimit të kripës në dietën ushqimore, ku studimet e bëra vërtetojnë se raporti ndërmjet kripës dhe hipertensionit arterial është një raport shkak-pasojë.
Simptomat
Përgjithësisht individët të cilët kanë probleme me hipertensionin arterial ankojnë si shenjë kryesore dhe më të shpeshtën dhimbjen e kokës, e cila është më e zakonshme në pjesën e pasme të kokës si dhe marrje mendsh apo errësim të pamjes. Në raste të manifestimit të këtyre shenjave, sidomos nëse janë të shpeshta, është e këshillueshme që të realizohet një kontroll shëndetësor. Vlerat normale të tensionit arterial variojnë nën 140mmHg (sistolik) dhe nën 90mmHg (diastolik). Ndërkohë që çdo vlerë e matur që rezulton mbi këto parametra konsiderohet Hipertoni Arteriale, që në varësi të rastit klasifikohet si e lehtë apo e rëndë. Pikë së pari, një diagnozë përfundimtare e HTA-së duhet të bazohet në matjet e përsëritura të presionit arterial në momente të ndryshme.
Shkaqet dytësore
Ka plot raste kur Hipertonia arteriale është maskim i një problematike tjetër shëndetësore. Mund të përmendim këtu sëmundje të veshkës, diabeti, sëmundje të gjendrës tiroide, tumoret e gjëndrës mbiveshkore etj. Prandaj sugjerohet gjithmonë që individët të kryejnë një ekzaminim të plotë fizik në rast se diagnostikohen me Hipertension arterial, në mënyrë që të përjashtojnë ndër të tjera edhe një shkak dytësor të tij.
Diagnostikimi
Nëse kemi një diagnozë, atëherë gjithmonë sugjerohet që të bëhet një vizitë në mjekun specialist. EKG e zemrës sigurisht është një ekzaminim që bëhet qoftë për të përjashtuar një komplikacion kardiak, por edhe për të krijuar një ide më të qartë nëse kemi një prekje të zemrës. Analizat biokimike sugjerohen përherë të kryhen dhe një rëndësi e veçantë u jepet vlerave të yndyrave dhe nivelit të sheqerit në gjak.
Mjekimi dhe stili i jetesës
Mjekimi i një Hipertonie arteriale konsiston në një kombinim antihipertensivësh të klasave të ndryshme, të cilat përshkruhen nga mjeku specialist. Modifikimi i stilit të jetesës është një domosdoshmëri. Kufizimi i kripës, rënia në peshë, kufizimi i alkoolit, i duhanit, rritja e aktivitetit fizik janë të gjithë elementë të rëndësishëm në kontrollin e gjendjes shëndetësore.
Krizat hipertensive
Kriza hipertensive është një situatë delikate, e cila kërkon një ndërhyrje të shpejtë mjekësore. Kjo, sepse komplikacionet e saj mund të jenë të rënda dhe vdekjeprurëse. Klinikisht shfaqet ajo që mjekësia e njeh si Encefalopati Hipertensive (dhimbje koke, alterim të gjendjes mendore, konvulsione). Mund të shoqërohet me gjendje të rënda shëndetësore si edemë pulmonare, infarkt akut i miokardit, disekacion i aortës etj. I sëmuri duhet të sillet domosdoshmërish në urgjencë, nëse identifikohen shenja të tilla klinike, ku aty i jepet edhe ndihma e parë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.