Luiza është frymëzim për arritje qe nuk t’i kap as imagjinata më e kërcyer! Luiza Gega ka fituar medaljen e artë në Europianin e Atletikës që po mbahet në Munich.
Atletja shqiptare triumfoi në garën e 3.000 metrave me pengesa, duke kaluar e para vijën e finishit me kohën 9:11.31. Me këtë kohë, Gega vendosi rekordi të ri në Kampionatin Europian, duke thyer me 6 sekonda atë të vendosur në vitin 2010 nga rusja Zaripova. Ndryshe, koha e regjistruar nga Luiza Gega në Munich është dhe rekordi i ri kombëtar në këtë disiplinë, pasi atletja përmirësoi kohën që kishte vendosur në Lojërat Mesdhetare pak javë më parë.
Luiza Gega, e cila ishte renditur e pesta në botë në këtë disiplinë një muaj më parë në botëror, ku ishte dhe atletja më e mirë nga Europa, konsiderohej favorite për medalje në finalen e sotme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.