Në fokus

May 26, 2018 | 9:05

Histori e dhimbshme, të moshuarit nga Kukësi rrojnë se nuk vdesin dot…

“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan në Gostil të Kukësit, ku ka pllakosur skamja. Këtu fjalët të ngecen në grykë, e këto dy të moshuar jetojnë duke shpresuar që kjo dhimbje të mbarojë. Nuk kanë asnjë ditë të lumtur, nuk janë ngopur kurrë me ushqim, nuk kanë fjetur një herë në një shtrat të rehatshëm. “Është e vështirë, s’kalohet jeta këtu me një dhomë, çfarë bie jashtë bie brenda”. Rustemi dhe Shpresa, jetojnë në këtë gjendje që prej 6 vjetësh, kur papritur shtëpia e ndërtuar me kallamishte u shkrumbua nga flakët e zjarrit.

“Ju po e shihni vetë, mos të kesh ku me vdek” thotë. Ata nuk kanë fëmijë, jetojnë të vetmuar, në fshatin Gostil, në periferi të Kukësit. Kur e pyet Shpresën se sa vjeç është, ajo thotë se nuk e mban mend. “Që prej gjashtë vjetësh jam këtu, mu ka djegur shtëpia, pension nuk marr. Na ka mbajtur shoqëria, na kanë sjellë ushqime shkolla, xhamia na ka ndihmuar”. Ajo ka harruar edhe veten, nuk e di as se përse jeton. Mjerimi e ka shpërfytyruar, e ka rrënuar shpirtërisht, e ka mpakur fizikisht, ia ka shtuar rrudhat mbi ballë dhe zemrën ia ka bërë copë e thërrime. Por a ka patur Shpresa ndonjëherë një ditë të lumtur?

“Asnjëherë, me të këqija gjithmonë, mërzitem me veten s’kam ku të shkoj, lutem qe Zoti me më marrë shpirtin dhe mos shoh gjë më”, thotë e moshuara. Bashkëshorti Rustemi, thotë se malësori është i fortë, por nuk i përmban dot lotët, sepse e di që kjo nuk është e vërtetë, pasi vuajtjet e kanë mposhtur. Bashkë me ta jeton edhe nipi i Shpresës, i sëmurë mendërisht, ai nuk ka asnjë njeri tjetër përveç tyre, e gjithë familja i ka ndërruar jetë.

Mes këtij mjerimi ata gjejnë ngushëllim te besimi në Zot, ngushëllohen duke thënë se ka edhe më keq. Por vallë a mundet të ketë më keq se kaq? Ata agjërojnë çdo ditë të Ramazanit, por sofra e iftarit të tyre është përherë bosh. Me frymën që i merret, e me buzët që i dridhen, Shpresa kërkon vetëm një dhomë, ku të marrë frymë lirisht, pasi lagështia dhe myku, po ia merr shpirtin çdo ditë pak e nga pak.

https://www.youtube.com/watch?v=lSGdli0WTXI

Burimi / BalkanWeb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top