Dëshmi

February 1, 2023 | 8:30

Histori frymëzimi / E verbër që në moshë të vogël, gazetarja sjell në jetë një vajzë: Do ta rris e vetme!

 

Nga Megi Latifi / Panorama TV

 

Jeta është dhurata më e bukur që kemi, e mbi të gjitha, ajo është një sfidë për t’u jetuar. Veko Tushe, moderatore e Radio Tirana, zëri i të cilës kumbon në programet e bukura radiofonike, ka zgjedhur që të japë gjithnjë mesazhe të forta për jetën. Fëmijëria e saj ka qenë më shumë se e vështirë, e megjithatë, ajo kurrë nuk u dorëzua përballë vështirësive. Kthesa më e bukur në jetën e saj nuk ishte blerja e një shtëpie, as gjetja e një pune, por sjellja në jetë e një fëmije.

Veko është e para grua që vendos të sjellë në jetë një fëmijë dhe ta rrisë atë e vetme. Ishte ky momenti që ngriti pikëpyetjet më të mëdha në jetën e saj, të cilat gjejnë sot përgjigje vetëm me Xhanmarinë, bijën e saj të shtrenjtë.

v3

Si ka ndryshuar jeta se vetëm nëntë muaj më parë Ti kishe komplet një rutinë tjetër?

Është një ndryshim që e kam kërkuar prej vitesh por erdhi tani. Ka një ndryshim të ndjenjave totale. Jam bërë më e ndjeshme. Ndihem njëqind për qind e lumtur. Është një ngarkesë që çdo grua e ndjen si detyrim. E kam menduar gjithmonë që pjesa më e bukur e çdo gruaje është rritja e një fëmije dhe formimi i një jete krejt tjetër, për një të ardhme qoftë të gruas, qoftë dhe të vetë fëmijës.

 

A është ashtu siç e ke pritur, në kuptimin e përgjegjësisë që ke marrë përsipër?

Në fakt, e dija gjithmonë që do të isha shumë e përgjegjshme për të rritur një krijesë të re, dhe sidomos krijesën time, të kujdesem për të 24 orë, ta ushqej, ta laj, ta ndërroj, sepse të gjitha shërbimet unë kam dashur t’ia bëj vetë Xhanës.

 

A të ka ndryshuar mënyrën se si e percepton botën? Për çdo nënë, për çdo grua në fakt kur lind një fëmijë thotë se: tashmë botën e shoh ndryshe?

Janë krijuar ndjesi të reja. Për sa i përket asaj bote që më ka përndjekur gjatë të gjithë jetës time, nuk është se e kam vrarë mendjen se çfarë po bëhet apo çfarë po thuhet, unë thjesht po bëj jetën që më takon. Gjithmonë motoja ime ka qenë që, para se të vdes unë dua të jetoj! Dhe jam duke jetuar si ju, si një kamerier, si një mësues, si një avokat, si çdokush që ka një familje. Kjo është familja ime. Një familje e vogël, por jemi të dyja shumë të lumtura.

v1

Ti, në sytë e shoqërisë gjithmonë ke dhënë mesazhe shumë të forta për jetën, për t’ia dalë, për të qenë ambicioze në profesion, dhe tani më me një krijesë kaq të bukur në jetën tënde.Çfarë ka thënë shoqëria, cilat janë komentet me të cilat ti je hasur për të cilat do të doja të flisje sot?

Komente gjithnjë ka pasur, që nga shkollimi im, punësimi im, e tashmë më vonë, tek lindja e vajzës time, që ndoshta ishte një bombë për ta. Kështu po e quaj sepse njerëzit vazhdojnë të çuditen pse një person me aftësi të kufizuara në shikim merr hapa të tillë. Unë nuk kam bërë asgjë përveçse atë që ka kërkuar trupi im dhe shpirti im. Është diçka biologjike dhe shpirtërore që e kërkon çdo grua. Një ndryshim kaq të madh unë e kam dashur shumë.

 

Veko, kjo është një sfidë që ti ke me veten pikësëpari pastaj edhe me shoqërinë sepse jemi pjesë e saj. A do të doje që edhe persona të tjerë ta bënin si hap, apo ke kuptuar se është disi e vështirë dhe do të doje t’i këshilloje përpara se të merrnin një hap të tillë?

Më lejoni që të informoj pak shikuesit, që unë nuk jam as e para dhe as e vetmja dhe as e fundit që rrit një fëmijë. Po themi në Shqipëri, sigurisht që rastet janë të rralla që femrat me aftësi të kufizuara në shikim rrisin një fëmijë, po themi që unë jam e para që kam pranuar të rris një fëmijë pa partner. Por unë iu them shikuesve, sepse ju po pyesni me siguri në emër të tyre, që personat me aftësi të kufizuar në shikim kanë familjet e tyre. Djemtë është rasti më i shpeshtë që krijojnë familje me vajza që nuk kanë një shikim të kufizuar, por kanë një shikim të plotë, ndërsa për vajzat është më e rrallë mundësia për të krijuar një familje me djem që nuk kanë probleme në shikim. Megjithatë, kam kuptuar që gjërat kanë ndryshuar por ngadalë. Na duhet ndryshimi, ç’rëndësi ka me hapa breshke apo lepuri.

 

Kush të ka qëndruar në gjithë këtë nismën tënde që ti e bëre absolutisht për çështje personale, ndjesish mbi të gjitha. Kush ka qenë njeriu që ka qenë aty për ty gjatë të gjithë kohës për të mbështetur, për të qëndruar pranë, për të të dhënë këshilla por për të të mësuar dhe mëmësinë?

Këtu do të ndalesha pak në fakt sepse Xhana, vajza ime, në fakt ka lëvizuar shumë njerëz. Sigurisht që ka ngritur në këmbë shumë njerëz. Ju nuk e besoni, por mua më ndalojnë në rrugë edhe njerëz që nuk i njoh. Më shohin me karrocë që shëtis me Xhanën, sigurisht me dikë për krahu që na ndihmon që ne të shëtisim së bashku. “Urime”, “Sa mirë?”… d.m.th nuk i njoh fare. Më pas, njerëzit e mi që i kishim kontaktet më të pakta, dhe Xhana i ka ngritur në këmbë, sjellin dhurata përtë, interesohen për të, duan të dinë sa ka shtuar, a është ulur, a ka filluar të eci, ka filluar të belbëzojë, etj. Do të falënderoja shumë në fakt, në 21 qershor të 2022 që Xhana ka ardhur në jetë , telefoni im nuk rreshte së tringëlluari vetëm për të pyetur a lindi Xhana. A erdhi Xhana në jetë? Teta Monda, njeriu që më ka rritur që nga mosha 6-vjeçare, edhe këtë e priti si gjyshe.

v2

A ndryshoi shoqëria juaj, a u bënë ata më të ndjeshëm, a ndryshuan marrëdhëniet? Tani ti je një nënë më e përkushtuar, ndoshta ke më pak kohë për të bërë telefonata. Si ka ndryshuar?

Është e vërtetë në fakt. Miqtë janë shtuar pavarësisht se unë nuk kam më kohë të lë telefonin me zile të lartë, e kam në heshtje gjatë të gjithë kohës, por ata vijnë edhe trokasin, pyesin si është Xhana, të dinë për Xhanën, e shëtisin atë, mund ta takojnë, ta shohin. Shiko, unë jam e sigurt edhe nuk do të ndaloj askënd të interesohet për mua, qoftë edhe për shou, qoftë edhe për kureshtje. Mjafton që ata Xhanën time nuk e lënë vetëm.

 

Ndërsa ne sot këtu jemi për çështje ndjeshmërie, dhe Xhanmari ka fituar zemrat e të gjithëve ne, dhe do të donim të ndaleshim tek emri i saj. Dimë që e keni përmendur, por të gjithë ata që e dëgjojnë, përveçse kureshtohen nga historia, një vajzë si ju që keni sjellë në jetë një vajzë të bukur e të shëndetshme, por kurioziteti më i madh qëndron tek emri. Xhanmari, përse kjo zgjedhje? Ishte totalisht zgjedhje e jotja?

E gjitha e imja. Ka qenë zgjedhja njëqind për qind e imja. Në 24 dhjetor të vitit 2021 unë kam ndjerë lëvizjet e para të Xhanës, dhe kam qenë duke ndjekur meshën e Krishtlindjeve. Besoj njerëzit e kujtojnë Marinë e Biblës, që dhe ajo pati një fëmijë me frymën e shenjtë. Dhe unë e kam Xhanën një dhuratë të Zotit. Dhe vendosa që emri Maria duhej të ishte brenda.do të kujtohesha më pas, ose do të kujtohesha lidhjen mirë të jetës time me një botë me sy mbyllur. M’i ka dhënë formë të gjithë shpirtit tim, një njeri që unë nuk do të doja ta harroja. Ajo sot është 92 vjeçe, është mjeke, pediatre. Ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në jetën time dhe vazhdon të ketë. Tashmë është për Xhanën, nuk interesohet më për mua.megjithatë, Xhanet është mjekja për të cilën unë po flas. Doja në fakt që ta falënderoja në njëfarë mënyre duke ia vënë këtë emër vazjës time. Vetëm një pjesë të emrit, Xhanmari. Që të kishte edhe një emër të veçantë. Që të kishte personalitetin e vet me këtë emër.

 

Ndalemi tek Xhanet. Çfarë ka bërë ajo për ju që e mbani pas vetes deri në këtë fazë, që një pjesë të emrit ta ketë të sajin?

Xhanet kudo ka bërë shumë, i ka dhënë një formë fytyrës time, pamjes timë më të mirë, le të themi, ndoshta dhe më të qeshur. Ajo është kujdesur gjatë të gjithë fëmijërisë time që unë të dukesha mirë, pavarësisht asaj çfarë ndodhi në një fëmijëri shumë të hershme. Xhanet ka një rol shumë të rëndësishëm, sepse pas saj erdhën dhe njerëz të tjerë që të merrnin në dorëzim jetën time, ndjenjat e mia, në krijimin tim nga e para.

 

Dhe tani ne shikojmë po këta njerëz që janë dedikuar dhe përkushtuar ndaj Xhanmarisë dhe për këtë jemi shumë të lumtur. Veko ti je një profesioniste shumë e mirë, shkon çdo ditë në punë, dhe këtë gjë duhet ta bësh sepse tani ke dyfish detyrim për të rritur edhe vajzën tuaj. Si është jeta juaj tani? Sa e vështirë ëshët të ndjekësh edhe punën, karrierën të mos e lësh në gjysmë, profesioni i gazetarit kërkon shumë punë, orë të gjata për të punuar. Si është rutina juaj?

Nëse do të thoja e vështirë, do të thoja që jam dorëzuar. Do t’i përballoj të gjitha. Dhe punën, dhe vajzën, sepse janë të dyja që unë i bëj me shumë dëshirë. Xhana fle, unë punoj. Kur unë punoj, Xhana është me njerëz të tjerë, është e shoqëruar. Më vonë do ta afrojmë edhe tek mikrofoni.

v4

Çfarë do të doje, a ke planifikime në kokën tënde si një nënë, si një grua, për vajzën e vet? Ndoshta ajo është akoma e vogël, por ti me botëkuptimin që ke, ke filluar ndoshta të mendosh që si do të jetë e ardhmja e saj, si do të jenë gjërat, ku do ta orientosh?

Unë nuk planifikoj për më shumë gjatë sepse tani jam duke u kujdesur për të, e mbaj në krahë, më pas do të jem pas saj, dhe në momentin që ajo do të jetë ndoshta e ngujuar nga ndjenjat e saj, unë do të jem pas dere. Kur ajo të më thotë të hyj, unë do të futem. Nuk e di se si do të jetë personaliteti i saj. Nuk planifikoj dot gjë.

 

Po si do të doje ti? Cilat janë tiparet që do të doje të merrte nga ty?

Unë kam bërë shumë gabime. Do të doja që Xhana të ishte e fortë sicc jma unë. Do të doja që të mos përkushtohej shumë ndaj një personi, por t’i përkushtohej vetes, ndjenjave të saj. Të kujdesej  për karakterin e saj, për veten e saj, mos të kontribuonte gjithçka që i takojnë asaj tek dikush tjetër. Jeta është e gjatë, miqtë nuk janë të përhershëm. E përhershme dhe e përjetshme mbetet vetëm familja. Do të doja të shikonte familjen si forcën e saj, jo një mike apo një mik a një shok. Të gjitha janë kalimtare. M,egjithëse Xhana nuk e di se si do të bëhet, por unë do të jem pas saj, pranë saj.

 

Marrëdhënia që ndërtuan mjekët me ju, sa skeptikë apo mirëpritës ishin ata që ju ta bënit këtë hap?

Ishte një proces i gjatë, ndoshta jo dhe aq, por mua m’u duk i tillë sepse thoja, a do të ndodhë me të vërtetë, kur do të mundem, kur do të bëhet. Do të përshëndesja shumë në fakt doktor Elton Peçin, një doktor i mrekullueshëm, që të shpjegonte gjithçka, dhe madje ai ishte më optimist se unë. Nuk është se ka pasur interes të vazhdueshëm ndaj tyre, por kam qenë unë ajo që kam qenë në një komunikim jo shumë të shpeshtë me doktorin, edhe ata janë lumturuar, sepse kam treguar lumturi prej kësaj krijese. Ata vazhdimisht kam përshtypjen se shohin mrekulli të tilla dhe janë mësuar, ndërsa për mua ishte diçka e re dhe diçka e madhe.dua ta përshëndes shumë për ndihmën e tij mjekësore doktor Eltonin.

v6

Ndjesia e frikës a ka qenë ndonjëherë tek ty prezente në momente të caktuara? Dhe si e ke kaluar, kjo si një formë mesazhe për të gjitha ato nëna që janë duke na ndjekur?

Në fakt unë e kam thënë gjithmonë që njerëzit që nuk kanë probleme fizike na i bëjnë gjërat më të vështira. Si një person me shikim të plotë na i vështirëson gjërat. Ju vazhdoni jetën tuaj dhe unë do të vazhdoj timen përkrah jush, pavarësish se unë do të eci më ngadalë, dhe ju jeni me hapa pak më të mëdhenj. Por, frikë kam tani vetëm për vajzën time. Unë për vete nuk kam pasur asnjëherë frikë.

 

Veko, si e përjeton faktin që të tjerëve pa dashje, ose ndoshta dhe me dashje, ju vjen keq? Ndjen një lloj dhembshurie, keqardhje? Si ndihesh përballë kësaj gjëje?

Nëse unë do të merresha me njerëzit që kanë keqardhje, me njerëzit që flasin, me njerëzit që bëjnë vetëm, pësh-pësh edhe para se të flenë, unë nuk do të realizoja asgjë në jetën time.

 

A ke filluar Veko që t’i lexosh Xhanmarisë? Ju jeni një lexuese e rregullt e librave, aq më tepër, programet tuaja për fëmijë janë dhe kanë qenë gjithmonë më të bukurat. A ke filluar që ta praktikosh këtë pjesë, dhe do të donim, pse jo, si nis dita juaj?

Unë i këndoj vetë Xhanmarisë, i krijoj vetë përrallat aty për aty, bëj ato zërat e mi që t’i zgjoj kureshtjen dhe t’i forcoj dëgjimin, t’i kthej vëmendjen e plotë nga ajo që unë bëj. Xhana është shumë e lidhur me mua. Çdo gjë e krijoj në moment. Sigurisht që kam edhe emisione që unë kam kanalizuar dhe Xhana i dëgjon, qesh, lëviz.

v5

A ka ndryshuar titulli i jetës nëse deri tani e ke pasur një të tillë, me ardhjen e Xhanmarisë?

Nuk e di, ndoshta jam pak si e dhënë shumë, jam e marrosur pas Xhanës. Unë ccfarë kam bërë, e kam realizuar, e kam jetuar, jam mërzitur, jam gëzuar, jam lumturuar. Kam bërë udhëtime, jam arsimuar, kam lexuar libra pa fund, kam bërë shumë gjëra.

 

Ti dhe Xhanmari keni bërë udhëtimin e parë të dyja. Të lutem na trego pak si ka qenë ai momenti që ti e merr Xhanmarinë dhe shkoni të dyja në Itali?

Shkojmë në Milano. Xhana ishte vetëm katërmuajsh dhe sërish ju që vazhdoni të mendoni që, ‘Veko ku po shkon me këtë fëmijë katërmuajsh’. Po shkoj, thashë, të mësohet edhe ky fëmijë me udhëtimin. Edhe ju them një kuriozitet. Në avion kishte shumë fëmijë të vegjël dhe Xhana ishte më trimja. Xhana flinte, Xhana rrinte shikonte, edhe kur mbërritëm në Itali, edhe kur u kthyem këtu, Xhana vetëm ka shijuar udhëtimin dhe të tjerët që shijonin Xhanën.

v7

 

Përgatiti Orjona Tresa

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top