Nga Focus / Përktheu Adela Kolea
Për shekuj të tërë, në Mbretërinë e Bashkuar janë shkruar marrëveshje ose kontrata mbi pergamena me lëkurë deleje, material ky, i besueshëm kundër falsifikimit. Nga shek. XVI deri në shek. XX, dokumentet legale britanike janë shkruar kryesisht mbi pergamena prej lëkure deleje. Këto të dhëna rezultojnë nga një studim i publikuar në “Heritage Science”, ku shpjegohet edhe si është e mundur që kjo lloj lëkure shmang mashtrimet apo falsifikimet.
Struktura e vetë përbërjes së kësaj lëkure dhe sasia e lartë e yndyrnave e pranishme në të, bënte çdo tentativë falsifikimi që të dështonte dhe çdo korrigjim apo modifikim hipotetik mbi të, dallohej menjëherë, duke demaskuar mashtruesin dhe njëkohësisht, duke vënë në dukje manipulimin.
Dokumente të sigurta
“Avokatët, në atë epokë shqetësoheshin shumë mbi autenticitetin e dokumenteve dhe këtë e tregon edhe përkushtimi i veçantë ndaj vulave mbi to”, – shpjegon drejtuesi i zyrës studimore e të kërkimeve, Sean Paul Doherty, – dhe është e qartë, – vijon ai – që i njëjti shqetësim i nxiste avokatët që t’i besonin kryesisht pergamenave me lëkurë deleje për dokumentet.” Doherty ka analizuar 645 kampione dokumentesh legale të ruajtur nëpër arkivë apo koleksione private dhe ka vërtetuar se 622 prej tyre ishin të shkruar në lëkurë deleje.
Arsyeja pra, mbetej ajo e lartpërmendur: material i besueshëm kundër falsifikimit.
Elementi përbërës i lëkurës, më i favorshëm për këtë funksion ruajtjeje autenticiteti: yndyra me koncentrat të lartë.
Çështje yndyre
Për të prodhuar një fletë pergamene, lëkura e deles futej dhe trajtohej në gëlqere, në mënyrë që t’i thahej yndyra, duke lënë disa hapësira midis shtresave të ndryshme përbërëse të saj:
Kushdo që do të tentonte të fshinte bojën e shkrimit për ndonjë modifikim hipotetik në tekst, lëkura menjëherë do të shkaktonte shkëputjen e shtresave të sipërme të përbërjes së saj nga shtresat e poshtme (dukuri kimike e njohur si “delaminim”), duke e bërë mëse të qartë tentativën e falsifikimit, duke penalizuar dhe kompromentuar të tërë dokumentin.
Është hera e parë që i kushtohet vëmendje e veçantë teknike dhe analizohen këto lloj dokumentesh antike. Kohë më parë janë anashkaluar ose janë djegur me shpërfillje apo janë përdorur materialet e pergamenave të lëkurës, për të prodhuar disa lloje lampadarësh përgjatë shekullit XX.
Burime historike të papritura
“Tekstet legale në vetvete, nuk përmbajnë vlerë historike, – shpjegon Doherty, – pasi janë thjesht tekste zyrtare me përmbajtje standard, formulë. Por, përtej kësaj, falë disa teknikave moderne analizimi, siç është “Spektometria e masës” – Spektrometria e masës, veçanërisht e lidhur me kromatografinë e lëngët me performancë të lartë, ka fituar popullaritet në 20 vitet e fundit jo vetëm për qëllime kërkimore, por edhe për një gamë të gjerë aplikimesh në fushën kimiko/klinike – mund të analizojmë të dhënat kimiko-biologjike të pergamenës me lëkurë deleje.”
Për këtë arsye, këto dokumente kthehen në relike të vyera historike, jo aq për vlerën e përmbajtjes së tekstit të tyre, sesa nën konceptimin si arkiv molekular shekujsh të tërë artizanati, tregtie dhe zooteknike.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.