Dëshmi

February 1, 2021 | 8:20

Historia e Arditës, e lindur nga prindër që nuk flisnin e dëgjonin: “Trembesha nga shenjat!”

 

Ardita në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek “ E Diela Shqiptare” ka rrëfyer se ka ardhur në jetë nga dy prindër shurdhmemecë dhe fëmijëria që ka kaluar së bashku me vëllezërit ka qenë shumë e vështirë. Ardita është rritur nga gjyshërit e saj sepse mamaja shurdhmemece pa dashje fëmijën e parë e ka mbytur duke i dhënë gji gjatë natës pasi ajo nuk dëgjonte dot të qarat e fëmijës. Kështu për të mos rrezikuar dhe jetën e saj, Arditën e rritën gjyshërit. Kur u detyrua të kthehej tek shtëpia e prindërve pas disa viteve, ajo nuk ishte e lumtur dhe nuk përshtatej dot më prindërit. Dëshironte që të jetonte me gjyshërit.

ardita-770x433

Ardita: Historia ime ka filluar kur ka filluar historia e prindërve të mi. Të dy ata janë shurdhmemecë, nuk flasin dhe nuk dëgjojnë. Kur kanë qenë në një moshë të vogël ata kanë kaluar një temperaturë. Babi ka qenë vetëm 6 muajsh, kurse mami ka qenë 8 vjeç. Ata rriten, babi bën një shkollë në Tiranë tek Gjuha e Shenjave. Rriten, arrijnë një moshë madhore dhe menduan që t’i martonin e të lindnin fëmijë që të linin gjurmë. Bëhet një shkesë, i fejojnë, i martojnë. Në fillim ka qenë çdo gjë mirë, jetonin me gjyshërit, por më mbrapa mami kërkonte që të jetonin të dy vetë burrë dhe grua. Gjyshi nuk ua prish, i vendos në një shtëpi në fshat dhe aty jetonin. Jo më shumë se disa muaj, mami ngel shtatzënë dhe lind një fëmijë, vajzë. Kur vajza bën 6 muaj, mami aksidentalisht gjatë natës i zë frymën duke i dhënë të pijë, në thonjëza e mbyt sepse ajo nuk dëgjonte.

 

Ky ishte problemi se nuk dëgjonte të qarat e vajzës. Ardita: Kaloi një vit, në vitin 1992 mami ngelet sërish shtatzënë dhe këtë vit lind unë. Një hidhërim i tillë nuk humbet kurrë por u ndriçuan pak edhe gjyshërit edhe prindërit e mi për këtë gjë. Lind unë, por lindi dhe dilema sepse gjyshërit ishin të trembur, vendosën që mua të më marrin që treditëshe.

 

Ardit Gjebrea: Gjyshja me gjyshin?

Ardita: Po nga ana e babit. Shtëpia e tyre ishte pak në periferi të fshatit, kurse mami e babai jetonin në fshat. Më rritin, di që kam pirë shumë pak qumësht ato ditët e para, vinte mami ditë për ditë dhe ikte.  Fjalët e para që i them gjyshit dhe gjyshes janë mami dhe babi. Kur isha 4 vjeç gjyshi më thoshte është mami Moza dhe babi por unë asnjëherë nuk i pranoja. Më kujtohet që mami Mozën e largoja gjithmonë, i thosha ikë, nuk të dua. Ajo më thoshte që je e imja me shenja, unë i thoja jo nuk jam e jotja. Kur u rrita pak më shumë, e kuptoja që ata ishin prindërit e mi por prapë mbaja qëndrimin tim, i hidhesha në krahë gjyshit dhe gjyshes, i thosha mami babi. Bile kur më pyesnin, unë thosha jam e Fadilit, për gjyshin.

 

Ardita: Kur arrij 7 vjeç duhet të shkoja në shkollë, detyrohen të më çojnë në fshat tek mami dhe babi se unë kisha dhe vëllain. Një vit pas mua ka lindur vëllai por mami ka këmbëngulur që vëllain ta mbante vetë. Gjyshi i mori një fëmijë dhe nuk donte t’i linte thatë fare, kështu që e la vëllain. Më çojnë në fshat në Mesaplik, më kujtohet që nuk kam dashur të rri, trembesha nga shenjat, nga komunikimi. Nuk i kuptoja kur komunikonin. Vëllai po sepse u rritu dhe u mësua me ta, madje filloi të komunikonte me shenja dhe me të tjerët, por fliste edhe me gojë.

 

Mami më thoshte shko më sillë këtë gjë dhe unë i sillja gjë tjetër, më bërtiste, qaja, doja të ikja. Mami ka një tonacion të lehtë, një psherëtimë, kurse babi fare. Më kujtohet që ajo mërziteshe me mua, i vinte inat që unë nuk mësoja dhe vëllai si gjithmonë me vrap i sillte gjërat që ajo i kërkonte. Kalojnë vitet e para, mësohem me këtë ide që kjo është shtëpia ime edhe pse më merrte malli për gjyshen.  Një jetë pak e trishtë, një fëmijëri ku mungonte fëmijëria, ne duhet të rriteshim para kohe edhe unë edhe vëllai, duhet të kishim ne kujdes për prindërit dhe jo ata për ne.

 

Babit i lidh gjyshi një kemp me atë që ne ushqeheshim dhe gjërat më të nevojshme në fshat, sepse pjesën tjetër na i siguronte gjyshja me gjyshin. Në atë shtëpi më mungonte shumë fjala dhe zhurma, sepse kishim shumë qetësi, kishim vetëm televizorin që na tingëllonte, në shtëpinë tonë nuk na vizitonte njeri. Në shkollë thoshin më erdhi tezja, më erdhi daja, xhaxhai, ne nuk i kishim këto. Ne mezi prisnim fundjavën që të vinim tek gjyshja e gjyshi sepse aty kishte zhurmë, qeshej, këndohej, kishte shumë gjëra.

 

Ardit Gjebrea: Kjo të zemëronte shpesh herë, kujt i shfryheshe?

Ardita: Gjyshes, i thosha pse i martuat, pse që të vuajmë ne? Ajo qante, mërzitej shumë dhe thoshte fati i tyre kështu ishte, por ja jeni juve si drita, do rriteni, do kujdeseni për ta. Isha e vogël dhe nuk e kuptoja.

 

Burimi Tvklan.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top