Në dekadat e fundit, koncepti i pavarësisë pas moshës 18 ose 20 vjeç ka humbur terren. Në shumë shtete Europiane, dhe sidomos në vendet e Ballkanit, qëndrimi i të rinjve në shtëpinë e prindërve është bërë më tepër normë se një përjashtim. Kjo formë bashkëjetese ka fituar një emër të njohur si “Hotel Mama” – një metaforë për rehatinë, sigurinë dhe ndonjëherë edhe varësinë që shoqëron të jetuarit në shtëpinë ku je rritur.
Por a është kjo zgjedhje një ndihmë apo një pengesë për zhvillimin personal? A e ngadalëson kjo gjë rritjen psikologjike të njeriut?
Sipas Eurostat (2023), mbi 50% e të rinjve Europianë të moshës 18-34 vjeç jetojnë ende me prindërit e tyre. Në disa vende, si Italia dhe Greqia, kjo përqindje kalon edhe 60%. Në Shqipëri, kjo shifër mendohet të jetë edhe më e lartë, për shkak të rrethanave ekonomike; qerave të larta dhe mundësive të kufizuara për punësim të qëndrueshëm.
Por të jetosh me prindërit mund të jetë gjithashtu një vendim i mençur ekonomikisht sepse:
-Redukton ndjeshëm koston e jetesës
-Të jep mundësi për të ndërtuar kapital fillestar, si dhe;
-Të jep siguri në raste papunësie apo tranzicioni profesional.
Por edhe pse qëndrimi në shtëpinë prindërore mund të duket komod dhe praktik, pasojat psikologjike nuk janë gjithmonë pozitive.
Sipas një studimi të Journal of Youth and Adolescence (2019), qëndrimi i gjatë në familje ndonjëherë ndikon në vonesën e pavarësisë emocionale dhe sociale.
Pasojat e mundshme psikologjike përfshijnë:
-Vonesë në formimin e identitetit të pavarur
-Varësi në vendim-marrje
-Vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve romantike si dhe;
-Konflikte të brendshme për lirinë personale
Por gjithashtu kjo gjë ndikon dhe në marrëdhëniet me prindërit.
Bashkëjetesa mund të forcojë lidhjen prind-fëmijë, por gjithashtu mund të krijojë edhe tensione. Sa më gjatë zgjat qëndrimi, aq më shumë prindërit e shohin fëmijën si një “i ri që nuk largohet kurrë”.
Ndërkohë, që dhe të rinjtë ndihen të kontrolluar ose të mbikëqyrur nga prindërit.
Skenarët më të zakonshëm të konfliktit përfshijnë:
-Mungesë privatësie
-Prindër që vazhdojnë të vendosin rregulla
-Fëmijë të rritur që nuk kontribuojnë
-Ndërhyrje në jetën personale.
Po kur “Hotel Mama” është një zgjedhje e shëndetshme?
Janë disa raste, ku qëndrimi në shtëpi nuk është shenjë dobësie, por strategji e pjekur. Disa raste pozitive përfshijnë:
-Kursim për një shtëpi
-Kujdes për prindërit
-Investim në studime
-Kalim i një periudhe të vështirë
Si të bashkëjetosh me prindërit pa humbur pavarësinë?
-Vendosni rregulla të ndërsjella
-Mos u ktheni në fëmijë
-Jepni kontribut real
-Ruani jetën tuaj personale
A duhet të jetë “Hotel Mama” Hotel apo stacion kalimtar?
Zgjedhja për të qëndruar në shtëpinë e prindërve nuk duhet parë patjetër si dështim. Në një botë me sfida reale ekonomike, sociale dhe emocionale, ajo mund të jetë një strategji e zgjuar – për aq kohë sa mbetet e përkohshme dhe nuk pengon rritjen personale.
Në fund të ditës, nuk është vendi ku jeton që të përcakton nëse je i rritur, por mënyra si jeton. Dhe pavarësia e vërtetë fillon kur mëson ta menaxhosh jetën tënde, qoftë edhe duke jetuar… në “Hotel Mama”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.