(Nisur nga raste sporadike)
Për të përballuar shqetësimet, ankthin e të përditshmes, zhgënjimet e ardhura nga fshikujt e jetës, kërkohet padyshim, karakter, guxim, sa dhe impenjim, një “menaxhim” të vetvetes. Takon që gjendesh në situata të papërshtatshme, me reagime të paparashikuara nga shumëkush, nervoze, që tejkalojnë normat elementare. Por njeriu prandaj e ka arsyen dhe të ruaj gjakftohtësinë, kur tjetri e tejkalon cakun, të fyen, shkel rregullat elementare të sjelljes. Kjo kategori njerëzish që nuk arrijnë ta përmbajnë veten dhe gjendjen e frustrimit të tyre e shkarkojnë mbi të tjerët, nuk meritojnë të jenë në institucione të shëndetit publik, ca më tepër në spitale ku ke të bësh me të sëmurë që vuajnë dhe kërkojnë ndihmën tënde, solidaritetin tënd, dashurinë tënde.
Nga Rudina Papajani, mjeke, poete
Sidomos të sëmurët mendorë kanë nevojë për përkushtim të veçantë dhe dashuri pa paragjykime. Ata kanë gjendje shpirtërore të vështira, kanë ndjeshmëri të theksuar, ankth, depresion. Por a e kanë këtë përkujdesje dhe dashuri të gjithë?
Pikërisht këtu zë fill mendimi që dua të shfaq dhe ngjarjet sporadike që ndodhin rëndomtë. Kjo kategori të sëmurësh kanë specifikë, kërkon vëmendje që jetën mos ta shikojnë gri apo vetëm bardhë e zi, si një fund i errët ku s’ka një fije drite. Një sjellje e gabuar u vret shpresën, i margjinalizon edhe më shumë. Janë pikërisht ato duar që duhet t’u zgjasim… janë ato ngjyra që atyre u mungojnë. Duhet pra që t’u krijojmë premisën se sëmundja mendore nuk ka dallim nga sëmundjet fizike pasi dhe këta njerëz mund dhe duhet të shërohen, mund dhe duhet të përfshihen në jetën sociale.
Bashkohuni me ta!
Por si i bëhet kur përballë tyre shfaqen njerëz nervozë, që s’dinë të sillen, që madje fyejnë. Duhet të gjendet mënyra më e përshtatshme për t’i ndihmuar sadopak që dhe jeta e tyre të bëhet normale aq sa mundet, të dalë nga skemat e errëta, ngujimi i shpirtit, frika, mosbesimi, fiksimet, paranojat etj. Sepse dhe ata janë si gjithë të tjerët. Janë qenie njerëzore mbi të gjitha. Duhet gjithëpërfshirje, jo vetëm personeli i spitalit. Shoqëria ka detyrimin të përfshihet për të kaluar nga jeta sedentare në aktivitet fizik, për të mënjanuar sinkrozat e një jete plot ankth.
Nga përvoja ime, shpesh traumat e pacientëve me sëmundje psikike vijnë pikërisht nga trysnitë e padobishme sociale që krijohen, nga ngarkesat, nervozizmi, pamundësitë ekonomike, situatat në zgrip, konfliktet etj. Dhe të gjitha këto nënkuptojnë pikërisht mungesën e një marrëdhënieje humane që zbut shpirtrat dhe të sëmurët mendorë të ndjehen të dobishëm, të vlerësuar me qëllim që dhe ata të përfshihen në jetën që i pret.
E pra, këta “shpirtra të trazuar”, stresi dhe ankthi që përjetojnë kërkojnë dashurinë e munguar, kërkojnë jo vetëm ndihmën e komunitetit por sidomos nga bluzat e bardha, që janë të specializuara dhe lipset të kenë gjithë përkushtimin e domosdoshëm. Dua të ndalem kur ka pasur raste kur të sëmurët mendorë nuk respektohen edhe në rrugë apo kudo… apo dhe në mjedise mjekësore… apo edhe kur personelin mjekësor e fyejnë në institucionet mjekësore kur shoqërojnë këta të sëmurë. Ku është humanizmi? Ku është etika profesionale? Ku është respekti dhe dëgjesa ndaj një personeli mjekësor shoqërues si në rastin tonë?
Kërkoj një sensibilizim të opinionit për më shumë dashuri njerëzore, humanizëm, përkushtim ndaj pacientëve të shëndetit mendor. Asnjëherë s’duhet të harrojmë se ata janë si gjithë të tjerët. Dhe mbi të gjitha stafi mjekësor duhet të kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm të lartë, sikurse me dashuri të thellë. Po mungojnë këto dy cilësi bazë, kot që je personel, dorëzo bluzën, bëj diçka tjetër! Puna me këtë kategori të sëmurësh është shumë e vështirë. Edhe ata duan t’i buzëqeshin jetës. Bëjini pra t’i buzëqeshin jetës dhe mos i frikësoni më keq, mos i lëndoni, mos i trishtoni!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.