Posta

August 19, 2016 | 8:17

Humbja që nuk e pranoj dot

Para një viti patëm një fatkeqësi në familje. Në mënyrë të papritur na vdiq gjyshja. Ishte fundvit. U bë një vit dhe përveç dhimbjes, mungesës, humbjes së saj, më mundojnë dhjetëra mendime se përse nuk i kushtuam një rëndësi më të madhe sëmundjes së saj. Përveç kësaj, tani më janë kthyer në stres të gjitha festat në përgjithësi. Vdekja është pjesë e jetës dhe drejt saj do të shkojmë të gjithë, por unë e kam të pamundur të pranoj realitetin që gjyshja nuk jeton më dhe iku në një periudhë kur të gjithë festonin. Si të dal nga kjo gjendje? Eni

Përgjigjie:Më vjen vërtet keq për humbjen e gjyshes suaj. Sigurisht, të gjithë në një mënyrë a një tjetër përjetojmë humbjen e njerëzve të dashur. Për disa prej tyre e presim që të ndodhë e përgatitemi, ndërsa për disa rastësia as që nuk pyet fare se kur do të ndodhë. Të dyja janë të dhimbshme, por e dyta ka emocione më të forta. Ju keni shumë “pse” mbi gjyshen tuaj, por unë mund t’ju siguroj se edhe në rastet kur humbja e një personi është e pritur, ende ka shumë “pse”, të cilat mbeten pas e ne nuk arrijmë t’u kthejmë as përgjigje, por mbi të gjitha as t’i zhbëjmë. Ndoshta po të kishte ndodhur më vonë dhe ju të ishit në dijeni e të mund të bënit gjithçka me mjekë më të specializuar, sikurse ju mendoni, sërish do të kishte “pse”. Një “pse” që më kujtohet nga shumë klientë që kanë humbur të afërmit e tyre është: “Pse nuk arrita të shkoja më shpesh ta takoja gjyshen time kohët e fundit?” ose “Pse nuk e fala babanë tim vite më parë, që të mos i kisha shkaktuar kaq shumë dhimbje” etj. Jeta është kjo, me dinamika të cilat çdo ditë mbetet të thuhet se është e paparashikueshme dhe nuk ka ASNJË dhe nuk është ASKUSH që mund të mos ketë brejtje të ndërgjegjes për njerëzit e dashur që nuk i ka më. Ky është një proces shumë i natyrshëm, sepse NE nuk mund të bëjmë GJITHÇKA në këtë tokë, edhe pse rezolutat që ndërmarrim ndonjëherë janë dashamirëse, por jo gjithmonë realisht të realizueshme. Kështu, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të HEQIM dorë në PAQE me veten, se ata që kemi qenë me njerëzit tanë të dashur ka qenë e mjaftueshme, sepse edhe ata na kanë dashur shumë e preferojnë që ne të jemi të lumtur. Jam e sigurt që ju keni bërë më të mirën për gjyshen tuaj, e sikur ta kishit kuptuar se ajo do të vdiste atë ditë, ndoshta do të kishit bërë përpjekje më të mëdha, por ndoshta nuk do ta kishit parandaluar dot të pamundurën. E kësisoj po ju them se të dish se kur do të vdesësh është e pamundur. Përjetimet emocionale dhe mendimet që ju shoqërojnë, të cilat ju po m’i tregoni në këtë letër, më lënë të kuptoj se ju keni nevojë për mbështetjen profesionale të një specialisti më nga afër. Kjo do t’ju ndihmojë të orientoni më së miri mendimet tuaja. Kam besimin se festat e ardhshme do t’i përjetoni me kujtimin e bukur që gjyshja ju ka lënë si gjurmë të pandashme në jetën tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top