Thënie

August 18, 2016 | 11:53

Metaforë për të mposhtur gjykimin e të tjerëve

Ishte një herë një çift me një djalë 12-vjeçar, të cilët kishin një gomar. Vendosën të udhëtonin, të punonin dhe të njihnin botën. Kështu që u nisën të tre për udhëtim. Arritën në qytetin e parë dhe teksa ecnin, dëgjonin njerëzit që flisnin: “Shikojeni atë djalosh se sa i paedukuar që është… Ai mbi gomar dhe prindërit e gjorë, tashmë të moshuar, që e tërheqin nga pas”. Atëherë gruaja i tha burrit të saj: “Të mos i lejojmë njerëzit të flasin keq për djalin tonë”. Burri zbriti djalin nga gomari dhe hipi vetë mbi të. Mbërritën në qytetin e dytë dhe sërish njerëzit pëshpëritnin: “Shihni se sa i paturp ai tipi atje… Lë djalin dhe gruan e gjorë të tërheqin gomarin, ndërsa vetë rri mbi samar”. Atëherë burrë e grua morën vendimin të hipnin gruan, ndërsa babai dhe djali tërhiqnin gomarin për frerësh. Kur mbërritën në qytetin e tretë, njerëzit sërish pëshpëritnin: “Burri i gjorë! Pasi ka punuar gjithë ditën, lejon që gruaja të hipë mbi gomar. Dhe i shkreti djalë, kushedi se ç’heq me një nënë të tillë!” Pas këtyre fjalëve vendosën që të hipnin të tre mbi gomar dhe të rifilluan udhëtimin e tyre. Mbërritën në qytetin tjetër e sërish dëgjuan njerëzit: “Qenkan kafshë, më kafshë se gomari i gjorë që i mban mbi shpinë. Do ia thyejnë brinjët të gjorit”. Dhe vendosën të gjithë të zbrisnin nga gomari e ta vazhdonin rrugën më këmbë. Por, teksa kalonin nëpër qytetin tjetër nuk mund t’u besonin veshëve kur dëgjonin njerëzit që thoshin duke qeshur: “Shikojini ata tre idiotët: ecin më këmbë, edhe pse kanë një gomar të cilit mund t’i hipin e të mos lodhen!”.

MORALI?! Çfarëdolloj gjëje të bësh, do të gjesh gjithmonë njerëz që do të të kritikojnë dhe do të flasin keq për ty. Në shumicën e rasteve nuk kanë asgjë me ty personalisht, thjesht “duhet” të gjejnë diçka për të thënë ndaj dikujt. Kështu që, bëj atë çfarë ndjen se është më e duhura për ty, pa e vrarë mendjen se çfarë mendojnë të tjerët.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top