Piktorët, poetët, muzikantët, gjithmonë i njohim dhe i kujtojmë në një drejtim, në atë që ata kanë bërë emër, dhe harrojmë që ata kanë lënë gjurmë jo vetëm në art, por dhe në përkrahjen shpirtërore të njerëzimit. Mjaft të shohim pikturat e Vinsent Van Gog dhe kuptojmë që kemi të bëjmë me një artist që lëkundet midis fesë, natyrës, dashurisë dhe çmendurisë.
Gjithë jetën e tij e shoqëroi lëkundja ekonomike dhe një shëndet mendor që vinte duke u përkeqësuar. Këto u reflektuan në veprimet e tij. E njohur historia e veshit të prerë, akt të cilin sipas disa historianëve e kreu pasi mori vesh se vëllai i tij kish vendosur të martohej… Por të tjerë biografë pohojnë se ky episod ka ndodhur gjatë një grindjeje me mikun e tij Paul Gauguin, në shenjë proteste ndaj piktorit, i cili ishte i shurdhët, lidhur me vetë Van Gog. Ose një histori dashurie me kushërirën Kate,e cila kish dhe një fëmijë. Pas një kërkese për martesë, ai merr refuzimin e saj. I dëshpëruar Van Gog djeg njërën dorë në flakën e një llambe, duke kërkuar të tregojë forcën e dashurisë së tij. E trishtueshme, ai i jep fund jetës duke qëlluar mbi veten në një fushë me grurë. Në funeralin e tij arkivoli u mbulua me dhjetëra lule dielli të cilat ai i adhuronte. Dy pikturat më të njohura të tij “L’aresjene” dhe “Sunflower”, shpesh i shohim të imituara në versionin pikturë ose print.
Jeta artistike e Vincent Van Gogh ishte shumë e shkurtër, por pikturat e tij kanë frymëzuar breza të tërë artistësh. Në çdo koleksion të Van Gogut, ka një ndërthurje të bukurisë dhe trishtimit. Ky kombinim ka realizuar ndikimin që ka Van Gog në botën moderne. Ai është i njohur edhe për aforizmat e tij, të cilat mund të lexohen nga çdo njeri dhe në çdo kohë, pasi janë shprehur në formë të shkurtër, të thjeshtë e të mprehtë dhe transmetojnë peshën e mendimit të tij.
‘Teksa ne ecim në jetë, bëhet gjithnjë më e vështirë të ndeshemi me vështirësitë që janë rrënjosur në zemrën tonë’.
‘Ndërgjegjja është kompasi i njeriut’.
‘Mos e ngujo frymëzimin dhe përfytyrimin, mos u bë skllav i modelit tënd’.
‘As vetëdija e rrëzueshmërisë sime nuk mund të më frenojë së bëri gabime. Vetëm kur rrëzohem, unë ngrihem prapë’.
‘Unë nuk njoh asgjë me qartësi, por pamja e yjeve më bën të ëndërroj’.
‘Lumturia… ajo ndodhet në gëzimin e arritjeve, në trillin e përpjekjeve krijuese’.
‘Unë ëndërroj duke pikturuar, pastaj e pikturoj ëndrrën time’.
‘Unë përjetoj një periudhë kthjellimi drithërues në ato momente kur natyra është aq e bukur. Unë nuk jam më vetja ime, dhe pikturat duken sikur janë bërë në një ëndërr’.
‘Mendoj se nuk ka gjë më vërtetë artistike se t’i dashurosh njerëzit’.
‘Shpesh mendoj se nata është më e gjallë dhe më e shumëngjyrshme se dita’.
‘Dëshiroj vetëm që njerëzit të më kuptojnë ashtu siç jam’.
‘Nëse dikush është mjeshtër i një gjëje dhe e kupton një gjë shumë mirë, dikush ka në të njëjtën kohë ndjeshmërinë e të kuptuarit të shumë gjërave’.
‘Nëse ndien një zë brenda teje që thotë “ti nuk mund të pikturosh”, atëherë t’i gjithsesi pikturo dhe mbyte atë zë’.
‘Nuk duhet dëgjuar gjuha e piktorëve, por gjuha e natyrës, ndjenja për vetë gjërat, për realitetin është më e rëndësishme se ndjenja për pikturat’. ‘Dashuria sjell gjithmonë vështirësi, kjo është e vërtetë, por ana e mirë e saj është se ajo të sjell energji’.
‘Dashuro shumë gjëra, sepse atje ndodhet forca e vërtetë, dhe kush dashuron, krijon më shumë dhe mund të arrijë më shumë. Dhe çfarë është bërë duke qenë i dashuruar, është bërë mirë’.
‘Sa më shumë që vras mendjen për këtë, aq më shumë dal në përfundimin se nuk ka gjë më artistike se t’i dashurosh të tjerët’.
‘Njeriu punon dhe guxon nëse vërtetë dëshiron të jetojë’.
‘Peshkatarët e dinë se deti është i rrezikshëm dhe stuhia e tmerrshme, por ata nuk i kanë parë këto rreziqe të mjaftueshme sa për të qëndruar në breg’.
‘Mund të kemi një zjarr të madh brenda vetes, prapë askush nuk do të vijë vetë kurrë e të ngrohet prej tij, dhe kalimtarët shikojnë vetëm fjollën e tymit që del nga oxhaku’.
‘E çfarë kuptimi do të kishte jeta nëse nuk do të kishim guximin për të tentuar gjithçka’.
‘Gjërat e mëdha janë bërë nga gjëra të vogla të bashkuara mes tyre’.
‘Pavarësisht çdo rrëzimi unë do të ngrihem përsëri, do të marr lapsin, të cilin e kam hedhur nga çtrimërimi im dhe do të rifilloj punën’.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.