Marrëdhënie

July 26, 2017 | 10:46

Ikim…?

1

Jam shumë e lodhur.
Nuk e di, nëse është nga koha, a puna e tepërt, a stresi, a ti… Por jam shumë e lodhur.
Ndoshta, mund të jetë edhe stina, që je e lodhur për çdo gjë, përveç plazhit.
Por, nuk arrij as të jem sociale këto ditë. Do doja të ikja diku, për pak ditë, sa të rimarr energjitë që duhet të jenë fshehur diku. Të iki qoftë dhe për 24 orë.
Do vish të ikim bashkë?

Nga Anisa Zaçe  Psikologe Klinike & Këshillimi

Nga Anisa Zaçe
Psikologe Klinike & Këshillimi

Pashe dikë me sy të zbrazët në rrugë sot. Nuk di të them sa frikë pata. Thua mund të më zbrazen dhe mua sytë ashtu një ditë? Ndoshta dhe ai ka qenë si unë tani, dikur. Ka ëndërruar shumë e ka dashuruar fort. Por, jeta ndodhi. Ai u lodh. Humbi besimin dhe dëshirën.
Më tmerron ideja që mund të zgjohem një ditë dhe në sytë e mi të mos ketë asgjë.
Prandaj, dua të iki tani. Të iki, të marr frymë lirshëm diku, të kthej veten në start, dhe të nis nga fillimi.
Do vish të ikim bashkë?

Nuk është e thjeshtë asgjë në ditët e sotme. Por më e komplikuara nga të gjitha është të qëndrosh. Mungesa e kurajos për të qëndruar, pavarësisht dëshirës ulëritëse. Të gjithë duan të ikin.

Po, a e shikon? Edhe në arratisje të dua me vete. Edhe kur dua të iki nga vetja, nuk dua të iki nga ty. Të dua me vete, me krahun tënd mbi shpatullat e mia, që më tërheq drejt vetes. E dua me vete ndjesinë e mbështetjes në siguri.
Sepse, të dy e dimë, që jeta nuk do jetë gjithmonë e bukur, do ketë dhe gremina, dhe ditë të shëmtuara, sepse jeta i ka të katër stinët. Ama, unë dua të të kem krah, dhe kur të ketë shi, e kur të bëhem tornado.
Sado të ikim e të vrapojmë, në fund është e pamundur për të mos përfunduar vrapin tek vetja, e dua që kur të kthehem ti të jesh sërish aty.

Po, hajde ikim për pak. Të harrohemi diku, për shumë pak. Nuk po më pëlqen më vetja në këtë gjendje, fytyrë e shpatulla varur. Kam nevojë të kthehem ne ritmin që i njoh unë jetës. Por, nuk mundem ta bëj tani. Më duhet të arratisem pak nga këtu.
E di, asgjë nuk do zgjidh duke ikur, mos ma thuaj më. Ama kam nevojë ta bëj.

Nuk mendoja ndonjëherë që mund të merrja leksione kurajoje nga dikush tjetër. Por, është aq e bukur. Ti më shoqëron në arratisjet nga lodhja e përditshmëria, duke më treguar e mësuar si qëndrohet guximshëm në dashuri.

Hajde ikim. Ndize makinën, do të të them unë ku të ndalosh. Arratisemi veç pak.

Më përqafo në këtë ikje, që dukshëm ja kam nevojën ta le botën jashtë.
Të premtoj që do të ta lë ty në dorë, rrugën e kthimit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top