Aktualitet

September 18, 2024 | 15:59

Ikja e parakohshme e Gerti Bogdanit, dhimbja që la pas

 

Nga Orjona Tresa

 

Lajmi i trishtë për humbjen e Gerti Bogdanit na pikëlloi të gjithëve. Ishte shumë i ri për të marrë mbi supe gjithë peshën e vdekjes. Madje, zgjodhi të largohet pa iu bërë barrë askujt, edhe pse gatishmëria e njerëzishme u gjend aty për t’i dhënë ndihmën e parë.

gerti-bogdani

Paraditen e së mërkurës së, 18 Shtator 2024, ai ishte duke ndarë një kafe pune me miqtë e tij, në një ambient të njohur në Tiranë. Gerti befas nuk ndihet mirë. Me etikë zgjedh të mos i bezdisë miqtë dhe çohet prej aty dhe futet në tualet me qëllim që të marrë veten. Hoqi syzet dhe i vu mënjanë mbi një suprinë. Dhe i hodhi ujë syve. Mesa dukej, uji nuk po ia lehtësonte gjendjen. Frymëmarrja i diktonte një tjetër ritëm. Zemra kokëforte po përçonte impulse të reja, pa ia mundësuar të menaxhonte veten fizikisht. Rrahjet u ngatërruan aq sa… trupi i tij u dorëzua.

Pauza e gjatë tërhoqi vëmendjen e miqve. Rendën të shohin çfarë ndodhi. Rrëzuan derën në tokë në pamundësi tjetër. Gerti ishte aty, i pafuqishëm. Një djalë shtatlartë dhe i pashëm, që pabesisht jeta po e përgatiste në një tjetër udhëtim.

Në ngarkesën dhe panikun e krijuar, disa qytetarë të gjendur aty u përfshinë në këtë situatë. Dy mjekë të pranishëm rastësisht, u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë, në mungesë të një defribilatori që ndoshta do të kishte bërë mrekullinë. Ndërkohë që pritej ambulanca, Gerti u mbajt me frymë artificialisht, një gjest human nga dy mjekët, që zgjati përreth gjysmë ore. Pas kësaj vonese dhe në praninë e policisë, ambulanca mbërriti më në fund, ndërsa shpresa qëndronte tek mbajtja në jetë e 44-vjeçarit. Por, zemra “e tradhtoi” Gertin, duke lënë pas dhimbje të madhe për familjen, fëmijët, miqtë dhe të gjithë ne, ata, që besoj ndajnë opinionin më pozitiv për të.

Gerti nuk është më midis nesh. Ai shkoi në amëshim. Por la pas familjen e tij të bukur.

Ngushëllime për Edlirën, miken dhe bashkëpunëtoren tonë në Revistë, që do t’i duhet të përballojë këtë dhimbje kaq të madhe.

 

Kush ishte Gerti Bogdani?

 

I lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë Bodgani pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Neë York-ut, ku u  diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Aëard – ‘Medalje Ari’.

Më pas u rikthye në Shqipëri, duke e filluar karrierën e tij profesionale në fushën akademike në Universitetin e New Yorkut –Tiranë. Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.

Karrierën politike e fillon në vitin 2007, ai kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton. Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave. Në 2022 garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023.

Gjatë gjithë karrierës në Shqipëri dhe jashtë vendit, Gerti ka qenë një mbështetje e fortë dhe e vazhdueshme të nismave politike dhe qytetare në mbrojtje të vlerave, trashëgimisë së Tiranës, lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, duke organizuar nisma të shumëllojshme më të rinjtë dhe diasporën shqiptare.

Gerti Bogdani është i njohur si një nga personalitetet më me integritet në politikën shqiptare, me vlera familjare dhe i përkushtuar në punën e tij, me energji dhe vizion në sjelljen  e risive dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet e komunitetit që ka përfaqësuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top