Matilda Mina, në jetën e saj ishte një nga shumë vajzat bonjake e pafat, e cila u rrit me mundime, sakrifica e halle të mëdha në një Shqipëri si kjo e jona.
E braktisur që në mituri, ajo u rrit jetime pa familjen e saj biologjike, por gjeti streh dhe dashuri në një familje shumë herë më të madhe, (në fillim në Befotrofin e Vlorës, më pas, në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë), e rrethuar me kujdestarë, punonjës dhe edukatorë të dashur e zemërdhembshur, që u kujdesën dhe u bënë prindër të vërtetë të saj, me shumë motra e vëllezër të ngjashëm të të njëjtit fat, e cila ndau me të gjithë bashkëvuajtësit e saj brengat, dhimbjet dhe gëzimet e një fëmijërie të paplotësuar….
Matilda Mina, ajo vajza bukuroshe me ngjyrë çokollatë, që shpesh herë binte në sy nga shumica e bashkëmoshatarëve të saj, me atë natyrën e saj të qeshur, e ndrojtur, e brishtë, por edhe lozonjare, ia lëshoi trupin tokës dhe nga sot e tutje i përket vetëm Zotit.
Për fat të keq, jeta e vështirë e Matildës është historia e ngjashme e vetësakrifikimit përtej mbijetesës dhe sublimitetit që i duhet të përballë çdo jetim në realitetin ku jeton; një ilustrim shumë i qartë si në romanin “Oliver Twist” të Charles Dickens, i cili e paraqet me një dramacitet të dhimbshëm dhe të frikshëm të gjithë realitetin e mijëra fëmijëve jetimë të pastreh dhe pa të ardhme në Anglinë e dekadave të para të shekullit të 19 – të.
Oliver Tuist u frymëzua nga shumë jetimë që përballeshin me jetën e vështirë në Angli, në një vend ku nuk kishte aspak ligj e rregull, ku mbizotëronte krimi dhe padrejtësia.
Një ilustrim pak a shumë i ngjashëm me realitetin tonë ku jetimët po përballen në një Shqipëri më pak të dhembshur….dhe indiferencën e institucioneve tona në këto 3 dekada të tranzicionit shqiptar.
Kalvari i vuajtjeve dhe sakrificave që Matilda kaloi në jetën e saj, ishte përtej të pamundurës, ku si çdo jetim, asaj iu mohua një punë dhe një strehim dinjitoz, pertej propagandës së politikës zyrtare.
Ajo ishte e punësuar prej 15 vitesh në të zezë tek një sipërrmarës privat, e keqpaguar deri në shfrytëzim të pamëshirshëm nën një diskriminim, me një pagë qesharake prej 10.000 (dhjetëmijë) lekë të reja në muaj, e pasiguruar, e pa mbështetur siç duhej nga shteti me programe të ndihmës dhe mbështetjes, duke u përballur kohët e fundit edhe me një sëmundje të rëndë, e cila i morri jetën.
Më është dashur të merrem personalisht me rastin e Matildës për tu interesuar dhe për ta ndihmuar gjatë kohës së terapisë për të marrë ndihmën e plotë mjekësore me të gjitha shërbimet e nevojshme që i duheshin asaj nga shërbimi spitalor i Qëndrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza”, duke falenderuar personalisht Drejtoren e Përgjithshme znj. Albana Fico, Dr.Prof. Silvana Çeliku dhe mjekun specialist Romeo, të cilët janë treguar të gatshëm dhe i qëndruan deri në fund Matildës me të gjitha shërbimet e nevojshme që asaj i nevojiteshin.
Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, mori përsipër të organizoj të gjithë ceremoninë e percjelljes për në banesën e fundit me të gjitha nderimet që i takonin Matildës.
Me këtë rast, falenderoj me mirënjohje Bashkinë Tiranë, N/Kryetarët, znj. Anisa Ruseti dhe Andi Seferi, të cilët u treguan menjëherë të gatshëm dhe ndihmues për të përgatitur në një kohë rekord një ceremoni dinjitoze të përcjelljes së Matildës për në banesën e fundit….
Mirënjohje për të gjithë ata që u bënë mbështetës dhe ia bënë më të lehtë rrugëtimin e sakrificës dhe të vuajtjes Matildës së pafat….
Me nderime dhe përulësi,
ILIR ÇUMANI
Tiranë, e hënë, 08 prill, 2023
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.