Dëshmi

June 25, 2020 | 8:04

Ilir Çumani: Simbolika e një fotoje….

Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

12 vjet më parë, ndodhemi në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë. Aty ku NJERIU sjell në jetë NJERINË…. Jemi pikërisht aty, ku fatkeqësisht, shumë nëna dhe vajza të reja, në rrethana dhe për arsye të ndryshme i braktisin krijesat e tyre brenda mureve të këtij institucioni. Në fakt, kurrë, asnjëherë dhe për asnjë arsye nuk duhet t’i paragjykojmë ato nëna dhe vajza të dëshpëruara, të cilat për njëmijë e një arsye, përkundër dëshirës dhe vullnetit të tyre, me zemra të lënduara e të copëtuara prej dhimbjes, ndërmarrin një hap të tillë, të gabuar, që si peng i madh i shoqëron përgjatë gjithë jetës…

Jo, asesi ato nuk duhen gjykuar, nuk duhen stigmatizuar, për më keq akoma, nuk duhen mënjanuar dhe përjashtuar në jetën sociale. Ato, më së shumti duhen mirëkuptuar, duhen asistuar dhe ndihmuar që t’ia dalin me sukses kësaj vështirësie mes dilemash, vuajtjesh dhe brengash të mëdha.

Për këtë arsye, më 20 Maj, 2008,  ideova dhe organizova një veprimtari krejt ndryshe nga herët e tjera. 200 fëmijë jetim, në 20 Maj, 2008, pra në Ditën Kombëtare të Jetimëve, u bënë vizitorët më të veçantë, mysafirë në këtë institucion. Me buqeta lulesh në duar, ata shkuan në mjediset e brendëshme të maternitetit, vizituan të gjithë shtretërit në dhomat me nëna që kishin lindur, por edhe të atyre që prisnin të lindnin, duke ju uruar për bebet e sapo ardhura në jetë, dhe për ata që prisnin të lindnin.

Secili prej këtyre fëmijëve kishte një dëshirë, por edhe një mesazh për këto nëna të reja… Ata kishin zgjedhur emra mjaft të veçantë dhe të bukur për ato foshnja të sapolindura. Bashkë me dëshirën e tyre për t’u vendosur emrat e përzgjedhur këtyre bebave, ata u drejtoheshin mamave të atyre foshnjave me lutjen e thjeshtë dhe shumë të sinqertë. Lutja e këtyre fëmijëve ishte që ato nëna, në çfarëdo rrethane të vështirë që të mund të ndodheshin, të mos i braktisnin kurrrë fëmijët e tyre….

1Duke qenë se drama e braktisjes e një pjese prej tyre kishte nisur pikërisht në dhomat dhe korridoret e këtij materniteti, këta fëmijë jetim, vizitorët special të asaj dite, e çuan edhe më tej nismën e tyre. Për nder të 20 Majit, Dita Kombëtare e Jetimëve, në oborrin e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ata mbollën edhe 20 bredha të mëdhenj, si një simbolikë e dashurisë për jetën dhe shenjë e vazhdimësisë së saj.

Dhe për ta përjetësuar këtë simbolikë mjaft emocionuese të mbjelljes së atyre bredhave, këta fëmijë jetim e shoqëruan edhe me inagurimin e një memoriali – pllakatë mermeri me mbishkrimin mjaft domethënës: “…O Nëna të dashura që na falni jetën! Ju lutemi, mos na braktisni… Këto bredha u mbollën për Ju, më 20 Maj, 2008”. Kjo pllakë mbishkrimi dedikuar  asokohe nga këta fëmijë jetim, është vendosur në një vend të dukshëm brenda këtij institucioni, si një KUJTESE dhe APEL për të gjitha ato nëna dhe vajza të reja që paraqiten këtu në Shtëpinë e Lindjes për të provuar emocionet e një akti të madh SUBLIM, atë të të bërit NËNË, por dhe për t’ju kujtuar këtyre nënave se, asnjë çast dhe për asnjë arsye, sado e madhe të jetë ajo, nuk mund ta përligj braktisjen e fëmijës….

Dhe këtë mësim të thjeshtë, por tepër të rëndësishëm për mesazhin human që përcjell, e dhanë në atë Ditë të veçantë pikërisht ata fëmijë të pafajshëm, një pjesë prej të cilëve ishin braktisur dikur brenda mureve të këtij institucioni…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top