‘‘Fëmija është vepër arti e përkryer… Por edhe pa punë nuk rri dot. Nuk sakrifikoj dot deri në këtë pikë… Kam nevoja si artiste. Nuk e di sa nënë e mirë do isha, nëse do kisha braktisur gjithçka për hir të djalit dhe vajzës. Nëse do kisha të tilla mungesa, s’e di se çfarë lloj stresi do shkarkoja më pas tek fëmijët e mi’’
Sikur dita të kishte më shumë se 24 orë, as ato nuk do i mjaftonin për të shkarkuar pa lodhje, dellin artistik në punë dhe atë të mëmësisë në familje. Veçanërisht me punën, duket se Ilirjana Basha ndan një lidhje tejet të fortë me të cilën është brumosur që në moshën 20-vjeçare, kur preku nga afër shijen e të qenit e punësuar. Kur jetonte në Kosovë, pohon se bënte plot pesë punë njëherësh. Gjente energjinë e nevojshme, dëshirën për ta nisur dhe për ta ngrysur ditën me punë, e mandej fare pak kohë e lirë i mbetej për t’ia kushtuar vetes. Vetëm puna e plotësonte vajzën çapkëne, aq sa ajo e shpreh pa mëdyshje se: “Puna është vetë jeta”. E kjo marrëdhënie kaq besnike, dukej se do të tronditej në çastin kur njohu njeriun e jetës, Altinin, dhe kur ajo provoi për herë të parë ndjenjën e mëmësisë.
Ankthi i të qenit e papunë
“Kur vendosa të lija Kosovën për të jetuar në Tiranë, kalova rreth një vit pushim dhe pa asnjë impenjim profesional. Për mua kjo situatë ishte si një lloj vdekjeje për së gjalli. Në Kosovë isha në kulmin e karrierës sime, ndërsa kur erdha në Tiranë, u përballa me një gjendje krejt të bardhë, flegmatike nga ana profesionale, por e përmbushur nga ajo emocionale. Për mua e gjithë kjo ishte si një fillim i ri. Papunësia më solli gjendje nervozizmi, shqetësime, nisa ta urreja këtë vend… Ishin ndjesi që në fakt nuk i kisha provuar kurrë më parë, sidomos për një njeri si unë që bëja pesë punë njëherësh. Kur Ilirjana u angazhua si kostumografe në kabaretin e humorit “Portokalli”, shtatzënia nuk e pengoi aspak për ta realizuar me mjeshtërinë dhe talentin e duhur punën e saj. Punoi fort, madje deri ditën e fundit kur i duhej të drejtohej për në maternitet e kur për herë të parë do të provonte të qenit nënë. Ishte një nga ato çastet e papërshkueshme me fjalë e që e bëri Ilirjanën të kuptonte me bindje të plotë se në jetë paskësh gjëra edhe më të bukura se puna…
Kur njohu mëmësinë
Engjëllushja, vajza e madhe e familjes Basha, sot 6 vjeçe, ishte si një bekim që erdhi në familjen e tyre e që ndryshoi gjithçka tek artistja e njohur. “Deri përpara se të kisha në krah fëmijën tim të parë, kisha pasur si prioritet vetëm punën. Më pas, rrjedha e jetës ndryshoi… aq sa kuptova se ky fëmijë ishte vepra më e madhe artistike që kisha realizuar ndonjëherë. Tashmë, isha e realizuar edhe në anën profesionale, edhe atë të mëmësisë”, vijon Basha.
Vështirësi dhe ekuilibër
Ende me fëmijën e vogël dhe me përkushtimin orë e çast ndaj vajzës, diku thellë në skutat e ndërgjegjes së saj, kish nisur të vlonte dëshira e qenësishme për t’iu rikthyer punës. Ilirjana nuk ishte “gatuar” për të qenë një grua shtëpiake, që merrej vetëm me rritjen e fëmijëve! Aftësitë ishin më të mëdha se kaq, në një kohë kur kishte dëshmuar se mund t’i bënte shumë mirë të dyja. Puna për të është njësoj si ajri i freskët që thith në mëngjes, andaj ajo nuk mund të “ngujohej” kurrsesi brenda katër mureve të shtëpisë, për të bërë nënën e devotshme që gjithë kohës është me sy e veshë tek fëmija e saj. Shkëputja nga vajza e vogël, vetëm pak muaj pas lindjes për t’u rikthyer në studiot e “Portokallisë”, ishte si një traumë për të. Të besuarit e foshnjës tek një babysitter, apo shpesh edhe përkrahja e së ëmës që vinte nga Kosova për t’i dhënë “dorë” në rritjen e Engjëllushes, ishin vetëm një pjesë e vogël e ngushëllimit për Ilirjanën. “Falë Zotit, kur vajza ishte ende disa muajsh e vogël, stafi drejtues i punës më mundësonte orare më të reduktuara që unë të mund të shkoja më herët në shtëpi, për të qëndruar më pranë Engjëllushes”, shton Ilirjana. Nuk do të kalonte shumë, dhe vetëm pas dy muajsh që ajo ishte bërë nënë me fëmijën e parë, do të mësonte në një vizitë rutinë tek gjinekologu se ishte sërish shtatzënë. Fëmija i dytë ishte në prag të derës, aq sa sot asaj i duket sikur ka rritur dy binjakë. Këtë herë, familja Basha u shtua me një djalë, Erblini, që sot është 5 vjeç. Me lindjen e tij, situata u bë edhe më e vështirë… Puna u intensifikua për Ilirjanën, aq sa dukej se çdo gjë asokohe duhej bërë me përpikmërinë e një ore me zile.
Bashkëpunim në familje
Si ajo edhe bashkëshorti, dy njerëz që punën e duan “fort”, u gjendën përballë sfidës së radhës në rritjen e dy fëmijëve të vegjël, njëkohësisht edhe në vrullin e punës në “Portokalli”. Ilirjana rrëfen se sakrifica më e madhe që kanë bërë në raportin e tyre në çift, është pikërisht fakti që ata kanë stopuar së bëri jetë shoqërore. Nuk ka dalje darkave me miqtë, apo shoqërinë, argëtim nëpër teatro apo pub-e. Kudo ku ata shkojnë janë vetëm të katërt. “Në punë kemi orare pa orare. Është si një ndjenjë faji që më mban… Unë dhe im shoq ecim mjaftueshëm profesionalisht, kemi karrierën tonë të ndërtuar mirë, por njëherësh jemi të ndërgjegjshëm se fëmijët tanë kanë nevojë për praninë tonë. Zgjidhjen tashmë e kemi gjetur tek kopshti. Fëmijët rrinë aty deri në orarin e pasdites, kur ne kthehemi nga puna. E gjithë kjo situatë më ngjan njëson me fëmijërinë time. Edhe unë e ime motër jemi rritur nëpër kopshte, apo nëpër skenat e teatrove ku prindërit punonin e na merrnin me vete. Por, nuk them që kam kaluar fëmijëri të keqe… përkundrazi kam qenë e lumtur, pasi nuk më kanë munguar asnjëherë lojërat dhe argëtimi i moshës”, thekson Basha. *** “Fëmija është vepër arti e përkryer… Por edhe pa punë nuk rri dot. Nuk sakrifikoj dot deri në këtë pikë… Kam nevoja si artiste. Nuk e di sa nënë e mirë do isha nëse do kisha braktisur gjithçka për hir të djalit e vajzës. Nëse do kisha të tilla mungesa, s’e di se çfarë lloj stresi do shkarkoja më pas tek fëmijët e mi”, përfundon Iliriana.
Botuar në revistën Psikologji, gusht 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.